E Diel, 1 Nëntor 2026

Poliçan, fëmijët e ngujuar mbeten pa bukë

Përveç mungesës së trajtimit psikologjik, për të cilin ata kanë nevojë, instituti ka mbetur prej kohësh edhe pa ushqime dhe janë banorët e qytetit të Poliçanit që kontribuojnë në mënyrë vullnetare për t‘i mbajtur gjallë me ndihma. Fëmijët janë të pafajshëm, por kanë lindur të dënuar nga një rit mesjetar që ende mbijeton në realitetin modern shqiptar. Tre vjet më parë, kur qendra u hap, u duk vullneti i mirë për të parandaluar gjakmarrjen, apo për të rehabilituar fëmijët e ngujuar, por situata sot është e rëndë. Veç kushteve të këqija, ushqimet për fëmijët sigurohen duke marrë me listë në dyqanet e zonës. Mes këtyre të miturve që shteti duhet të përkujdesej për ta, është edhe një vogëlushe, fëmijë dëshmori. I ati, punonjës policie, mbeti i vrarë gjatë një aksioni për kapjen e një të shumëkërkuari. Në operacion mbeti i vrarë edhe i kërkuari, dhe prej asaj kohe, familja e policit është e ngujuar. Këta fëmijë nuk kanë dalë nga shtëpia, nuk janë argëtuar e nuk kanë gëzuar si bashkëmoshatarët e tyre. Të privuar nga të gjitha liritë dhe të drejtat e tyre, ata nuk kanë nevojë vetëm t‘u garantohet jeta, por së pari për trajtim psikologjik. Por në këtë institut mungon thuajse gjithçka. Shërbimi i kualifikuar, kushtet e jetesës e madje edhe ushqimi. Të ikur nga një ferr, ata kanë ardhur në këtë institucion shtetëror, thuajse në një ferr tjetër. Problemi, sipas kryetares së Shoqatës së Fëmijëve të Ngujuar, është ngritur që në vitin 2007, atëherë kur Liljana Luani, nga Dukagjini, dhe që mbledh fëmijët në këto zona, paditi në prokurori, kryetarin e bashkisë.
"Kam paditur direkt kryetarin e bashkisë që ka përvetësuar fondet dhe ka lënë fëmijët pa bukë. Është çelur një fond vetëm një herë nga Ministria e Punës, herët e tjera nuk ka ardhur dhe paratë kanë shkuar në pushtetin lokal", u shpreh Luani. Por kryetari i bashkisë, Adriatik Zotka, ngre pretendimin e tij. "Të gjitha fondet janë akorduar nga ministria dhe ne nuk kemi pjesë në këtë projekt", u shpreh Zotka. Fëmijët mbajnë në dhomat e tyre foto të Nënë Terezës në lutje, me shpresën se mbase do t‘i shpëtojnë vdekjes, por edhe se shteti ndoshta ka për t‘i kthyer sytë nga ata.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›