Tirana, një ndeshje me shumë dilema për kuqeblutë
Sfida e javës së pestë do të jetë një test shterues për stafin teknik, por edhe për lojtarët kuqeblu
Nga Gjergj KOLA
Në opinionin sportiv shkodran, natyrisht që pritet me interes ndeshja e ardhshme me Tiranën. Luhet ndaj njërës prej skuadrave kryesuese të kampionatit, përballë Tiranës me më shumë trofe në futbollin shqiptar dhe, mbi të gjitha, në Loro Boriçi do jetë rivali i përjetshëm i kuqebluve. Bardheblutë e kryeqytetit duken më të qetë në këtë pragndeshje, sepse, në fund të fundit, edhe po të humbasin në Shkodër nuk bëhet qameti. Në një rast të tillë, do ti mundte një skuadër me emër si Vllaznia, në fushën e vet. Një situatë krejt ndryshe ekziston në kampin tjetër. Për kuqeblutë nuk ka rrugë tjetër veç fitores në këtë takim. Vllaznia, gjatë katër javëve të para të kampionatit, është treguar e brishtë në momente të veçanta, duke mos treguar potencialin e saj të vërtetë. Duke mos u shpalosur para kundërshtarit me të gjitha vlerat e saj më të mira, ajo ka ngritur pikëpyetje edhe tek tifozët kuqeblu. Nisur nga kjo, në Shkodër kanë jo pak dyshime për ndeshjen e radhës me Tiranën, por edhe për të ardhmen e mëtejshme të kësaj Vllaznie. Ka mendime se kuqeblutë do të jenë pretendentë në këtë sezon, por kjo nuk po reflektohet në fushën e lojës deri më tani. Specialistë të ndryshëm mendojnë se Vllaznia, nëse nuk ka forcë ti imponohet një kundërshtari debutues në superligë, si Kamza, kjo do të thotë se do të ketë jo pak probleme me sfidantë të tjerë të një rangu më të lartë. Prandaj, edhe sfida me Tiranën konsiderohet shumë e rëndësishme. Nëse ajo fitohet, gjërat do të shkojnë në normalitetin e duhur dhe do të nisin pa kokëprerje përgatitjet për transfertën pasuese në Vlorë. Në të kundërt, sidomos në rast humbje me bardheblutë në Loro Boriçi, gjërat do të përkeqësoheshin. Një rast i tillë hipotetik do të vinte në dyshime serioze edhe stafin drejtues. Deri më tani ka pasur kritika për lojtarëtë veçantë të skuadrës kuqeblu, se nuk po japin rendimentin e duhur dhe të pritshëm gjatë këtyre javëve. Po ashtu, në ndonjë rast ka edhe ndonjë kritikë për stafin drejtues, megjithatë, ajo që do të vendosë vulën në këtë drejtim, duket se do të jetë ndeshja me Tiranën. Krerët e bashkisë, ata që po drejtojnë aktualisht Vllazninë, e kanë kaluar disi në heshtje humbjen me Kastriotin, duke ia lënë stafit teknik ta bëjë analizën e saj. Në njëfarë mënyre është bërë një sy qorr e një vesh shurdh për këtë dështim, por smund të përsëritet falja më tej. Me siguri, në rast dështimi edhe në ndeshjen ndaj Tiranës, të gjithë, staf teknik dhe lojtarë, do të kalojnë në sitë. Dhe pastaj nuk dihet se cili e kalon klasën dhe cili jo.
Optimizmi kuqeblu Por, në fakt, në kampin shkodran nuk mungon optimizmi në prag të kësaj klasikeje me Tiranën. Askush nuk e çon nëpër mend disfatën në këtë 90-minutësh, pavarësisht vështirësisë maksimale që paraqet kundërshtari. Dëshira dhe karikimi i të gjithëve, lojtarë, staf teknik dhe tifozëri, është për një fitore të Vllaznisë, në mënyrë që ajo ti arrijë me pikë bardheblutë dhe ta zbukurojë kampionatin. Mundësitë për këtë janë, i ka pohuar vetë trajneri Mirel Josa në prononcimet e javës që po mbyllet. Edhe futbollistët kuqeblu e kanë shprehur qartë se mes tyre dhe Tiranës nuk ka diferenca. Përderisa nuk ka të tilla, përderisa luhet në Loro Boriçi, nën mbështetjen e tifozërisë së zjarrtë shkodrane, i bie që Vllaznia të fitojë. Për ti kënaqur të gjithë në qytetin verior, për tu vënë kapak fjalëve që qarkullojnë për masa, gjobitje apo edhe ndëshkime ekstreme.