Manjani: Edi Rama është bërë pronar i protestave me tollona

Deklaraton ish-sekretari për çështjet ligjore në PS, Ylli Manjani
Vendimi i Edi Ramës për t’ju rikthyer protestave në muajin shtator, ka ndeshur në kundërshtimin e ashpër të anëtarëve të asamblesë socialiste. Zërat në rritje, të cilët në vijimësi i kanë treguar Ramës rrugët e duhura të cilat ai duhet të ndjekë për realizimin e oponencës ndaj qeverisë, që është debati në parlament, këtë herë duket se do mbajnë një qëndrim akoma edhe më të egër, kundrejt prirjeve të kryesocialistit për t’i degdisur ata jashtë radhëve të partisë, me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Paralajmërimi i kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, për nisjen sërish të protestave në shtator, do të jetë një tjetër aksion i dështuar i liderit të selisë rozë, sikundër ajo për transparencën e zgjedhjeve dhe rrëzimin e qeverisë. Kjo është analiza që bën anëtari i Asamblesë së PS-së, Ylli Manjani teksa e cilëson kryetarin Rama pa ide, e vizion politik. “Sot Edi Rama bën thirrje për protesta. Ky është pronar i tollonave të protestave. Ai është kryetari më pa kokë i PS, pa ide e vizion që ka marrë peng PS, politikën dhe Shqipërinë. Protesta për kë? Për çfarë? Në emër të kujt? Kjo është gënjeshtra e radhës, si ajo që do bënte transparencën e zgjedhjeve, si ajo që do rrëzonte qeverinë Berisha. Po shkojmë drejt pushtetit të përjetshëm dhe në demokraci kjo është e rrezikshme”, tha anëtari i asamblesë së Partisë Socialiste, Ylli Manjani. Për Manjanin nëse PS-ja do të vazhdojë të ndjekë strategjinë aktuale të përballjes politik; atë të përçarjes dhe mos funksionimit të koalicionit të majtë me LSI-në, atëherë ajo rrezikon që të humbasë zgjedhjet lokale të 2011-ës. “Duke qenë se PS-LSI janë të ndarë, problemet në PS thellohen, pasi çarja e votës është disavantazh për PS. Këtë e mbulonte një aleancë me LSI, por kjo është e pamundur. Gjithashtu futja e Ramës në zgjedhjet lokale për interesa private që janë të lidhura me ato personale do e dëmtojnë dhe më tej PS”, u shpreh Manjani. Nisur nga kjo analizë, Manjani thotë se përballë Partisë Socialiste mbetet vetëm një alternativë, ajo e politizimit në ekstrem të zgjedhjet lokale. Sipas tij bashkia e Tiranës e cilësuar si “Thembra e Akilit” është e vetmja alternativë e kreut aktual të PS-së. Dhe për të fituar terren politik shton ai, Ramës do t’i duhet të mbajë peng reformën zgjedhore dhe të delegjitimojë këtë proces elektoral. “Situata politike do të jetë e tensionuar në funksion të zgjedhjeve lokale. Rama do t’i bëjë presion Berishës që të lëshojë bashkinë e Tiranës në tavolinë, siç ka zëra dhe ka ndodhur me parë. Ai do të mbajë peng reformën zgjedhore, që të delegjitimojë zgjedhjet e ardhshme lokale në emër të kutive të votimit dhe transparencës”, tha anëtari socialist. Me këtë logjikë shprehet Manjani, Rama po e kthen në jofunksionale opozitën, duke riskuar edhe më tej demokracinë në parti. çarja edhe më tej brenda radhëve të socialistëve si dhe mos funksionimi i koalicionit PS-LSI do të largojnë gjithnjë e më shumë elektoratin e majtë nga kutitë e votimit, efektet e së cilës, vijon anëtari i Asamblesë së Socialistëve do të ndjehen në zgjedhjet vendore të 2011-s.
...