E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja kuqezi, miqësore me Estoninë më 14 nëntor

Ende pa përfunduar eliminatoret e Botërorit 2010, FSHF dhe trajneri Josip Kuzhe po punojnë për edicionin e ardhshëm futbollistik, Kampionatin Europian. Për të përgatitur sa më mirë skuadrën kuqezi për eliminatoret e Euro 2012, të shtunën, më 14 nëntor, Shqipëria do të zhvillojë një ndeshje miqësore me Estoninë. Kjo është data e parë e parashikuar nga FIFA për zhvillimin e ndeshjeve "play-off" në zonën europiane, ku do të përcaktohen katër skuadrat e vendeve të dyta në grupe, që do të shkojnë në Afrikën e Jugut. Ndeshja do të luhet në shtetin me territor 45227 kilometra katrorë, në kryeqytetin Talin. Shtëpia e përfaqësueses estoneze të futbollit është stadiumi "Lilekula", me kapacitet rreth 9700 vende. Kjo miqësore shihet si një test i mirë përgatitor për skuadrën e Kuzhesë, duke qenë se kundërshtarët janë të një niveli më të dobët se Shqipëria. Një mundësi e mirë për të eksperimentuar me lojtarët dhe me skemat e ndryshme të lojës së kuqezinjve. Lojtarët më të mirë të përfaqësueses së drejtuar nga trajneri Tarmo Rutli janë mbrojtësit Ragnar Klavan (Az Alkmar) dhe Enar Jager (Askoli). 30-vjeçari Raio Piroja, i cili militon me Fredrikshtad në elitën e futbollit norvegjez, mban shiritin e kapitenit, ndërsa 31-vjeçari Andres Oper është golashënuesi më i mirë në historinë e skuadrës, me 35 gola në 114 ndeshje. Rezultati më i mirë që Estonia ka arritur së fundmi është barazimi 0:0 me Portugalinë, në miqësoren e 10 qershorit 2009. Në eliminatoret e Kupës së Botës 2010, kjo skuadër renditet e pesta në Grupin 5: në 8 ndeshje kanë grumbulluar 5 pikë, duke shënuar 7 dhe pësuar 22 gola. Në këtë grup luajnë edhe Spanja, Bosnjë-Hercegovina, Turqia, Belgjika dhe Armenia.

Ndërkohë, federata ka zbardhur programin stërvitor të Kombëtares, për grumbullimin 8-ditor përpara ndeshjes së fundit në grup me Suedinë. Skuadra do të përgatitet në Frankfurt të Gjermanisë dhe prej së martës së ardhshme (më 6 tetor) do të akomodohet në hotelin "Residenz Limburgerhof", ndërsa pasdite do të zhvillojë seancën e parë stërvitore. Ngarkesa fizike do të jetë e plotë në dy ditët në vazhdim, ndërsa më datë 9 është parashikuar vetëm një stërvitje. Të shtunën, më datë 10, kuqezinjtë do të luajnë miqësoren me Greuther Furthin (ora 15:00). Më 13 tetor, vetëm 24 orë përpara ndeshjes me skuadrën e Lars Lagerbak, përfaqësuesja do të udhëtojë drejt Suedisë, ku do të zhvillojë edhe stërvitjen zyrtare në stadiumin "Rasunda".

e. kodheli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›