Gaza ende larg armëpushimit, Izraeli depërton me trupa dhe tanke
Blerina Olldashi
Tanket dhe trupat ushtarake të Izraelit depërtuan dje më në thellësi të territorit të Gazës, duke hedhur bomba dhe duke krijuar panik në radhët e civilëve. Trupat izraelite dhe militantët e Hamasit, në orët e para të mëngjesit u përleshën në rrethinat e Gazës. Izraeli përgënjeshtroi pohimet e Hamasit se u shkatërruan dy tanke izraelite. Lidhur me këto sulme reagoi presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, i cili e akuzoi Izraelin se synon “t’i asgjësojë” palestinezët nga Rripi i Gazës duke refuzuar t’i jepet fund ofensivës ushtarake. Abas tha dje në Ramallah se palestinezët po e përballojnë situatën e vështirë dhe kurrë nuk do të dorëzohen. Të shtunën, Abas tha se Autoriteti Palestinez, i cili kontrollon Bregun Perëndimor, por jo dhe Gazën, dëshiron paqe edhe se nëse rezistenca synon t’i shkatërrojë njerëzit. Ndërkohë që Izraeli përpiqet të ndalë sulmet e militantëve palestinezë kundër territorit të tij, një patrullë e saj u sulmua nga persona të armatosur të Jordanisë. Nga incidenti që ndodhi në kufirin jugor të Izraelit nuk pati të lënduar. Agjencia e lajmeve në Jordani citoi burime ushtarake, të cilat mohuan pretendimet e Izraelit. Disa ditë më parë një sulm i ngjashëm ndodhi edhe nga territori i Sirisë. Javën e kaluar tri raketa nga Libani u hodhën në Izrael. Përpjekje për një armëpushim mes Izraelit dhe militantëve palestinezë do të ketë edhe nga sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, i cili arriti dje në Lindjen e Mesme. Gjatë kësaj vizite Ban Ki Mun do të ndalet në Izrael, Bregun Perëndimor, Jordani, Turqi, Siri, Liban dhe Kuvajt. Ai do t’u bëjë thirrje të dyja palëve të pranojnë rezolutën e Këshillit të Sigurimit, që kërkon armëpushim të menjëhershëm. Këshilli i Sigurimit e miratoi rezolutën javën e kaluar. As Izraeli dhe as Hamasi nuk e kanë përfillur rezolutën.
Më shumë se 900 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës së Izraelit në Gaza, që ka për qëllim ndaljen e sulmeve në raketa të Hamasit. Dhjetë ushtarë izraelitë dhe tre civilë janë vrarë deri tani.
Nimiç: “Më 11 shkurt, bisedimet e reja Athinë- Shkup”
Ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit, Metju Nimiç, caktoi 11 shkurtin si datë për raundin e ri të negociatave Athinë-Shkup. Sipas zëdhënëses së sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Nju Jork, më vonë do të caktohet edhe vendi dhe koha ku do të mbahet takimi mes ambasadorëve të Greqisë dhe Maqedonisë, Adamantios Vasilikis dhe Zoran Jolevski. Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në raportin më të fundit të tij, u bëri thirrje Athinës dhe Shkupit të gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për çështjen e emrit. Shkupi duhet t’u shmanget provokimeve dhe të pranojë propozimin e fundit të ndërmjetësuesit të OKB-së për të riemëruar vendin si “Republika e Maqedonisë Veriore”, ndërsa Greqia duhet të heqë dorë nga kërcënimi për përdorimin e vetos. Shkupi dhe Athina sugjeroi, GNK duhet t’i përvishen punës për rishikimin e historisë së përbashkët të rajonit, në mënyrë që të arrijnë një mirëkuptim bazik dhe t’i shmangen referencave në literaturat shkollore, të cilat ofendojnë ndjenjat kombëtare të cilitdo vend.
14 Janar 2009