KLD dominohet nga pazaret – të ndalet marrja e çfarëdolloj vendimi

Ministria e Drejtësisë kërkon që emërimi i gjyqtarëve të rinisë vetëm pas vendosjes së sistemit të pikësimit, pasi emërimet e deritanishme janë kryer sipas llogjikës së pazareve e tenderave, pa asnjë respekt për meritokracinë
Ministria e Drejtësisë ka ngritur shqetësimin mbi mungesën e një sistemi vlerësimi të gjyqtarëve në emërimin e tyre që duket ka nxitur dhe korrupsionin në këtë proces. Ministri Bujar Nishani i referohet për këtë dhe një raporti të fundit me tone alarmante mbi këtë çështje, të Misionit të ekspertëve të KE, që vlerëson përmbushjen e detyrimeve nga pala shqiptare, në funksion të procesit të liberalizim të vizave. Ekspertët konstatojnë se ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor përmban një dispozitë për krijimin e një liste të përhershme të renditjes së gjyqtarëve, sipas rezultateve të vlerësimit të tyre, bazuar në kritere të vlerësimit hartuar nga KLD. Një listë që sikundër citohet, nuk ekziston. Ndaj dhe ministri Nishani, nisur nga raporti dhe ajo çfarë parasheh ligji, i është drejtuar me një propozim konkret KLD-së. “Një moment që cilësohet në raport është se mungesa e vendimit të motivuar nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe fakti që nuk ka asnjë mundësi për të ankimuar këtë vendim nga ana e gjyqtarëve, nxisin spekulimet dhe mosbesimin. Ekspertët dëgjuan pretendime se vendimet dominohen nga pazaret dhe favore reciproke. Kjo shkon realisht në tërësi me perceptimin që ekziston tek qytetarët, për korrupsion në radhët e gjyqtarëve, kur vetë gjyqtarët tashmë ngrenë dyshime dhe akuza dhe gjykime se vetë procesi i emërimit apo promovimit të gjyqtarëve nuk bëhet mbi bazën e asaj që vetë ligji përcakton. Këto konstatime të këtij raporti, janë një shqetësim dhe një alarm i madh për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Natyrisht që, ky shqetësim u diskutua gjerësisht në mbledhjen e KLD-së. Nisur nga kjo situatë i kërkova KLD-së që derisa sa sistemi i pikëzimit të jetë i disponueshëm dhe i gatshëm KLD nuk do të bëjë emërimet. Ministria e Drejtësisë është e gatshme ta mbështesë KLD në hartimin e sistemit të pikëzimit duke e konsideruar si shumë të rëndësishme faktin se vendimet për emërimin e gjyqtarëve duhet të bëhen duke patuar parasysh sistemin e pikëzimit. Kjo më pas u pranua nga KLD dhe Ministria e Drejtësisë është e gatshme të ofrojë kapacitetet e saj për të përshpejtuar procesin e hartimit të këtij sistemi pikëzimi dhe sistemit të vlerësimit”, u shpreh ministri Nishani. Kreu i Drejtësisë thekson se nëse procedura hartohet sipas ligjit, kjo do të garantonte edhe funksionimin me transparencë të procesit të vlerësimit të gjyqtarëve. “Tashmë kemi një ligj mjaft të mirë dhe të miratuar me konsensus nga parlamenti, për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. Ligji përkatës përcakton që për emërimet dhe promovimet e gjyqtarëve duhet të bëhen mbi bazën e këtij sistemi. Ministria e Drejtësisë ka propozuar modele konkrete pranë KLD-së. Tashmë KLD po punon dhe duhet ta përfundojë këtë proces. Pra, nëse ne arrijmë të kemi një procedurë të konsoliduar, transparente dhe të mbështetur në përcaktime ligjore, natyrisht kjo është një derë dhe një dritare e hapur për të gjithë procesin më pas, në mënyrë që kushdo, mund të ketë palë të interesuar, të ketë mundësinë të verifikojë se si është respektuar procedura. Unë besoj se procedura është transparente, është e përcaktuar rigorozisht, ashtu siç ligji e thotë, unë besoj se të gjithë hapat e tjerë të më pasmë janë të kontrollueshëm dhe janë të verifikueshëm nga çdo palë e interesuar”, deklaroi më tej, ministri Nishani. Në raportin e ekspertëve të komisionit evropian, konstatohet gjithashtu një farë mos besimi brenda sistemit gjyqësor, mos besimi ndaj vendimeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sidomos në lidhje me disa emërime, shoqëruar me ankesa për mungesë transparence në vendimmarrje.
...