E Diel, 1 Nëntor 2026

Gaza, vazhdon ofensiva tokësore izraelite për të katërtën ditë



Blerina Olldashi

Luftime të ashpra janë zhvilluar dje në Gaza duke shënuar ditën e katërt të sulmit tokësor izraelit. Burime mjekësore palestineze bënë të ditur se të paktën 40 veta u vranë nga një sulm ajror izraelit mbi një shkollë që administrohej nga Kombet e Bashkuara në Rripin e Gazës. Sulmi ndodhi në Xhabalia në veri të Gazës, ku ishin strehuar shumë persona për t’u shpëtuar luftimeve. Përleshje ka pasur midis trupave izraelite dhe militantëve palestinezë në periferi të rajonit verior të qytetit të Gazës, ndërkohë që Lëvizja Hamas dhe Xhihadi islamik u shprehën se luftëtarët e tyre janë përfshirë në luftime me ushtarët izraelitë. Tanket depërtuan në qytetin më të madh në jug të Rripit të Gazës, ndërsa militantët e Hamasit hodhën raketa në territorin e Izraelit. 12 pjesëtarë të një familjeje, mes të cilëve 7 fëmijë të moshës nga 1 deri në 12 vjeç, mbetën të vrarë nga një bombardim izraelit që shkatërroi një shtëpi. Sipas burimeve, trupat e tyre u transferuan në spitalin Shifa që ndodhet në Gaza. Organizata e Kombeve të Bashkuara bëri të ditur se mijëra palestinezë janë larguar nga shtëpitë e tyre. Si pasojë e sulmeve janë vrarë tre ushtarë izraelitë dhe 24 të tjerë mbetën të plagosur nga një tank gjatë luftimeve në Gazën Veriore. Ushtarët ishin duke qëndruar pas murit të një ndërtese kur u goditën nga një predhë tanku. Kjo është humbja më e madhe izraelite që kur ata filluan ofensivën ajrore dhe tokësore në Gaza. Ndërkohë që lufta vazhdon, situata humanitare në Rripin e Gazës po përkeqësohet në mënyrë dramatike. Në këtë vend mungon rryma elektrike, uji dhe lidhja telefonike. Në gjendje katastrofike janë edhe spitalet. Ndërkaq, ushtria izraelite ka lejuar furnizimin me ndihma humanitare dhe ka hapur për këtë kalimet kufitare. Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme të Izraelit, të hënën mundën të depërtojnë në drejtim të Gazës kamionët me ushqime, medikamente dhe aparate mjekësore. Po ashtu, ditën e hënë në zonën e luftës arritën 200 mijë litra karburant. Më e rëndë situata paraqitet në spitale. Spitali më i madh në Gaza është i varur nga gjeneratorët elektrikë që funksionojnë vetëm me naftë dhe për këtë arsye ekziston frika se gjeneratorët mund të ndërpriten. Nëse ndodh kjo, 70 pacientë dhe 30 foshnja të sapolindura mund të vdesin menjëherë. Sipas një raporti të zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinim për Problemet Humanitare, ekzistojnë ndihma të mjaftueshme, por problemi mbetet se si do të arrijnë ato deri te njerëzit që kanë nevojë. Edhe një transportim i shpejtë për në spitale në zonat e luftës është i pamundur. Palestinezët thonë se afro 600 veta janë vrarë që prej fillimit të ofensivës izraelite.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›