E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia kap 500 gramë heroinë të kuqe, dy në pranga në Kodër Kamzë



Luan Kondi

Tiranë – Policia e kryeqytetit ka realizuar një tjetër operacion spektakolar antidrogë. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, uniformat blu të Tiranës bëjnë me dije se dje, rreth orës 13:00, specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve në bashkëpunim me Njësinë Operacionale pranë Policisë së Tiranës, finalizuan me arrestimin e dy personave në operacionin e koduar “Apollon”.
Operacioni
Burime të sigurta thanë për gazetën se gracka policore me emrin e koduar “Apollon” kishte kohë që ishte përgatitur, pasi personat e arrestuar dje në flagrancë ishin në vëzhgimin e forcave Antidrogë për javë të tëra. Informacioni i djeshëm ka rezultuar i saktë për uniformat blu, të cilët kanë vënë në pranga Gerion Grabovajn 22 vjeç dhe Arben Sulka, 42 vjeç, që të dy nga Tirana. Këta shtetas u kapën në flagrancë gjatë shkëmbimit të lëndës narkotike në afërsi të vendit të quajtur Kodër Kamzë. Me finalizimin e operacionit u bë i mundur sekuestrimi i një sasie prej 500 gramësh lëndë narkotike heroinë (e kuqe), 2 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis sattiva.
Provat
Policia ka mundur të kapë, përveç lëndës narkotike të dyshuar si heroinë dhe Cannabis, edhe një pistoletë e markës “Zastava”, 30 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 2500 euro dhe 100 mijë lekë të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, peshore manuale, automjet tip ”Fiat Punto” me targë AX 351 PG dhe 4 aparate celularë. Materialet hetimore në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” dhe “kundërshtim të punonjësit të Policisë”.
Rasti
Tre persona u arrestuan të mërkurën në mbrëmje në Tiranë me rreth 1 kilogram drogë të llojit heroinë. Sipas policisë, ata ishin në hetim prej një muaji nga Sektori i Luftës Kundër Trafikut të Lëndëve Narkotike në Policinë e Tiranës. Falë provave dhe fakteve të mbledhura, forcat e Policisë së kryeqytetit realizuan operacionin e koduar “Kolona”, duke arrestuar shtetasit Mehmet Belba, 45 vjeç, Elvis Arifaj, 24 vjeç dhe Martin Bocaj, 22 vjeç, me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Personat në fjalë u kapën në kushtet e flagrancës, gjatë shkëmbimit të sasisë prej 1 kg heroinë, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale. Gjithashtu atyre iu sekuestrua edhe një shumë prej 400 000 lekësh (të rinj), që ishin përfituar nga tregtimi i lëndës narkotike, 1 thikë, që plotësonte kushtet e armës së ftohtë si dhe 5 shashka.

Riaktivizohet zjarri në Sarandë, zjarrvënia mendohet e qëllimshme

SARANDE - Një tjetër vatër zjarri ka prekur komunën Dhivër në fshatin Cerkovicë të Sarandës. Nga grupi i zjarrfikësve konfirmohet se u nisën në vendin e shpërthimit të këtij zjarri, i cili me sa duket është në vazhdim i atij të një dite më parë, që ra në po këtë komunë dhe që vazhdohet të dyshohet për një zjarrvënie të qëllimshme. Pas nisjes në vend të një zjarrfikëseje po punohet për shuarjen e zjarrit, i cili për momentin ndodhet larg qendrave të banimit. Ndërsa zjarri që ra mesditën e së enjtes në fshatrat e Sarandës u shua plotësisht që në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Në ndihmë të zjarrfikësve të Sarandës punoi edhe një avion i ardhur nga Greqia me kërkesë të palës shqiptare. Zjarri ra fillimisht në komunat Livadhja e Dhivër për t’u përhapur me shpejtësi edhe në fshatrat përreth duke përfshirë dhe fshatrat Kalsat, Llazat, Gravë e Qesarat ku u dogjën deri tani më shumë se 60 ha me ullishta e kullota. Forca të shumta policie, ushtria dhe banorë të zonave u mobilizuan në shuarjen e këtij zjarri që rrafshoi shumë shpejt dhjetëra hektarë. Aktualisht nuk mësohet të ketë dëme për banesat e fshatrave ndërsa policia është vënë në kërkim të autorëve të zjarrit.

30 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›