E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iliria ka edhe fatin kundër, humbja e radhës me Mamurrasin

Nga FATMIR THAÇI

Iliria Mamurrasi 1-2

Shënues: Lama 81 / Allamani 30, Metaj 50 (11-metërsh)

Iliria: Baku, Shkëmbi, Balliu, Gjokeja, Ujka (Doku 46), Selaci, Ziri (Kurti 46), Mitraj (Caca 60), Lama, Bejko, Tali.

Trajner: F. Sala.

Mamurrasi: Myrta, Noka, Baçi, Matralla, Shima (Hysaj 74), Sharra, Dosti, Dashi (Dema 87), Metaj, Rustemi (Gecaj 59`), Allamani. Trajner: S. Bardhi.

Gjyqtarë: A. Lulaj, E. Rrapi (Vlorë), I. Tartari (Fier)

Kartonë të verdhë: Baku, Ziri, Lama, Matralla, Sharra.

Karton i kuq: Gjokeja

Iliria është lodhur shumë, sidomos në pjesën e dytë, kur ka luajtur  me 10 lojtarë, por sërish nuk ka mundur të marrë asnjë pikë, edhe pse e meritonte ndaj Mamurrasit. Fati këtë radhë nuk ka qenë me fushëkrujasit, të cilët iu afruan disa herë golit të barazimit, por portieri Myrtaj, me disa pritje të shkëlqyera, ua ka mohuar këtë kënaqësi futbollistëve të Ilirisë.

Pjesa e parë Në fillim janë miqtë që rrezikojnë, duke treguar se me çfarë ambicjesh kanë ardhur në Krujë. Megjithatë, shumë shpejt skuadra e Ilirisë merr frenat e lojës në dorë dhe ushtron presion të vazhdueshëm në portën e Myrtajt, por pa mundur të shënojnë. Sulmuesit fushëkrujas shpërdorojnë pafundësisht raste nga më idealet. Vetëm se në futboll ndodh shpesh që ndëshkohesh kur shpërdoron. E kjo ndodh edhe me Ilirinë në minutan e 30-të, kur Allamani, nga më të mirët në fushë, përfiton nga një gabim i mbrojtjes vendëse, që e kujton në pozicion jashtë loje. Ai shmang edhe portierin e më pas e dërgon topin në rrjetë. Kaq mjafton që skuadra të dalë jashtë detyrave të dhëna nga trajneri, duke mos shmangur edhe rastet e nervozizmit. Pikërisht në një rast të tillë, në minutën e 45-të, gjyqtari Lulaj ndëshkon me karton të kuq kapitenin Gjokeja, duke e lënë Ilirinë me 10 vetë.

Pjesa e dytë Trajneri Sala bën dy zëvëndësime, duke synuar freskimin e skuadrës, por pa kaluar as 5 minuta, Allamani, në një aksion personal, pengohet brenda zones dhe fiton një 11-metërsh, që e kthen në gol Metaj. Ndryshe nga goli i parë, këtë rradhë futbollistët e Ilirisë nuk e humbasin toruan, por mobilizohen më shumë. Ata hidhen në sulm, pasi nuk kanë çfarë të humbasin. Sërish raste pa fund në zonën e Mamurrasit, që shpërdorohen sa për mungesë të qetësisë, aq edhe për meritë të portierit Myrtaj. Vetëm në minutën e 81-të Lama do të ndezë shpresat për barazimin, duke shënuar një gol mjaft të bukur. Por koha e mbetur është e paktë dhe Iliria humbet përsëri. Pak minuta pas  golit të Ilirisë, një mbrojtës mik, në tentativë për të larguar një top që po shkonte drejt portës, e tërheq me dorë, por për gjyqtarin Lulaj gjithçka është e rregullt. Një moment i dyshimtë që i ka nervozuar futbollistët e Ilirisë, të cilët në minutat e mbetura kanë luajtur pa qetësinë e nevojshme, që mund të sillte edhe golin e barazimit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›