E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazi rus, Gazprom: “Nuk do ta dëmtojmë Europën”



Rusia duket e vendosur që konflikti i saj me Ukrainën për gazin të mos dëmtojë vendet europiane, të cilat furnizohen me këtë gaz, duke marrë masat e nevojshme për të minimizuar dëmet. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i kompanisë së madhe ruse Gazprom, Sergej Kuprianov, në Moskë duke theksuar se janë të gatshëm për negociata sa më shpejt që të jetë e mundur. Ndërkohë, ndërprerjet e gazit kanë futur në krizë Europën dhe Ballkanin duke sjellë efekte negative të menjëhershme në Bullgari, Turqi, Greqi dhe Maqedoni.
Ministria bullgare e Ekonomisë bëri të ditur se e gjithë sasia e gazit rus përmes Ukrainës për Bullgarinë, Turqinë, Greqinë dhe Maqedoninë, u ndërpre që dje. Edhe Kroacia konfirmoi ndërprerjen e plotë të lëvrimit të gazit rus, ndërsa Rumania deklaroi se rezervat e gazit po mbarojnë. Bashkimi Europian e vlerësoi si “krejtësisht të papranueshëm” vendimin për ndërprerjen e furnizimit me gazin rus në Europë, për shkak të konfliktit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës për borxhe dhe çmime. Në këtë kuadër, zëvendëskryeministri i Çekisë, Aleksandër Vondra, tha se presidenca çeke e Bashkimit Europian dhe Komisioni Europian kërkojnë që furnizimet me gaz të ripërtërihen menjëherë dhe të dyja palët, Rusia dhe Ukraina, të vazhdojnë negociatat për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare për mospajtimet e tyre dypalëshe komerciale. Mospajtimet ndërmjet Moskës e Ukrainës u përshkallëzuan kur Rusia ndërpreu furnizimin me gaz për nevoja të brendshme të Ukrainës më 1 janar.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›