E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Rama i paaftë të mbajë familjen e tij

 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, premtoi dje nga Elbasani rritjen e investimeve në arsim me 6 për qind të buxhetit të shtetit. Sipas saj, mandati i dytë qeverisës i koalicionit të djathtë do të fokusohet në politikat arsimore. “Në mandatin e dytë investimet në arsim do shkojnë në 6% të buxhetit të shtetit, nga 4% që janë aktualisht. Të përballemi me sfidën e arsimit, është absolutisht investimi me të cilin kurrë nuk humbet. Investimet në arsim shënojnë progresin më të madh, të bërë në të gjitha fushat. Buxheti i arsimit është dyfishuar dhe po ashtu janë dyfishuar pagat e arsimtarëve”, u shpreh ndër të tjera kryetarja e Kuvendit. Duke folur para studentëve të universitetit “Aleksandër Xhuvani” për reformat e ndërmarra nga qeveria, Topalli tha se sfidat ekonomike, infrastrukturore, integrimi i të gjitha fushave po përballohen me sukses. Kryeparlamentarja akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama, gjatë interesimit nga ana e auditorit për raportet mes burrave dhe grave në politikë. “Unë refuzoj që një person, i cili ka qenë i paaftë për të mbajtur një familje, të flasë për bashkim të një shoqërie, që është familja e madhe shqiptare. Problemi i femrës është shumë delikat dhe është shumë dimensional, dhe prandaj nuk mund të pranoj që, në emër të bashkimit të shoqërisë, të flasë një njeri që nuk ka bashkuar familjen e tij të vogël”, tha Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›