E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetarët shqiptarë në punë të zezë e mungesë lirie

“Vazhdon të mbetet gjendja e keqe e punës pa kontrata, pa sigurime dhe pa një status juridik në institucionin, entin apo organin e shtypit ku ushtrojmë në përditshmëri profesionin tonë. Në këtë ditë botërore të Shtypit gazetarët shqiptarë vazhdojnë të mbajnë në fuqi mungesën e tyre të solidaritetit për të reaguar dhe për të mbyllur epokën e informalitetit”, thuhet në njoftimin e shpërndarë sot nga ky Union.

Sipas deklaratës, gjatë muajve korrik-shtator-2009, në 25 gazetat ditore të vendit janë larguar nga vendi i tyre i punës 23 gazetarë. “Askush nuk ka dhënë llogari për largimin arbitrar të tyre nga vendi i punës, por as 23 gazetarët nuk kanë ditur si ta gjejnë rrugën për të reaguar ndaj këtij arbitrariteti i cili në ndonjë rast është i pakrahasueshëm me sjelljet që administrata publike bën ndaj punonjësve të pambrojtur”, thuhet më tej.

Unioni i Gazetarëve paraqet disa nga problemet e përditshme që i shoqërojnë gazetarët. Në 27 media të printuara dhe audiovizive të vendit, vazhdon të mbetet në fuqi inkorektesa për pagesat mujore të gazetarëve dhe stafeve mediatike. Në gjithë tregun mediatik shqiptar vijon epoka e mosvlerësimit financiar të punës krijuese dhe mendimit autentik të autorëve të njohur e të panjohur të publicistikës shqiptare. Nuk funksionon normalisht dhe sistematikisht sistemi i pagesave me honorary. Problem i shpërblimit të së drejtës autoriale në mediat shqiptare mbetet një ndër problemet më të patrajtuara dhe që përbën edhe thelbin e informalitetit që mbizotëron në marrëdhëniet tona të punës.

“Në këtë pamje skllavëruese, në ditën e sotme Botërore të Shtypit, liria e shtypit shqiptar është e varfër dhe sipas gjasave do të vazhdojë të mbetet e tillë dhe e munguar. Ajo është një liri e përdorur prej interesave individuale  dhe grupale, një liri që jep prova paskrupullsie dhe deformimi të përsëritshëm. Kjo liri do të vazhdojë të mbetet e tillë, e varfër dhe e munguar, derisa gazetari shqiptar të jetë skllav e rob i punës në të zezë, një profesionist i lidhur prej hallit të të qenit individ social dhe në mëshirë të administratorëve mediatikë që vetëm konceptin për lirinë e mendimit, lirinë e mediave dhe të gazetarit nuk e kanë pasur e fatkeqësisht nuk e kanë”, thekson deklarata me rastin e kësaj ditë të shënuar.

Unioni i gazetarëve Shqiptarë në këtë ditë simbolike, gjen rastin për të ripërsëritur apelin për solidaritetin tonë të munguar. “Liria jonë fillon tek reagimi ynë, për të qenë bashkë në kërkesën natyrale për ta kthyer Shqipërinë dhe tregun mediatik të saj, një treg me rregulla dhe standarde evropiane. Prej sot e më tej ne kemi më shumë shanse për të fituar lirinë institucionale në shtyp dhe më media!”, përfundon reagimi.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›