Gazi, Berisha fton investitorët e Katarit
Kryeministri Berisha fton Katarin të marrë pjesë në projektin e rigazifikimit në Seman, me vlerë 2.5 miliardë euro. Kreu i qeverisë theksoi dje gjatë vizitës në vendin e Gjirit Persik se, “një vend të veçantë në bisedimet tona, si dhe një nga qëllimet është edhe projekti i madh i Semanit. Ky projekt prej rreth 2.5 miliardë euro është një nga projektet më gjigande të rajonit dhe më gjerë. Unë me këtë rast ftova qeverinë e Katarit, që mbi bazën e interesit komercial të marrë pjesë në këtë projekt, sikundër iu kërkova që të garantojnë sigurimin me gaz të këtij projekti të madh, në rast se nuk përfshihen direkt”. Gjatë ditës së djeshme Berisha zhvilloi një vizitë në Fondacionin e Katarit. Sipas tij, arsimi është ndër prioritetet e qeverisë. “Ne kemi dyfishuar buxhetin për arsimin, kemi rritur numrin e studentëve deri në 150 mijë, po vazhdon me sukses projekti për shtrirjen e internetit në çdo shkollë etj., dhe me reformat e saj, qeveria do të vazhdojë të rrisë mbështetjen për arsimin”, theksoi kreu i Ekzekutivit. Nga ana e tij zëvendës/presidenti i Fondacionit u shpreh se ky fondacion është në kërkim të mundësive për bashkëpunim me Shqipërinë dhe bëri të ditur se do të japë disa bursa studimi Master pasuniversitare.