E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rio de Zhaneiro organizon Olimpiadën 2016

Për të parën herë në histori, Olimpiada do të zhvillohet në Amerikën e Jugut. Rio de Zhaneiro është përzgjedhur si qyteti organizator i Lojërave 2016, pasi triumfoi në "sprintin final" me Madridin (kryeqyteti spanjoll humbet për herë të tretë). I paevitueshëm gëzimi në sheshet e "Qytetit të Mrekullueshëm", në momentin e zyrtarizimit. Dhjetëra-mijëra njerëzit e mbledhur në plazhin e Kopakabanës, për festën e organizuar nga Bashkia e Rios dhe miliona brazilianët që e ndoqën nëpërmjet televizorit mbledhjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në Kopenhagen shpërthyen në brohoritje. Nuk munguan karnavalet spontane për këtë eveniment, me shkollat e sambës që pushtuan rrugët. Një flamur gjigant, 2200 metra katrorë dhe me peshë 800 kilogramë ku shkruhej "Rio loves you", u shpalos në rrugë dhe i mbajtur nga mijëra persona që festonin shëtiti në plazhet e Kopakabanës. Lot gëzimi edhe për të madhin Pele, i cili ishte personaliteti i dytë më i rëndësishëm i delegacionit brazilian, pas presidentit Inacio Lula. Legjenda e "seleçaos" dhe e futbollit botëror deklaroi: "Kam qenë gjithmonë në skuadrën fituese dhe për këtë dua të falënderoj Zotin". "O Rei" vazhdoi: "Kemi punuar shumë, mendoj se është një sukses i merituar, jo vetëm për Brazilin. Madridi? Shpresoj që të fitojnë radhës tjetër". Dëshpërohet Çikago, së cilës nuk i mjaftoi as mbështetja e Presidentit të SHBA-së, Barak Obama. Shtëpia e Bardhë e cilësoi "një zhgënjim" faktin që qyteti amerikan nuk u zgjodh organizator, ndërsa nëpër sheshe pllakosi heshtja. Edhe pse cilësohej si favoritja absolute, Çikago u eliminua në seksionin e parë të votimeve, ku morën pjesë 94 nga 95 anëtarë me të drejtë vote të CIO-s. Ndërkohë, në votimin e dytë u eliminua Tokio.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›