E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit e anglishtes, amerikanë

Nxënësit shqiptarë do të ishte më mirë që ta mësonin gjuhën angleze në shkolla nga mësues që këtë gjuhë e kanë të nënës, pra të jenë britanikë ose amerikanë. Dhe, për një pjesë, kjo gjë duket se do të bëhet e mundur duke pasur si mësues të kësaj gjuhe të huaj me përhapje ndërkombëtare, pikërisht disa amerikanë. Do të jenë vullnetarët e Korpusit të Paqes që operojnë në Shqipëri që do të shpërndahen në shkolla të ndryshme për të dhënë mësim direkt te nxënësit, por edhe për të trajnuar mësuesit shqiptarë të anglishtes. Dje, në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, sekretarja e përgjithshme Antoniela Luli dhe Hill Denham, drejtor i Korpusit të Paqes, nënshkruan dy Memorandume Mirëkuptimi. Njëri prej dokumenteve të firmosura lidhet me mësimdhënien angleze. Ndërsa tjetri ka të bëjë me edukimin shëndetësor në shkolla, por kjo do të jetë pjesë e së ardhmes. "Është shumë e rëndësishme, u shpreh drejtori i Korpusit të Paqes, që nxënësit të mësojnë anglisht nga mësues që këtë gjuhë të huaj e kanë gjuhën e nënës". Hill Denham theksoi më tej se Korpusi i Paqes ka pajisur shkollat edhe me metoda të anglishtes për të mësuar në mënyrë interaktive. Memorandumi i parë i Mirëkuptimit është një rinovim i marrëveshjes midis dy institucioneve, nënshkruar në vitin 2003, e cila autorizon vullnetarët e Korpusit të Paqes që të punojnë në shkollat e mesme dhe në universitete si mësues apo trajnerë të mësuesve në departamentet e gjuhës së huaj angleze të këtyre institucioneve.

Për sa i përket Memorandumit të dytë, Denham u shpreh se mesazhi kryesor i këtij edukimi është parandalimi i sëmundjeve. Kjo është një marrëveshje e re midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Korpusit të Paqes për programin e këtij të fundit për edukimin e nxënësve ndaj shëndetit. Kjo marrëveshje do t‘u japë akses vullnetarëve të Korpusit të Paqes që të punojnë në shkollat bazë dhe të mesme mbi projektet e lidhura me shëndetin.

Qëllimet kryesore të Memorandumeve ndër të tjera janë: mësimdhënia e gjuhës angleze për të zhvilluar mendimin kritik; rritja e aftësive të mësuesve në gjuhën angleze; ideimi dhe vlerësimi i aktiviteteve të edukimit shëndetësor; rritja e njohurive dhe aftësive të edukatorëve të shëndetit në transmetimin e informacionit edukativ shëndetësor. Por njëkohësisht edhe përmirësimi i aftësive menaxhuese dhe planifikuese të edukatorëve të shëndetit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›