Gazi dhe nafta “mbysin” Zharrëzën, në spital 10 persona
FIER - Gazi shpërthen në një pus nafte në një fshat të Fierit, duke rrezikuar jetën e banorëve, ndërsa nafta ka dalë në rrugë. Burime të sigurta thanë për gazetën se kjo situatë nuk është parë ndonjëherë në zonat naftëmbajtëse. Sipas të njëjtave burime mësohet se dje, pak pas mesditës, një shpërthim i rëndë nga një pus i prodhimit të naftës është dëgjuar në fshatin Zharrëz të qytetit të Fierit. Shpërthimi në pusin e naftës, që ndodhet në qendër të fshatit, ka shkaktuar përhapjen e gazit rreth e rrotull, duke shkaktuar asfiksi te banorët.
Dëmtimet
Mësohet se 10 persona janë shtruar në spital dhe po marrin ndihmën e nevojshme, ndërsa të tjerë persona po trokasin dyerve të urgjencës për ndihmën e parë. Burime policore në vendngjarje thanë për gazetën se gazi ka çarë tubat e pusit duke paraqitur dhe rrezikshmëri për banorët, ndërprerje të energjisë elektrike dhe përhapje të gazit dhe naftës nëpër shtëpitë e fshatit. Në vendin e ngjarjes ndodhen ambulanca dhe zjarrfikëse, që po ndihmojnë për të neutralizuar situatën. Të gjithë banorët janë evakuuar nga banesat duke u trembur nga sasia e naftës e përhapur në fshat. Policia, e cila po bën ekspertizat përkatëse për ngjarjen, dyshon se shpërthimi ka ndodhur për shkak të pakujdesisë nga ana e punëtorëve. Banorë dhe ish-punëtorë të puseve të naftës bëjnë të ditur se në momentin e shpërthimit nuk ka pasur punonjës.
Normalizimi
Situata në fontanën e gazit, në një pus nafte në Zharrëz, që shpërtheu mesditën e sotme, ndodhet nën kontroll, pasi ka rënë plotësisht intensiteti i forcës së gazit. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, gjithçka është në kontroll, ndërkohë që intensiteti i forcës së gazit ka rënë plotësisht. Përveç shtatë banorëve të zonës, që u helmuan si pasojë e shpërthimit të gazit, janë helmuar edhe dy banorë të tjerë, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ndodhen gjashtë makina zjarrfikëse, specialistë të Albpetrolit si dhe forca të Komisariatit të Policisë së Fierit, që po hetojnë për ngjarjen.
Drejtonin makina të vjedhura jashtë Shqipërisë, ndalohen nga policia
Tiranë – Dy persona janë arrestuar nga policia për konsumim të veprës penale të “Trafikimit të mjeteve motorike”. Burime thanë se Seksioni i Luftës Kundër Trafiqeve realizoi shoqërimin e Ertigel H., vjeç 28, lindur në Berat dhe banues në Tiranë dhe Gentian L., vjeç 28, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë. Këta shtetas janë kapur gjatë momentit të drejtimit të automjeteve përkatësisht tip BMV me targë TR 7255 J dhe tip Toyota me targë TR 9709 I, ku pas verifikimeve rezultuan të vjedhura jashtë shtetit dhe trafikuar në Shqipëri. U kryen veprimet procedurale ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të dy automjetet.
30 Gusht 2008