Gazetarët, kundër gjobës ndaj Top Channel-it, rrezikon gazetarinë investigative
Unioni i Gazetarëve është ngritur kundër vendimit të Gjykatës për gjobitjen e televizionit “Top Channel”, vendim i cili vë në rrezik gazetarinë investigative. Çështja “Pango” rikthehet përsëri në vëmendjen e opinionit publik shqiptar. Fill pas disa muajsh ku prindër, të rinj e të reja u qetësuan që raste të tilla do të merrnin më në fund “dënimin” e merituar edhe në vendin tonë, bëhet publik vendimi i gjyqtarit të Gjykatës së Faktit Tiranë, Agim Bendo. Gjyqtari ka vendosur që televizioni “Top Channel” duhet t’i paguajë ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, një gjobë prej 400 mijë eurosh për shkelje të privatësisë. Duke marrë shkas nga ky vendim, Unioni i Gazetarëve ka iniciuar një seri diskutimesh në tryezë të rrumbullakët, me qëllim gjetjen e një rrugëzgjidhjeje për mbrojtjen e medias në Shqipëri. “Vendimi i Gjykatës së Tiranës ka një bazë joligjore. Gjyqtari Bendo mbështetet në vendimin e prokurorisë, dhe jo vetëm kaq, por ka marrë vetëm pjesën që i takonte për të mbrojtur ish-ministrin”, - tha Filip Çakuli, drejtor i emisionit investigativ “Fiks fare”. Sipas tij, gjykata nuk e njeh se çfarë përfaqëson gazetaria investigative, për këtë arsye çështja ka marrë këtë drejtim. Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin gazetarë, juristë, kostitucionalistë të njohur, si edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ky takim kishte në fokus propozimin e ideve dhe opinioneve të ndryshme, me qëllim “përmbysjen” e vendimit të Gjykatës së Tiranës, që sipas tyre po kërkon të intimidojë gazetarinë investigative në Shqipëri. Përveç kësaj, Unioni i Gazetarëve theksoi njëzëri se ky vendim përbën një precedent të rrezikshëm, kështu që duhet të gjendet një rrugë e mesme për të mbrojtur mediat e lira. “Ne nuk jemi këtu për të verifikuar apo për të diskutuar mbi provat e kësaj çështjeje, por për të ndërmarrë një aksion në ndihmë të gazetarëve dhe medias së lirë. Ne si Union i Gazetarëve do të ftojmë disa prej organizatave më prestigjioze në botë të monitorojnë dhe të ndjekin hap pas hapi procesin gjyqësor, si dhe do të kërkojmë nga autoritetet më të larta ligjore dhe institucionale të vendit ta ndjekin me vëmendje precedentin e peticionit të grupit të gjyqtarëve ndaj Top-Channel-t. Reagimet e komunitetit të gazetarëve shqiptarë sapo kanë nisur”, - tha kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa.
Nga ana tjetër, kryeredaktori i departamentit të informacionit në Top Channel, Mentor Kikia, theksoi: “Mendoj se në të tilla situata propozimet duhet të jenë konkrete. Nëse të gjithë biem dakord, unë propozoj që të manifestojmë përpara Gjykatës së Faktit të Tiranës. Manifestime të këtij lloji janë bërë edhe herë të tjera në vendin tonë, vetëm se kësaj here situata do të jetë edhe më e rëndë, sepse do të protestojmë përpara institucionit që synon vendosjen e drejtësisë në vend”.
Pjesë e këtij takimi ishin edhe analistët Andrea Stefani, Arbër Zaimi, Adri Nurellari, Përparim Kabo. E megjithatë, në atë tryezë nuk mund të mungonin edhe juristë të njohur, si: Vjollca Meçaj, drejtore Ekzekutive e KSHF-së, Blerta Kraja, Njazi Jaho, Ilir Dhima, si edhe sociologu Gëzim Tushi.
26 Qershor 2010