Presidenti serb Tadiç do vizitojë së shpejti Tiranën zyrtare
Presidenti i Serbisë, Boris Tadic pritet të vizitojë së shpejti Shqipërinë në kuadër të përmirësimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Beogradit. Lajmi është bërë i ditur nga ambasadori shqiptar në Beograd, Shpëtim Caushi në një intervistë për të përditshmen “Danas”.
Në intervistë, ambasadori Caushi sqaron se presidenti Tadiç i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë.
“Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë janë në përmirësim. Kjo frymë bashkëpunimi bilateral influencon pozitivisht në të gjithë rajonin. Në këtë kuadër, së shpejti do të ketë vizita të rëndësishme nga të dyja palët përfshirë këtu edhe vizitën e presidentit Tadic në Shqipëri”, është shprehur ambasadori shqiptar, Caushi.
Vizita do të konsiderohet historike për shkak se do të shënojë vizitën e parë zyrtare të një presidenti serb në Tiranë.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvilloi në mars të këtij viti një vizitë zyrtare në Beograd. Kryediplomati shqiptar iu komunikoi zyrtarëve të qeverisë serbe se paqja rajonale dhe bashkëpunimi mesh shteteve, është ajo që mund të afrojë perspektivën e integrimit evropian të Ballkanit.
Lidhur me çështjen e Kosovës, Tirana zyrtare e ka konfirmuar që në krye të herës se statusi i shtetit të ri është i pacenueshëm, qëndrim ky që është përforcuar së fundmi me vendimin final të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.