E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Vendimet e KLD-së dominohen nga pazaret, s’do bëj asnjë emërim deri në zbatimin e sistemit të pikëzimit

Propozimi i Ministrisë së Drejtësisë: Emërimi i gjyqtarëve vetëm sipas sistemit të vlerësimit. Gazeta “55” botoi të plotë raportin e ekspertëve të KE-së


Ministria e Drejtësisë ka ngritur shqetësimin mbi mungesën e një sistemi vlerësimi të gjyqtarëve në emërimin e tyre që duket ka nxitur dhe korrupsionin në këtë proces. Ministri Bujar Nishani i referohet për këtë dhe një raporti të fundit me tone alarmante mbi këtë çështje, të Misionit të ekspertëve të KE, që vlerëson përmbushjen e detyrimeve nga pala shqiptare, në funksion të procesit të liberalizim të vizave. Ekspertët konstatojnë se ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor përmban një dispozitë për krijimin e një liste të përhershme të renditjes së gjyqtarëve, sipas rezultateve të vlerësimit të tyre, bazuar në kritere të vlerësimit hartuar nga KLD. Një listë që sikundër citohet, nuk ekziston. Ndaj dhe ministri Nishani, nisur nga raporti dhe ajo çfarë parasheh ligji, i është drejtuar me një propozim konkret KLD-së. “Një moment që cilësohet në raport është se mungesa e vendimit të motivuar nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe fakti që nuk ka asnjë mundësi për të ankimuar këtë vendim nga ana e gjyqtarëve, nxisin spekulimet dhe mosbesimin. Ekspertët dëgjuan pretendime se vendimet dominohen nga pazaret dhe favore reciproke. Kjo shkon realisht në tërësi me perceptimin që ekziston tek qytetarët, për korrupsion në radhët e gjyqtarëve, kur vetë gjyqtarët tashmë ngrenë dyshime dhe akuza dhe gjykime se vetë procesi i emërimit apo promovimit të gjyqtarëve nuk bëhet mbi bazën e asaj që vetë ligji përcakton. Këto konstatime të këtij raporti, janë një shqetësim dhe një alarm i madh për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Natyrisht që, ky shqetësim u diskutua gjërësisht në mbledhjen e KLD-së. Nisur nga kjo situatë i kërkova KLD-së që derisa sa sistemi i pikëzimit të jetë i disponueshëm dhe i gatshëm KLD nuk do të bëjë emërimet. Ministria e Drejtësisë është e gatshme ta mbështesë KLD në hartimin e sistemit të pikëzimit duke e konsideruar si shumë të rëndësishme faktin se vendimet për emërimin e gjyqtarëve duhet të bëhen duke patuar parasysh sistemin e pikëzimit. Kjo më pas u pranua nga KLD dhe Ministria e Drejtësisë është e gatshme të ofrojë kapacitetet e saj për të përshpejtuar procesin e hartimit të këtij sistemi pikëzimi dhe sistemit të vlerësimit”- u shpreh ministri Nishani. Kreu i Drejtësisë thekson se nëse procedura hartohet sipas ligjit, kjo do të garantonte edhe funksionimin me transparencë të procesit të vlerësimit të gjyqtarëve. “Tashmë kemi një ligj mjaft të mirë dhe të miratuar me konsensus nga parlamenti, për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. Ligji përkatës përcakton që për emërimet dhe promovimet e gjyqtarëve duhet të bëhen mbi bazën e këtij sistemi. Ministria e Drejtësisë ka propozuar modele konkrete pranë KLD-së. Tashmë KLD po punon dhe duhet ta përfundojë këtë proces. Pra, nëse ne arrijmë të kemi një procedurë të konsoliduar, transparente dhe të mbështetur në përcaktime ligjore, natyrisht kjo është një derë dhe një dritare e hapur për të gjithë procesin më pas, në mënyrë që kushdo, mund të ketë palë të interesuar, të ketë mundësinë të verifikojë se si është respektuar procedura. Unë besoj se procedura është transparente, është e përcaktuar rigorozisht, ashtu siç ligji e thotë, unë besoj se të gjithë hapat e tjerë të më pasëm janë të kontrollueshëm dhe janë të verifikueshëm nga çdo palë e interesuar”- deklaroi më tej, ministri Nishani. Në raportin e ekspertëve të komisionit evropian, konstatohet gjithashtu një farë mos besimi brenda sistemit gjyqësor, mos besimi ndaj vendimeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sidomos në lidhje me disa emërime, shoqëruar me ankesa për mungesë transparence në vendimmarrje. Gazeta “55” botoi të plotë raportin e ekspertëve të KE-së Konstatimet e Brukselit, alarm i madh për Këshillin e Lartë të Drejtësisë Gazeta “55” botoi të plotë para pak ditësh raportin e ekspertëve të misionit EURALIUS, për asistencë juridike në fushën ligjore dhe atë të drejtësisë. Raporti godet rëndë sistemin megakorruptiv të organizimit të punës së sistemit gjyqësor nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Shkelje të vendimeve, shpërfillje të paprecedentë të ligjeve për emërimin dhe promovimin e gjyqtarëve, janë sipas raportit të ekspertëve, plagët e rënda të drejtësisë në Shqipëri. Në raportin e ekspertëve të Komisionit Evropian, përmendet moszbatimi i Ligjit për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor i cili sipas vlerësimeve në raport përmban një dispozitë për krijimin e “një liste të përhershme të renditjes së gjyqtarëve” (neni 14), e cila rendit gjyqtarët sipas rezultateve të vlerësimit të tyre që bazohet në kriteret e vlerësimit të hartuara nga KLD-ja. Por ekspertët kanë vënë re se kjo listë deri më sot nuk ekziston. “Ligji për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor që rregullon vlerësimin e gjyqtarëve (neni 13), nuk trajton pozicionin dhe rolin e gjyqtarëve në procesin vlerësues. I takon KLD-së që të rregullojë detajet”, thuhet më tej në raport duke i vënë përgjegjësi KLD-së për krijimin e kësaj situate. Nga vlerësimi kuptohet qartë që ekspertët e BE-së janë në alarm të madh për KLD-në. Por, përpos kësaj, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duket se s’ka ndërmend të ndryshojë rrjedhën e abuzimit të ligjit, pa ndërhyrë me ligj të posaçëm Ministria e Drejtësisë. Në mbledhjen e fundit të KLD-së Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani ka kërkuar që emërimet dhe transferimet e gjyqtarëve të shtyhen derisa ky institucion të marrë masa për të hartuar sistemin e pikëzimit në bazë të të cilit krijohet edhe lista e renditjes së gjyqtarëve. Pikërisht nga kjo listë varen edhe fatet e gjyqtarëve në rast emërimi dhe transferimi. Ky hap i Ministrit Nishani vjen pas publikimit të raportit ekipit të eksperteve për vizat, i cili ishte i shqetësuar për transparencën në gjyqësor. Ekspertët flasin për aspektin më teknik dhe dyshimet që shoqërojnë procesin e emërimeve në shkallë të tjera të gjykatave. BE kërkon më shumë transparence KLD dhe i kërkon atij që të zbatojë sistem vlerësimi për emërimet e mëtejshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›