KQZ, kriteret për listat e deputetëve
BLEDAR HOTI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpallë publikisht listat e kandidatëve për deputetë 15 ditë përpara votimeve të 28 qershorit. Lista me kandidatët për deputetë për çdo zonë zgjedhore, në 12 qarqe do të publikohen nga KQZ-ja më 13 qershor, si në faqen e saj të internetit, ashtu edhe në mediat e shkruara dhe vizive. KQZ, një kopje të listës për çdo zonë zgjedhore ia dërgon prefektit, Këshillit të Qarkut dhe KZAZ-ve, të cilat e publikojnë atë në mediat vendore dhe e shpallin në vende publike në zonën e tyre. Në udhëzim për: “Caktimin e rregullave për verifikimin e dokumentacionit të kandidimit dhe afatet për publikimin e listave të kandidatëve”, KQZ-ja ka përcaktuar mënyrën për verifikimin e kandidatëve për deputetë, nëse ato plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligjin zgjedhor. Të gjitha partitë politike dhe kandidatët e pavarur duhet të paraqesin listat e kandidatëve jo më 40 ditë nga data votimit. Brenda datës 18 maj të gjitha subjektet politike të regjistruara në zgjedhjet parlamentare duhet të depozitojnë listat e firmosura nga ana e kryetarit të partisë. Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish. Bëjnë përjashtim nga ky rregull kryetarët e partive politike, që konkurrojnë veçmas apo si pjesëtarë të një koalicioni. Ndërsa është përcaktuar se “në çdo rast të paktën 30 % e kandidatëve të listave shumemërore se dhe/ose një në tre emrat e parë të listës duhet t’i përkasë secilës gjini”. Të gjitha deklaratat e kandidatëve për deputet duhet të depozitohen në KQZ. Partitë parlamentare duhet të kenë me vete edhe vërtetimin e Kuvendit të Shqipërisë, në të cilën jepej edhe numri i mandateve që disponojnë. Ndërsa partitë politike, pjesëtare të një koalicioni miks me parti parlamentare dhe joparlamentare përjashtohen nga paraqitja e firmave të zgjedhësve vetëm nëse numri i deputetëve aktual nuk është më i vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit. Në të kundërt duhet të paraqesin 15 mijë firma zgjedhësish. Partitë jo parlamentare duhet të paraqesin 10 mijë firma zgjedhësish me deklarata personale, të noterizuara. Ndërsa kandidati i pavarur duhet të depozitojë në KQZ, firmat e mbështetësve që janë 1 për qind e zonës zgjedhore. Për këtë kandidati i pavarur duhet të krijojë 60 ditë përpara zgjedhjeve një komitet përfaqësues të kësaj zone zgjedhore, i cili duhet të krijojë kontakte me KQZ-në deri në momentin e regjistrimit. KQZ-ja pas mbylljes së kësaj procedure duhet të verifikojë listat e zgjedhësve, që mbështesin kandidatët e partive politike jo parlamentare, si dhe të pavarurve, nëse ata janë të zonës zgjedhore ku konkurrojnë ose jo, si dhe në rezultojnë se kanë firmosur më shumë se një herë. Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit duhet kontrollojë këtë proces mbi bazën e listave elektronike. Nëse grupi i punës vëren parregullsi në paraqitjen e dokumentacionit, jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e tij, i paraqet një relacion KQZ-së, në të cilin parashtrohen parregullsitë e konstatuara. KQZ-ja shprehet me vendim për kthimin dhe korrigjim e parregullsive të konstatuara në dokumentacionin e paraqitur. Vendimi për kthimin, për korrigjim të dokumentacionit merret jo më vonë se 35 ditë nga data e zgjedhjeve.
KZAZ-të, Ristani apel vendorëve
Kreu i KQZ-së, Arben Ristani ka marrë pjesë dje në takimin e zhvilluar nga Ministria e Brendshme me krerët e bashkive. Kreu i KQZ u bëri thirrje përfaqësuesve vendore të përcaktojnë në një kohë sa më të shpejtë ambientet për KZAZ-të dhe VNV-të e gjithashtu, për koordinimin e punës për shpalljen e listave përfundimtare të zgjedhësve me vendvotimet përkatëse, një muaj para zhvillimit të zgjedhjeve.
DOKUMENTET E KANDIDIMIT
Partitë parlamentare duhet të paraqesin:
a. Deklaratën për çdo kandidat të listës, ku të deklarohen të gjitha elementet e përcaktuara në nenin 72, ku kandidati pranon që të kandidojë për këtë subjekt politik.
b. Vërtetimin e Kuvendit të Shqipërisë për zotërimin e mandateve në Kuvend të partisë politike.
c. Në çdo rast deklaratat do të plotësohen sipas të dhënave në dokumentin e identifikimit të kandidatit.
Partia politike e cila nuk zotëron asnjë mandat në Kuvend paraqet dokumentet si më poshtë:
a. Deklaratën për çdo kandidat të listës, ku të deklarohen pro kandidimit me këtë parti politike
b. Lista e zgjedhësve që mbështesin listën shumemërore të partisë me emrat e 10 000 zgjedhësve
c. Deklaratat individuale të zgjedhësve për depozitimin e nënshkrimit përpara KQZ
d. Deklaratat individuale të zgjedhësve për depozitimin e nënshkrimit përpara noterit.
Listat e Partive joparlamentare që dalin në koalicion politik paraqesin:
a. Deklaratën për çdo kandidat të listës
b. Lista e zgjedhësve që mbështesin listën shumemërore të partive të koalicionit me emrat e 15 000 zgjedhësve
c. Deklaratat individuale të zgjedhësve për depozitimin e nënshkrimit përpara KQZ
d. Deklaratat individuale të zgjedhësve për depozitimin e nënshkrimit përpara noterit.
Kandidatët e pavarur
Kandidatët e pavarur para paraqitje së kandidaturës duhet të krijojnë një komitet nismëtar, jo më vonë se 60 ditë para datës së zgjedhjeve
Dokumentacioni që nevojitet:
a. Kërkesën e komitetit nismëtar për regjistrimin e kandidatit për deputet
b. Lista me emrat e 1% të listës së zgjedhësve të zonës zgjedhore përkatëse që mbështesin kandidatin.
c. Deklaratat individuale të zgjedhësve për depozitimin e nënshkrimit përpara nëpunësve të KQZ-së.
d. Deklaratat individuale të zgjedhësve për depozitimin e nënshkrimit përpara noterit
e. Deklaratën e kandidatit të propozuar nga zgjedhësit se nuk është pjesë e asnjë partie apo koalicioni dhe as nuk mbështet haptazi apo në mënyrë të tërthortë, ndonjë subjekt apo kandidat tjetër).
f. Kopje të një prej dokumenteve zyrtare të vlefshëm të identitetit të kandidatit si më poshtë:
i. Kartë identiteti ose
ii. Pasaportë