Gazeta zviceriane “NZZ am Sonntag”: Pacolli, nuk është president i ëndrrave

Gazeta zviceriane “NZZ am Sonntag”, që është suplement i së dielës i gazetës së famshme «Neue Zürcher Zeitung» shkruan se Behxhet Pacolli nuk është president i ëndrrave për shtetin e ri të Kosovës. Në botimin e radhës, kjo gazetë shkruan: “Ndërkohë 60-vjeçari, i martuar me një ruse, i cili ka fituar shumë para në Rusi dhe në fillim të luftës së Kosovës madje u takua për negociata me kryetarin serb Milosheviq, me qëllim që t`i përjashtojë fuqitë perëndimore, nuk është president i ëndrrave të shtetit të ri. Ai dyshohet se për shkak të lidhjeve të tij të mira me Moskën është “Kali i Trojës” i Rusisë, kundërshtares së pavarësisë së Kosovës”.
“NZZ am Sonntag” njofton se në shkurt 2008, Pacolli në një gazetë kroate u citua me deklaratën se Serbia ishte nënë e Kosovës. “Këtë mendim mbase nuk e ndajnë të gjithë në Kosovë. Vëzhgues në vend dhe në botën e jashtme janë të shqetësuar: Një figurë kaq shumëngjyrëshe dhe e diskutueshme gjithsesi nuk do të na ndihmojë në përmirësimin e imazhit të shtetit të ri”, thotë deputeti i parlamentit të Zvicrës Andreas Gross, i cili është njohës i zhvillimeve në Kosovë. Gross është po ashtu anëtar i Këshillit të Europës. Pasi përshkruan karrierën e Pacollit. Gazeta zvicerane nënvizon se në kantonin e Tiçinos, ku gjendet selia e firmës së tij Mabetex, ai përmes një fondacioni bamirës ka organizuar pushime dhe programe ndihmëse për fëmijët nga Lindja. Më tej gazeta shton se Pacolli mban lidhje të mira me kryeministrin Hashim Thaçi, i cili i ka mundësuar atij një tender disa milionësh. Pacolli dhe Thaçi e kanë një armike të përbashkët, shkruan gazeta, “Carla Del Ponte”. Ajo dyshon se Thaçi prej vitesh është i përfshirë në tregEtinë e organeve në kuadër të krimit të organizuar, një akuzë që së fundi u ngrit edhe nga Dick Marty. Gazeta shkruan se Pacolli deri në vitin 2008 ka qenë nën hetime në Zvicër për shkak të pastrimit të parave.