Titujt e pronësisë, zonat më problematike të Tiranës
Emanuela Sako
Çështja e pronave tashmë i ka kaluar për shqyrtim prefekturave në rrethe për të zgjidhur kalvarin e gjatë të ankesave të ish-pronarëve. Në muajin shtator 12 prefekturat e vendit pritet të fillojnë nga puna për shqyrtimin e çështjeve për titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore. Prefekti i Tiranës, Rruzhdi Keçi, sqaroi për gazetën “Albania” se cilat janë zonat më problematike të prefekturës së Tiranës. Sipas tij, vendin e parë e zënë zonat fushore, të cilat janë zënë padrejtësisht nga mjaft banorë të ardhur nga rrethet. Prefekti Keçi shpjegoi se këto toka do t’u kthehen pronarëve, por se në çfarë mënyre dhe se si do të procedohet, do ta vendosë qeveria, e cila do të hartojë ligjin e plotë ku do të cilësohen procedurat e punës. Sipas vendimit më të fundit të qeveris për titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore, ligji i ri synon konsolidimin e titujve të pronësisë mbi tokën. Duke u nisur dhe nga denoncimet apo konfliktet mes palëve, në ligj parashikohet ngritja e një komisioni të posaçëm, i cili do t’u japë zgjidhje të gjitha çështjeve, si dhe do t’i japë fund çdo akuze për ndarje të tokave në forma të jashtëligjshme. Ndërkohë që krahas përmirësimeve që parashikohen në këtë ligj, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (MBUMK) do të krijojë shumë shpejt strukturën qendrore dhe Task Forcat në të gjitha prefekturat e vendit, për të kontrolluar titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore.
Zonat
Prefekti Keçi përcaktoi se cilat janë zonat më problematike të prefekturës së Tiranës. Për të, ato që shfaqen më problematike janë zonat e ulëta ose fushore të kësaj prefekture. Në këtë listë futen komunat e Kasharit, Kamzës, Paskuqanit, Vaqarit, qyteti i Tiranës dhe disa komuna të tjera fushore. Në këto zona janë tokat e pronarëve të vjetër, të cilat prej vitesh kanë paraqitur ankesat e tyre për përfitimin e tokës, që rezulton e zënë nga banorë të ardhur nga rrethet e largëta të vendet dhe aktualisht janë vetëshpallur pronarë të tyre. Ndërsa zonat malore janë më pak problematike për shkak të terrenit malor apo kodrinor dhe pamundësisë për të zënien e tokave në këto zona. Vendimi më i fundit i qeverisë vendosi që shqyrtimi i titujve të pronësisë për tokën bujqësore të kalojë si kompetencë e prefekturave të vendit. Prefekturat do të bëjnë shqyrtimin e çështjeve, që pritet të jenë mjaft të shumta dhe më pas të procedohet në bazë të ligjit për përfitimin e truallit apo shpronësimin.
Komisioni
Në të gjithë vendin do të ngrihen 12 komisione vendore. Prefekti i Tiranës sqaroi se komisionet do të bëjnë procedimin për zgjidhjen e çështjeve në bazë të përcaktimit ligjor. Komisionet do të përbëhen nga specialistë të fushave përkatëse. Aktualisht, mendohet se prefektura e Tiranës do të përbëhet nga 7 anëtarë të komisionit, ku 4 prej tyre do të jenë juristë dhe në organikën e tij do të ketë një topograf, një agronom si dhe një gjeodet. Ndërsa në prefekturat e tjera të vendit komisionet mendohet të kenë në organikën e tyre 5 anëtarë. Në Prefekturën e Tiranës po krijohen ambientet për hapjen e dy zyrave të reja. Ndërkohë që Prefektura e Tiranës i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme për marrjen e një fondi për krijimin e mjediseve të përshtatshme. Komisionet vendore do të drejtojnë të gjithë veprimtarinë për shqyrtimin e vlefshmërisë së krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore në juridiksionin e prefekturës. Kjo do të mundësohet nëpërmjet: shqyrtimit dhe verifikimit të ankesave, kërkesave, informacioneve, që i paraqiten nga shtetasit dhe strukturat shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me pronësinë mbi tokën bujqësore; kontrolleve të drejtpërdrejta, të ushtruara me nismën e vet, mbi veprimtarinë dhe veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës, të të gjitha niveleve, në procesin e ndarjes së tokës; vendimeve që merr në mbledhjet, që thirren dhe drejtohen nga prefekti; zbatimit të detyrave dhe vendimeve të KQT-së.
Zonat më problematike
Zonat fushore
Komuna Kashar
Komuna Paskuqan
Komuna Vaqar
Komuna Kamzë
Qytetit Tiranë
Komisioni vendor i vlerësimit të titujve të pronësisë
1. KV-ja krijohet pranë prefektit të çdo qarku dhe drejtohet nga drejtori i KV-së, nën autoritetin dhe varësinë e drejtpërdrejtë të prefektit.
2. KV-ja drejton të gjithë veprimtarinë për shqyrtimin e vlefshmërisë së krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore në juridiksionin e prefekturës, nëpërmjet:
a) shqyrtimit dhe verifikimit të ankesave, kërkesave, informacioneve, që i paraqiten nga shtetasit dhe strukturat shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me pronësinë mbi tokën bujqësore;
b) kontrolleve të drejtpërdrejta, të ushtruara me nismën e vet, mbi veprimtarinë dhe veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës, të të gjitha niveleve, në procesin e ndarjes së tokës;
c) vendimeve, që merr në mbledhjet, që thirren dhe drejtohen nga prefekti;
ç) zbatimit të detyrave dhe vendimeve, të KQT-së.
Detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit Vendor
KV-ja ka detyrat dhe përgjegjësitë e mëposhtme:
1. Zgjidh mosmarrëveshjet e evidentuara:
a) për kufijtë e tokës bujqësore, ndërmjet rretheve, brenda qarkut;
b) për kufijtë e tokës bujqësore, ndërmjet fshatrave (subjekteve), që kanë qenë në përbërje të së njëjtës ish-kooperativë bujqësore. Vendimi u njoftohet komunave dhe/ose bashkive, në juridiksionin e të cilave ndodhen këto fshatra;
c) ndërmjet individëve dhe ish- komisionit të tokës së fshatit.
Shqyrtimi i mosmarrëveshjeve bëhet me kërkesën e palëve ose me nismën e vet KV-së.
2. Merr vendimet përkatëse, për çdo mosmarrëveshje ose konflikt, të lindur ndërmjet personave, fizikë ose juridikë, për bazën ligjore të titujve të pronësisë, të krijuara mbi tokën bujqësore.
Kur objekti i konfliktit ndërmjet palëve rezulton në zona kadastrale, ku është kryer regjistrimi i tokës, me cilësinë e pasurisë së paluajtshme dhe ky regjistrim është marrë në dorëzim nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP) ose kur në zonën kadastrale përkatëse ka përfunduar periudha 90-ditore e afishimit të rezultateve të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme, vendimi i KV-së i dërgohet, për veprim, ZVRPP-së së rrethit, dhe, për informim dhe evidentim, seksionit të administrimit dhe mbrojtjes së tokës (SAMT), në qark.
3. Kontrollon dokumentet dhe veprimtarinë, që kanë kryer komisionet e tokës së komunave dhe /ose bashkive për zbatimin e dispozitave ligjore të ndarjes se tokës, gjatë procesit të shqyrtimit të mosmarrëveshjeve dhe të konflikteve, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni, dhe, në përfundim të këtij kontrolli, merr vendimet përkatëse për korrigjimet e nevojshme, shfuqizimin, e plotë apo të pjesshëm, të këtij dokumentacioni dhe krijimin e dokumentacionit të ri, në bazë të kritereve të përcaktuara në këtë ligj.
4. Dërgon në seksionin e administrimit dhe të mbrojtjes së tokës (SAMT), të qarkut, autorizimin për lëshimin e akteve të marrjes së tokës në pronësi, në bazë të dokumentacionit të ri ligjor, të krijuar. Procedurat e krijimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, që vijnë si pasojë e korrigjimeve të kryera sipas dispozitave ligjore, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
5. Shqyrton drejtpërdrejt dhe merr vendime për konflikte dhe mosmarrëveshje, ndërmjet palëve, kur për to është vendosur rishqyrtimi, në rrugë administrative, me vendim të formës së prerë të organeve gjyqësore. Në këtë rast, vendimi i KV-së është përfundimtar. Ankimimi kundër këtij vendimi mund të bëhet në gjykatën, që ushtron veprimtarinë në juridiksionin, ku ndodhet toka bujqësore, për të cilën ka lindur konflikti.
6. Kërkon nga kryetarët e komunave dhe/ose të bashkive, në cilësinë e ish-kryetarëve të komisioneve të tokës, nga ish-kryetarët e komisioneve të tokës në fshatra, nga SAMT-ja, në këshillin e qarkut, ZVRPP-të e rrethit dhe zyra rajonale e AKKP-së dokumente dhe informacione për veprimtarinë e veprimet, e kryera gjatë të gjithë periudhës së ndarjes së tokës.
7. Raporton, në mënyrë periodike, para KQT-së për përmbushjen e detyrimeve, të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, në zbatim të tij.
30 Gusht 2008