E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazetarët francezë: Shqiptarët ranë në sy vetëm kur gabuan!

Samir Ujkani meriton notën 3 në ndeshjen e së premtes mbrëma ndaj gjelave: Ish-portieri i Palermos kaloi një mbrëmje të komplikuar në Stade de France. Dukej qartë se këtij portieri i mungonte vetëbesimi dhe kishte probleme në pozicionim dhe zotërimin e topit. Mënyra e reagimit të tij në golat e realizuar nga Remi (38) dhe Réveillère (66) ishte e turpshme për një portier profesionist. Të dy këta gola erdhën për faj të tij.

Dallkun e kanë vlerësuar me notën 3.5: Mbrojtësi 28-vjeçar i kombëtares së Shqipërisë nuk u vu re fare në këtë takim. Ra në sy vetëm kur gaboi! Së pari, me mosveprimin e tij e lejoi topin të parakalonte zonën e portës së Shqipërisë dhe të shkonte te Maluda (11), që realizoi golin e parë pa shumë vështirësi. Ky moment shënoi startin e një ndeshjeje të dobët të Dallkut, për tu pasuar më tej me një bollëk gabimesh prej tij.

Lorik Cana është vlerësuar me notën 3.5: I njohur edhe për publikun francez, ish-kapiteni i Olimpikut të Marsejës u mundua shumë, por rezultoi një kopje jo e plotë e performancave të tij në kampionatin francez. Pavarësisht nga frymëzimi i mirë për ta treguar veten ndaj Francës, spikati vetëm një ndërhyrje vendimtare e tij, kur ia preu rrugën Nasrisë, që po shkonte drejt golit (7).

Vangjelit i është vënë nota 3: Ka qenë i detyruar të patrullojë kryesisht në prapavijë, për shkak se ish-mbrojtësi i Arisit të Selanikut e ka pasur shumë të vështirë duelin me Reminë. Paraqitja e tij në ndeshjet e shkuara ka qenë përgjithësisht e ngazëllyer, por kësaj here ka stonuar, si e gjithë skuadra e tij.

Lila vlerësohet me notën 3: Si Cana dhe Dallku, 22-vjeçari ishte shumë i vrazhdë në ndërhyrjet e tij. Ai kishte si detyrë të markonte Gomisin, por ky i fundit u pa shpeshherë i lirë për të lëvizur para portës shqiptare.

Për Odise Roshin, nota 4: Mesfushori i Këlnit ishte një nga më të fortët në pjesën e parë për Shqipërinë. Ai është autor i një goditjeje prej lojtari të madh, që u shmang nga Loris (39). Niveli i tij ra gjatë 45 minutave të dyta.

Duro vlerësohet me notën 3.5: Një përparim individual në zonën franceze (31) dhe pastaj … asgjë. Nuk u pa më në fushën e lojës. Lojtari, që është rikthyer së fundi te Tirana, mori pjesë në detyrat mbrojtëse. Kur duhej të dilte në fazë ofensive Shqipëria, çdo nisje e topit nga këmbët e tij vërtetonte mungesën e efektshmërisë.

Hyka ka marrë notën 4.5: Foli me këmbë shumë herët në lojë. Ishte padyshim një nga lojtarët më të shquar të Shqipërisë përgjatë 90 minutave, edhe pse nuk arriti të triumfojë asnjëherë ndaj mbrojtjes së bluve. Hyka ishte diçka më lart se shokët e tij të skuadrës. U zëvendësua nga Bakaj (63).

Muzaka vlerësohet me notën 3: Nuk tregoi absolutisht asgjë. Shumë i ngathët në shërbimin e topit. Një takim për tu harruar për të. U zëvendësua nga Januzi (73).

Lika meriton notën 4.5: Realizoi një të shtënë të bukur nga distanca, që u prit në pozicion nga Loris (16). 24-vjeçari nuk e ka pasur shumë topin në posedim, sepse ka luajtur mjaft i tërhequr, por kishte meritën se luftoi pa pushim, duke treguar gjëra të bukura. Hapi rrugë për Lilajn (81).

Për Salihin, nota 3: Dukej krejtësisht i braktisur në ballë të sulmit shqiptar. Lojtari i Rapidit të Vjenës ka përjetuar momente tipike ankthi për një sulmues në Stade de France.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›