E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazeta “55” botoi të plotë raportin e ekspertëve të KE-së

Konstatimet e Brukselit, alarm i madh për Këshillin e Lartë të Drejtësisë

Gazeta “55” botoi të plotë para pak ditësh raportin e ekspertëve të misionit EURALIUS, për asistencë juridike në fushën ligjore dhe atë të drejtësisë. Raporti godet rëndë sistemin megakorruptiv të organizimit të punës së sistemit gjyqësor nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Shkelje të vendimeve, shpërfillje të paprecedentë të ligjeve për emërimin dhe promovimin e gjyqtarëve, janë sipas raportit të ekspertëve, plagët e rënda të drejtësisë në Shqipëri. Në raportin e ekspertëve të Komisionit Evropian, përmendet moszbatimi i Ligjit për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor i cili sipas vlerësimeve në raport përmban një dispozitë për krijimin e “një liste të përhershme të renditjes së gjyqtarëve” (neni 14), e cila rendit gjyqtarët sipas rezultateve të vlerësimit të tyre që bazohet në kriteret e vlerësimit të hartuara nga KLD-ja.
Por ekspertët kanë vënë re se kjo listë deri më sot nuk ekziston.
“Ligji për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor që rregullon vlerësimin e gjyqtarëve (neni 13), nuk trajton pozicionin dhe rolin e gjyqtarëve në procesin vlerësues. I takon KLD-së që të rregullojë detajet”, thuhet më tej në raport duke i vënë përgjegjësi KLD-së për krijimin e kësaj situate.
Nga vlerësimi kuptohet qartë që ekspertët e BE-së janë në alarm të madh për KLD-në.
Por, përpos kësaj, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duket se s’ka ndërmend të ndryshojë rrjedhën e abuzimit të ligjit, pa ndërhyrë me ligj të posaçëm Ministria e Drejtësisë.
Në mbledhjen e fundit të KLD-së Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani ka kërkuar që emërimet dhe transferimet e gjyqtarëve të shtyhen derisa ky institucion të marrë masa për të hartuar sistemin e pikëzimit në bazë të të cilit krijohet edhe lista e renditjes së gjyqtarëve. Pikërisht nga kjo listë varen edhe fatet e gjyqtarëve në rast emërimi dhe transferimi. Ky hap i Ministrit Nishani vjen pas publikimit të raportit ekipit të eksperteve për vizat, i cili ishte i shqetësuar për transparencën në gjyqësor.
Ekspertët flasin për aspektin më teknik dhe dyshimet që shoqërojnë procesin e emërimeve në shkallë të tjera të gjykatave. BE kërkon më shumë transparence KLD dhe i kërkon atij që të zbatojë sistem vlerësimi për emërimet e mëtejshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›