Gazetarët e Kukësit ndihmojnë një familje në varfëri ekstreme
Pas publikimit të rastit flagrant të mjerimit në një familje fshatare në Gjinaj të Hasit, ku vajza të vogla i kërcënonte dëbora dhe dimri social, të premten, në këtë familje, kanë mbërritur ndihmat e para të mbledhura në mënyrë vullnetare në Kukës. Gazetarë dhe punonjës të Radio Kukësit, të sensibilizuar për vuajtjet dhe mungesat totale të mjeteve të jetesës së familjes Dina, kanë mbledhur nga familjet e tyre ushqime, veshmbathje, detergjentë, enë kuzhine, tesha shtrati, deri edhe lodra për fëmijët. Me këtë rast, gazetarët e Kukësit i kanë blerë familjes Dinaj një televizor dhe një radio për t‘u informuar. Dy vajzat e vogla i gjetëm në shkollë. Kushtet në klasë ishin të mira, kishte ngrohje dhe një mësues u qëndronte te kryet me përkushtim. Dy motrat binin në sy për çizmet e veshura pa çorape dhe për vështrimin e pasigurt. Mësuesi i klasës na tha se dy motrat Dinaj përbënin një rast me të vërtetë të dhimbshëm. Ato frekuentojnë pothuajse rregullisht mësimet dhe kanë një përparim të mirë. "Janë pa ushqyer dhe pikërisht mungesa e ushqimit bëhet shkak për mungesat në shkollë", tha me dhimbje mësuesi. Pasi morëm leje në shkollë për vajzat, u drejtuam në lagjen Dinaj, ku Jakup Dina fillimisht refuzoi të pranonte gazetarët. "Po më koritni bre burra, nuk kam asgjë për t‘ju qerasur, as gotë për ujë nuk kam, as një stol ku të uleni, asgja...", tha i prekur Jakupi. Asnjëherë dhe askush nuk ka shkelur në shtëpinë e tyre që prej shtatë vitesh. Megjithatë mes Kimetes 11 vjeçe, Hanifes 9 vjeçe dhe gazetarëve u vendos një lidhje e ngrohtë. "Ky është shkopi magjik, kaq shumë sende kurrë nuk kam pasur", tha Kimetja 11-vjeçare. "Për herë të parë po shoh kaq sende për jetesë në shtëpinë time", tha Jakupi, ndërsa vajza e vogël, Hanifja, pasi u kënaq me disa lodra, kërkoi leje nëse mundet të piqte një patate, sepse kishte shumë uri. Ata kurrë nuk kishin pasur radio e televizor dhe as dinin t‘i përdornin. Dy vajzat e mitura ndjeheshin si në përrallë. Gazetari i Radio Kukësit dhe BBC-së, Jonuz Hallaçi, i prekur thellë nga rasti Dinaj tha se "po bindem që shoqëria dhe shteti janë të shurdhër ndaj njeriut, ndaj familjeve që e kanë vështirë të ekzistojnë. Gazeta ‘Shqip‘ na dha tablonë reale, prej së cilës duhet t‘i vijë turp Shqipërisë moderne". Raste të tillë të mjerimit ekstrem në Rrethin e Kukësit dhe Hasit nuk mungojnë.