E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Nisim protestat nëse nuk ka kompromis për transparencën”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dje ka paralajmëruar se opozita do të vazhdojë protestat nëse nuk ka dialog me maxhorancën për gjetjen e kompromisit për transparencën. Rama i bëri të qartë qeverisë se nuk mund të zhbëjë nismën e opozitës për të nxjerrë të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Lideri i opozitës shprehu shqetësimin edhe për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, të cilat janë propozuar vetëm me vullnetin e maxhorancës. Sipas Ramës, vota për zgjedhjen e personave kandidatë për një funksion të caktuar është e fshehtë, dhe është e drejtë e çdo deputeti të shprehë lirshëm pëlqimin ose mospëlqimin e tij.
Transparenca
Lideri i opozitës i ka bërë të qartë maxhorancës, kryesisht kryeministrit Sali Berisha, se misioni i opozitës për transparencën nuk do të zmbrapset. “Nuk ka asnjë dyshim se sot kauza jonë është më e qartë dhe më e prekshme se dje dhe se këto negociata jo vetëm që nuk e kanë zbehur atë, por e kanë bërë edhe më prezent shqetësimin tonë në të gjitha nivelet. Sikundër e kanë bërë më të fortë vetëdijen tonë që jo vetëm të mos bëjmë asnjë milimetër mbrapa, por të bëjmë të tjera përpara”, - u shpreh Rama, duke shtuar: “Sa herë ka një dritare për komunikim që të gjendet zgjidhja, ne menjëherë të fokusohemi te ajo dritare; sa herë të krijohen kushtet për t’u ulur në tavolinë, menjëherë të ulemi në tavolinë, sepse kërkojmë zgjidhjen dhe nuk e kemi këtë çështje një alibi për pushtet. Por e kemi këtë çështje një vetëdije në funksion të një Shqipërie europiane dhe normale që nuk është Shqipëria sot”. Kryesocialisti siguroi se kriza politike nuk e kushtëzon liberalizimin e vizave. “Sigurisht që ka ekzistuar dhe ekziston shqetësimi që degradimi i mëtejshëm i situatës për shkak të thellimit të krizës mund të krijojë shqetësim kërcënues edhe për këtë proces. Ky shqetësim ka qenë shprehje e domosdoshmërisë që kjo të mos ndodhë”, - tha Rama.
Rregullorja
Partia Socialiste vijon të kundërshtojë ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, pasi sipas saj, votimi i hapur i dekreteve presidenciale cenon pavarësinë e votës së deputetit. “Këto janë ndryshime themelore të kushteve të bashkëjetesës mes pushtetit dhe opozitës në sallën e një kuvendi, i cili është përditë e më shumë kazerma e Sali Berishës dhe e postkomandantes Jozefinë dhe gjithmonë e më pak Parlamenti i Shqipërisë dhe i shqiptarëve”, - tha Rama. Kryesocialisti deklaroi se PS-ja do të reagojë me të gjithë forcën e nevojshme ndaj këtij pushteti në dëm të drejtësisë. Ai tha se ky reagim do të diskutohet në Grupin Parlamentar socialist. “Jam i bindur që do të jetë një reagim i fortë dhe i barasvlershëm me aktin brutal, jo si shprehje brutaliteti, po si shprehje e filozofisë sonë të rezistencës ndaj këtij pushteti që kërkon ta kthejë Shqipërinë në një mbretëri të pashpallur, por që ne nuk do ta lejojmë”, - u shpreh Rama.

Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe intensifikojnë marrëdhëniet dypalëshe

Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje në një takim zyrtar ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah Bin Zayed Al Nahyan. Gjatë takimit, dy homologët i vlerësuan si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shprehën gatishmërinë dhe vullnetin e qeverive përkatëse për një intensifikim të mëtejshëm të tyre, si në planin dypalësh, ashtu dhe në atë shumëpalësh. Në mënyrë të veçantë u bisedua mbi zgjerimin konkret të bashkëpunimit ekonomik, sidomos në fushën e investimeve. Meta dhe Abdullah Al Nahyan shprehën mirëkuptimin për plotësimin e kuadrit ligjor të bashkëpunimit me nënshkrimin së shpejti të Marrëveshjes për mbrojtjen dhe nxitjen e investimeve; Marrëveshjes për heqjen e taksimit dyfishtë; Marrëveshjes për bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe teknik; Marrëveshjeve për transportin detar dhe ajror; Marrëveshjes për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit; Marrëveshjes për bashkëpunimin arsimor. Gjithashtu, Meta ftoi qeverinë dhe investitorët arabë për të qenë më të pranishëm në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare si dhe në procesin e privatizimit. Ministri arab ndodhej në Tiranë, ku mori pjesë në ceremoninë e përurimit të Aeroportit të Kukësit, i cili mori emrin e tij. Meta nënvizoi se vënia e emrit të Lartësisë së Tij, Sheik Zayed Bin Sultan Al Nahyan, aeroportit të dytë në Shqipëri, bëhet në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për kontributin që EBA kanë dhënë në Shqipëri, por edhe për popullin e Kosovës. Gjatë fjalës së tij, Sheik Abdullah Al Nahyan shprehu krenarinë e tij për përfundimin e Aeroportit të Kukësit, duke e cilësuar atë si një dëshmi të qartë të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe të ndjenjave vëllazërore mes dy popujve.

26 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›