Gaza-sulm në shkollë, vdesin 40 persona

Ushtria izraelite ka thelluar ofensivën e saj tokësore në Gazë, ndërsa po intensifikohen përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare në tëntativat për të gjetur një marrëveshje armëpushimi. Izraeli ka shtyrë forcat e saj drejt Khan Jonisit, fortifikatës së Hamasit në jug të Gazës. Ndërkohë që të paktën 40 persona kanë vdekur nga një sulm ajror izraelit mbi një shkollë të Kombeve të Bashkuara në Rripin e Gazës. Lajmi është bërë i ditur nga burimet mjekësore palestineze. Një numër i madh fëmijësh ishte mes atyre që vdiqën, kur shkolla Al Falluxh në Xhabalia u godit. Më herët, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq paralajmëroi për nisjen e krizës humanitare në Gazë. Duke folur në ditën e 11-të të sulmeve izraelite, zyrtari i këtij komiteti Pierr Kraenbul deklaroi se jeta në Gazë është bërë shumë e pasigurt. Burimet mjekësore palestineze kanë njoftuar për më shumë se 600 të vrarë që kur kanë nisur sulmet dhe Kraenbul tha se duhet bërë më shumë për mbrojtjen e civilëve të pafajshëm. Ndërkohë që një tragjedi e vërtetë është shënuar nga bombardimet izraelite në qytetin e Gazës. Të paktën 12 pjesëtarë të së njëjtës familje, mes të cilëve shtatë fëmijë nga një deri në 12 vjec janë vrarë. Predhat izraelite kanë shkatërruar shtëpinë e tyre. Më vonë, ushtria izraelite bëri të ditur se kishte goditur në Xhabalia të Gazës, shtëpinë e një zyrtari ushtarak të Hamasit të quajtur Iman Siam, që në momentin e sulmit iu rezultonte se ishte në shtëpi dhe sipas tyre, mund të ketë mbetur i vrarë.