Padia e Londrës në Hagë: Minat në Korfuz i vendosën shqiptarët
Artur Meçollari
“Minat në Kanalin e Korfuzit u vendosën nga shqiptarët. Së paku, me dijeninë e tyre”. Përkundër argumentit të britanikëve, përfaqësuesit e Shqipërisë në Gjykatën e Hagës, ndërsa hidhnin poshtë akuzën, denonconin Britaninë për shkeljen e sovranitetit kombëtar. Në proces, të dyja palët paraqitën dy pozicione katërçipërisht të kundërta. Po si vazhdoi dialogu dhe cili ishte verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë...TRE MUAJ PROCES GJYQËSOR
Procesi gjyqësor për shqyrtimin e incidentit të Kanalit të Korfuzit nisi në seancë publike, në fillim të nëntorit 1948 dhe u mbyll në 22 janar 1949. Paraprakisht, Shqipëria dhe Britania e Madhe kishin nënshkruar një marrëveshje të veçantë midis tyre. Trupi gjykues drejtohej nga president José Gustavo Guerrero. Në proces pala Britanike përfaqësohej nga W.E.Beckett, këshilltar ligjor i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hartley Shawcross, prokuror i Përgjithshëm, Frank Soskice, ekspert i të drejtës ndërkombëtare dhe dy asistent të tjerë. Ndërkaq, Shqipëria përfaqësohej nga Kahraman Ylli, Behar Shtylla, ambasador i Shqipërisë në Paris, Pierre Cot, profesor i së Drejtës në Francë, Maitre Marc Nordmann dhe Maitre Paul Villard, anëtar i Klubit të Parisit. I përballur me kundërshtitë e palëve qysh në fillim, trupi gjykues vendosi të ngrejë një grup ekspertësh për dhënien e opinioneve të pavarura në të cilin u caktuan kundëradmiral J. B. Bull i Marinës Mbretërore Norvegjeze; Kundëradmiral S. A. Forshel i Marinës Mbretërore Suedeze dhe kapiten i Rangut të Dytë S. J. W. Elfferich.
MEMORANDUMI I VEÇANTË
Procesi gjyqësor nisi me vlerësimin e pyetjeve të parashtruara nga palët në Memorandumin e Veçantë të datës 25 mars 1948.
Për pyetjen e parë: A është Shqipëria përgjegjëse në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për shpërthimet e ndodhura në datën 22 tetor 1946 në ujërat shqiptare dhe a ka detyrimin të paguajë kompensimin për dëmet e shkaktuara?
A) Sipas fakteve të paraqitura nga pala britanike, Kanali i Korfuzit ishte kontrolluar për prezencën e minave nga Marina e Britanisë së Madhe në Tetor 1944 dhe rikontrolluar në janar-shkurt 1945 dhe kishte rezultuar se ishte i pastër nga minat dhe i lirë për lundrim. Kjo vërtetohej edhe nga faktet e paraqitura nga pala britanike dhe të pranuara nga trupi gjykues, se lundrimi e luftanijeve britanike në datat 15 maj dhe 22 tetor 1946, ishin bërë pa masa për mbrojtje nga minat.
Kanali i Korfuzit u kontrollua përsëri nga marina britanike në datat 12-13 nëntor 1946, mbas shpërthimeve të datës 22 tetor 1946, dhe nga kontrolli u zbuluan dhe u nxorën 22 mina gjermane të tipit GY (kontakte me spirancë). Këto fakte bënë që Britania e Madhe të pretendonte se minat, që shpërthyen dy anijet britanike në 22 tetor 1946 ishin mina gjermane të tipit GY (me spirancë), të njëjta me ato të nxjerra në datën 12 dhe 13 nëntor 1946 dhe se ishin vendosur midis datave 15 maj-22 tetor 1946.
Pala shqiptare pretendoi se minat e zbuluara në datën 13 nëntor 1946, ishin vendosur mbas datës 22 tetor 1946 (dita e incidentit), pasi sipas saj, minat që goditën dhe shpërthyen dy luftaanijet britanike në datën 22 tetor 1946 mund të kenë qenë mina lundruese (pa spirancë), mina magnetike fundore, mina magnetike me spirancë ose mina të Tipit GR. Nga ekspertiza e formës së shpërthimit në bordin e anijeve, grupi i ekspertëve doli në konkluzionin se në datën 22 tetor 1946 shpërthimi në bordin e dy anijeve britanike ishte shkaktuar nga mina kontakte me spirancë. Mbështetur mbi argumentet dhe kundërargumentet e mësipërme, trupi gjykues doli në konkluzionin se minat që shpërthyen në bordin e dy anijeve britanike në datën 22 tetor 1946 ishin të njëjta me ato të zbuluara në datën 13 nëntor 1946.
B)Mbështetur mbi këtë analizë pala britanike akuzoi Shqipërinë për vendosjen e minave gjermane të tipit GY, midis datave 15 maj dhe 22 tetor 1946. Në fakt, ashtu siç e pranoi edhe trupi gjykues, britanikët nuk paraqitën prova të mjaftueshme për të vërtetuar akuzën e tyre.
Gjykata hodhi poshtë deklarimet e palës britanike në gjyq se minat ishin vendosur nga jugosllavët dhe për këtë Shqipëria kishte dijeni, duke u deklaruar se mbetet e panjohur kush hodhi minat, të cilat shpërthyen dy luftanijet britanike në 22 tetor 1946.
Ndërkaq, pala britanike formulonte akuzën tjetër, sipas të cilës, Shqipëria kishte dijeni për vendosjen e minave përpara datës 22 tetor 1946. Sipas saj: “Minimi nuk mund të ishte bërë pa dijeninë e Qeverisë së Shqipërisë”.
ARGUMENTET E BRITANIKËVE
Argumenti kryesor i britanikëve që bënte përgjegjës vendin tonë merrte për bazë sjelljen e dyshimtë të Qeverisë së Shqipërisë përpara dhe pas incidentit të datës 22 tetor 1946, dhe veçanërisht deklaratat kontradiktore në korrespondencat diplomatike. Ndërkaq, Qeveria e Shqipërisë, për nga mënyra se si e trajtoi çështjen e incidentit, duke i dhënë ngjyrime të ekzagjeruara politike, madje edhe kur çështja ishte për gjykim në Hagë, lejoi mundësinë e interpretimit dhe paragjykimit të veprimeve të saj jo kompetente në çështjet ndërkombëtare, si mbrojtje ndaj një dijenie të mundshme të operacionit të minimit.
Por, nuk pati asnjë fakt që të vërtetonte se Shqipëria ishte në dijeni të vendosjes se minave
(2) Britanikët debatuan edhe për faktin se mendonin që autoritetet lokale shqiptare mund të kenë parë ose dëgjuar për operacionin e minimit. Britanikët e hodhën këtë hipotezë mbështetur në vigjilencën e lartë të treguar nga forcat bregdetare shqiptare në datën 15 maj 1948, deklarim i bërë nga përfaqësuesi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit më 19 Shkurt 1947, si dhe deklarimet e Qeverisë së Shqipërisë lidhur me të drejtën e kalimit paqësor nëpër kanal dhe monitorimin që ajo i bënte atij. Gjatë procesit gjyqësor dolën fakte të tjera që krijonin dyshime mbi dijeninë e Shqipërisë për prezencën e minave. Qeveria e Shqipërisë mbas veprimit për pastrimin e minave nga anijet e Britanisë së Madhe në detin e saj territorial në datat 12-13 nëntor 1946, i dërgoi një telegram sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ku protestonte për dhunimin e sovranitetit të Shqipërisë, por deri në atë kohë, si dhe më pas, nuk e vuri në dijeni këtë të fundit për prezencën e minave detare në Kanalin e Korfuzit. Gjithashtu, mbas datës 22 tetor 1946 Shqipëria nuk mori asnjë masë për identifikimin e fushës me mina, ndërsa Greqia ngriti një komision të veçantë për të hetuar ngjarjen e datës 22 tetor 1946.
Mbështetur në argumentet e mësipërme, të cilat në fakt nuk janë prova direkte, por rrethanore, Trupi Gjykues gjykoi se: “Sjellja e Qeverisë së Shqipërisë nuk është në përputhje me pretendimin e saj për mosnjohjen e prezencës së minave në detin e saj territorial. Kjo shpjegohet me atë se Qeveria e Shqipërisë ndërsa ishte në dijeni për prezencën e minave, dëshironte që operacioni i vendosjes së tyre të mbetej sekret”.
Fakti që rojet bregdetare shqiptare mund të kishin identifikuar vendosjen e minave nuk u provua. Gjykimi i trupit gjykues më tepër mbështetej në një arsyetim logjik, sesa në prova direkte të cilat vërtetonin njohjen e prezencës së minave nga qeveria e Shqipërisë. Dëshmitarët shqiptarë në gjyq, treguan se roja bregdetare shqiptare në rajonin e Sarandës ishte organizuar në tre posta: Kepi i Qefalit, në qytetin e Sarandës dhe në Manastirin e San Xhiorxhios.
Në raportin e ekspertëve të datës 8 janar 1949 deklarohej se operacioni i minimit, duke përfshirë edhe mundësinë e kryerjes së tij gjatë natës, mund të jetë vëzhguar me ndihmën e dylbive nga Pika Denta dhe Manastiri i San Xhiorxhios. Për sa i përket mundësisë së vëzhgimit të operacionit të vendosjes së minave, ekspertët deklaruan se në kushte moti të favorshme minimi mund të dëgjohej nga Kepi i Limionit (kodra e Limionit) Raporti i dytë i ekspertëve, i mbajtur në 8 shkurt 1949, pas vizitës që ata bënë në Sarandë, nuk ndryshoi asgjë nga konkluzionet e raportit të parë. Konkluzioni i ekspertëve për testin e pamshmërisë ishte si vijojnë: “Vendosja e minave duhet të jetë parë nga bregu, nëse kushtet meteorologjike kanë qenë normale (retë 3-4/10, jo mjegull ose shi i dendur, erë e lehtë toke, pamshmëria 20 milje), dhe nëse pikat e vrojtimit gjendeshin në Kepin e Qefalit dhe Manastirin e san Xhiorxhios.
Për pyetjen e parë Trupi Gjykues bëri vlerësimin e mëposhtëm: Ashtu siç edhe është deklaruar, palët bien dakord që minat janë hedhur kohët e fundit (pak përpara datës 22 tetor 1946). Por, mund të dilet në përfundimin se, pavarësisht kur ka qenë dita e saktë, minimi është kryer gjatë periudhës, që Shqipëria kishte vigjilencë dhe vrojtim të lartë në kanal. Nëse do të supozohet se minimi është bërë në momentet e fundit, p.sh., një natë përpara datës 21 dhe 22 tetor 1946, mund të dilet në konkluzionin se njoftimi i përgjithshëm për marinarët për trafikun në kanal, përpara kohës së shpërthimit, do të ishte i vështirë, për të mos thënë e pamundur. Por kjo nuk mund të frenonte Qeverinë e Shqipërisë, siç edhe duhet të kishte bërë, të paralajmëronte të gjitha anijet që gjendeshin në zonën e rrezikshme. Kur anijet britanike, në datën 22 tetor 1946 në orën 13:00, u raportuan nga posta bregdetare shqiptare e Manastirit të San Xhiorxhios, tek komandanti i Forcave Bregdetare, ndërsa ato i afroheshin Kepit të Gjate, Autoritetet Shqiptare kishin kohën e mjaftueshme, rreth dy orë, përpara shpërthimit të parë të H.M.S. Saumerz në orën 14:53, për të njoftuar anijet që po shkonin drejt rrezikut”.
Mbështetur në këtë gjykim, Trupi Gjykues për pyetjen e parë vendosi: “Shqipëria është përgjegjëse, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, për shpërthimet e ndodhura në datën 22 tetor 1946 në detin e saj territorial, si dhe për dëmet dhe humbjet e jetëve njerëzore të shkaktuara. Për këtë Shqipëria ka detyrimin t’i paguajë kompensim Mbretërisë së Bashkuar”.
Për pyetjen e dytë: Sipas së drejtës ndërkombëtare, a ka dhunuar Mbretëria e Bashkuar sovranitetin e Shqipërisë nëpërmjet veprimeve të marinës se saj në ujërat e Shqipërisë, së pari në ditën e shpërthimit më 22 tetor 1946 dhe së dyti në datat 12 dhe 13 nëntor 1946 dhe a ka ndonjë detyrim për të përmbushur?
Për datën 22 Tetor 1946. Britania e Madhe nuk pranoi se kishte dhunuar sovranitetin e shtetit shqiptar në datën 22 tetor 1946, kur katër luftanijet britanike ishin duke kryer “kalim paqësor” nëpër Kanalin e Korfuzit. Për të argumentuar pozicionin e saj, përfaqësuesi i Britanisë së Madhe fillimisht bëri një retrospektivë, duke nisur nga incidenti i datës 15 maj 1946.
Në mbështetje të argumentit të saj, Britania e Madhe solli në seancë fakte mbi intensitetin e trafikut në Korfuz për periudhën 1 prill 1936 deri 31 dhjetor 1937, trafik i cili i kalonte 2884 anije kryesisht me flamujt e shteteve: Greqi, Itali, Rumani, Jugosllavi, Francë, Shqipëri dhe Britania e Madhe. Sipas Trupit Gjykues, e drejta ndërkombëtare zakonore e detit njeh të drejtën e kalimit paqësor të anijeve të luftës, në kohe paqe, nëpër ngushticat ndërkombëtare që lidhin dy dete ndërkombëtare, pa autorizimin e vendit bregdetar. Përveç rasteve të parashikuara nga e drejta zakonore ndërkombëtare, shteti bregdetar nuk gëzon të drejtën të pezullojë kalimin paqësor nëpër ngushticat ndërkombëtare. Në këto rrethana trupi gjykues ishte i mendimit se Britania e Madhe nuk kishte dhunuar sovranitetin e Shqipërisë, duke urdhëruar kalimin nëpër kanal të anijeve të tyre, pa autorizimin paraprak të Shqipërisë.
Përfaqësuesi i Shqipërisë argumentoi se kalimi i anijeve britanike nëpër detin territorial të Shqipërisë në Kanalin e Korfuzit në datën 22 tetor 1946 nuk ishte një lundrim i zakonshëm, por një mision politik, pasi: anijet kryenin manovra dhe lundronin në formacion luftimi në formë rombi; pozicioni i topave nuk ishte në përputhje me të drejtën e kalimit paqësor; ekuipazhet qëndronin në postet e luftimit, numri i anijeve gjatë kalimit ishte i panevojshëm dhe tregonin synimin për të krijuar frikë dhe jo thjesht një kalim; anijet kishin urdhër të vrojtonin dhe identifikonin bateritë bregdetare, detyrë të cilën po e kryenin.
Po ashtu Përfaqësuesi i Shqipërisë solli në seancë si argument edhe telegramin e admiralit Britanik të datës 21 tetor 1946 drejtuar komandës Detare të Mesdheut, në të cilin ai i kërkonte kësaj komande të realizonte lundrimin me luftanije dhe njëkohësisht të testonte edhe sjelljen e Qeverisë së Shqipërisë. Por trupi gjykues kishte tjetër vlerësim. Më datën 15 maj 1946 Qeveria e Shqipërisë tentoi të imponojë vullnetin e saj me përdorimin e artilerisë ndaj anijeve britanike. Për shkak se korrespondenca diplomatike midis dy vendeve nuk dha rezultat për sheshimin e kundërshtive mbi të drejtën e kalimit paqësor të luftanijeve britanike nëpër kanal, trupi gjykues ishte i mendimit se “veprimi i kalimit të anijeve britanike nuk mund të kundërshtohet dhe është bërë plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Misioni ishte planizuar për të afirmuar të drejtën e kalimit paqësor, të mohuar në mënyrë të jashtëligjshme”. Po ashtu edhe përfaqësuesi i Britanisë së Madhe tentoi të sjellë argumente kundër pozicionit të përfaqësuesit të Shqipërisë, duke deklaruar se anijet nuk ishin në formacion luftimi, në formë rombi, por në kolonë për një dhe vërtet ekuipazhet ishte në poste luftarake. Duke pasur në konsideratë situatën e datës 15 maj 1946, ekuipazhet ishin gati të vepronin nëse mbi anijet do të hapej zjarr. Anijet kaluan në kolonë për një, sipas përfaqësuesit britanik në një periudhë tensioni midis dy vendeve “jo vetëm për të testuar sjelljen e Qeverisë së Shqipërisë, por edhe për të demonstruar forcë, me qëllim që Qeveria e Shqipërisë të mësojë të përmbahet dhe mos hapi zjarr ndaj anijeve që kryejnë kalim paqësor”.
Duke marrë në konsideratë provat e paraqitura nga pala shqiptare, trupi gjykues deklaroj se: “Nuk mund të pranojë se topat ishin në pozicion luftimi, por kanë qenë në përputhje me të drejtën e kalimit paqësor” dhe duke marrë në konsideratë rrethanat e paraqitura nga pala britanike, trupi gjykues deklaroi se: “Nuk ishte i aftë të karakterizonte masat e marra nga Britania e Madhe si dhunim të sovranitetit të Shqipërisë”.
Gjatë kalimit të anijeve britanike në datën 22 tetor 1946, një nga detyrat e tyre ishte identifikimi i baterive bregdetare në rajonin e Sarandës. Kjo vërtetohet nga harta e Admiraliatit Britanik (Aneksi 21), të prezantuar në gjykatë. Po ashtu në raportin e Komandantit të HSM Volage të bërë në datën 23 Tetor 1946 mbi kalimin e datës 22 Tetor 1946 theksohet se: “U bë e pamundura të studiohet mbrojtja bregdetare Shqiptare në distancë sa më të afërt”. Ky shënim ishte bërë me iniciale XCU.
Në përputhje me Nenin 49 të Statutit të Gjykatës, trupi gjykues i kërkoi Britanisë së Madhe dokumentet, që i referoheshin inicialeve XCU, për t’u përdorur nga Gjykata. Këto dokumente nuk u dorëzuan dhe përfaqësuesi i Britanisë së Madhe u justifikua duke deklaruar se dokumentet “përbënin sekret të Marinës Mbretërore” dhe gjatë procesit gjyqësor dëshmitarët britanikë nuk pranonin t’u përgjigjeshin pyetjeve, që lidheshin me inicialet XCU. Për Gjykatën ishte e pamundur të njihej me këto dokumente. Por sipas mendimit të saj, ajo nuk mund të shkëpuste vëmendjen nga objekti i gjykimit dhe nga provat e demonstruara deri tani. Përfaqësuesi britanik deklaroi se dokumentet XCU ishte një plan paraprak në rast zjarri nga bateritë bregdetare shqiptare, ashtu siç edhe deklaroi Komandanti i HSM Volage. Gjykata nuk tentoi më të kërkonte këto dokumente, duke gjykuar: “Se pavarësisht nga kjo nuk mund të rrinte indiferente që dy anije britanike ranë në minë dhe nuk reaguan paskëtaj”. Lidhur me identifikimin e baterive bregdetare shqiptare mbas shpërthimeve, sipas opinionit të Trupit Gjykues, ky veprim ishte plotësisht i justifikueshëm nga ana e anijeve britanike, pasi komandantët e tyre ende dyshonin se mund të goditeshin me artileri si në datën 15 maj 1946. Lidhur me pretendimin e Shqipërisë për dhunimin e sovranitetit të saj, sipas opinionit të Trupit Gjykues, Britania e Madhe “mbështetur në veprimet e anijeve britanike në datën 22 tetor 1946, ato nuk kishin dhunuar sovranitetin e Shqipërisë.”
Për datat 12-13 nëntor 1946. Gjatë procesit gjyqësor përfaqësuesi i Britanisë së Madhe e pranoi që ishte dhunuar sovraniteti i Shqipërisë, por sipas tij: “Nuk mund të konsiderohet si një dhunim i paramenduar i sovranitetit dhe territorit të Shqipërisë”. Sipas përfaqësuesit britanik, ky operacion ishte një emergjencë ekstreme, dhe që u konsiderua të kryhej pa pëlqimin e ndokujt. Për këtë arsye pala britanike paraqiti një justifikim ligjor duke argumentuar si më poshtë: “Në përputhje me Marrëveshjen e 22 nëntorit 1945 midis qeverive të Britanisë së Madhe, Francës, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik, autorizohet një organizëm rajonal për pastrimin e minave, siç është Zona e Mesdheut, dhe që kjo zonë ndahet midis shteteve në zona më to vogla për t’u pastruar. Për sa i përket Kanalit të Korfuzit, kjo zonë i është dhënë nën përgjegjësi Greqisë për tu pastruar nga Bordi i Zonës së Mesdheut në datën 5 nëntor 1945, përpara nënshkrimit të marrëveshjes së përmendur më lartë. Në procesin gjyqësor të incidentit të Kanalit të Korfuzit, Britania e Madhe paraqiti një leje të lëshuar nga Qeveria Greke për të rikontrolluar dhe ripastruar nga minat Kanalin e Korfuzit”.
Argumentet e palës britanike nuk ishte bindëse për Trupin Gjykues, por ai vërejti se veprimet e Qeverisë së Shqipërisë dështuan për marrjen e përgjegjësive mbas shpërthimeve të datës 22 tetor 1946, dhe konstatoi natyrën e ngadaltë të diplomacisë shqiptare. Në respekt të së drejtës ndërkombëtare, trupi gjykues deklaroi se “veprimet e Marinës Mbretërore Britanike në datën 12-13 nëntor 1946 përbënin dhunim të sovranitetit të Shqipërisë”. Po ashtu, sipas Vendimit të Trupit Gjykues, ky deklarim “është në përputhje me kërkesën e palës shqiptare, e shprehur edhe nga përfaqësuesit e saj, dhe është në vetvete një përmbushje e pranueshme e detyrimeve”.
vijon nesër...
“Shqipëria përgjegjëse për shpërthimin e 22 tetorit ‘46"
Në përfundim të shqyrtimit të çështjeve të Memorandumit të Veçantë midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, trupi gjykues në pasditen e 9 prillit 1949 mori vendimin e parë.
1. Me 11 vota pro dhe 4 kundër vendosi: Republika e Shqipërisë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare është përgjegjëse për shpërthimet e ndodhura në datën 22 tetor 1946 në detin territorial të Shqipërisë, si dhe për dëmet dhe humbjet njerëzore të shkaktuara;
2. Me 10 vota pro dhe 6 kundër paraqiti rezerva për shqyrtimin e vlerësimit të masës së kompensimit dhe rregulloi procedurat për këtë çështje me një urdhër të nxjerrë po sot;
Në lidhje me pyetjen e dytë të Marrëveshjes së Veçantë të datës 25 mars 1948:
1. Me 14 vota pro dhe 2 kundër vendosi: Mbretëria e Bashkuar nuk e dhunoi sovranitetin e Republikës Popullore të Shqipërisë me veprimet e Marinës Britanike në detin territorial të Shqipërisë në datën 22 tetor 1946;
2. Me unanimitet (16 vota pro) vendosi: Me veprimet e Marinës Britanike gjatë operacionit të datës 12-13 nëntor 1946 në detin territorial të Shqipërisë, Britania e Madhe ka dhunuar sovranitetin e Republikës së Shqipërisë dhe se ky deklarim i Trupit Gjykues përbën përmbushjen e pranueshme të detyrimeve.