Gazi i Evropës do të kalojë nga Shqipëria

Autoritetet e Azerbajxhanit kanë marrë vendimin e parë të rëndësishëm për gazifikimin e Shqipërisë, duke skualifikuar nga gara projektin gazsjellëses që kalonte nga Greqia, duke anashkaluar vendin tonë. Tashmë negociatat do të jenë ekskluzivisht me kompanitë që mbështesin projektin TAP, i cili do kryejë 1 miliardë dollarë investime në Shqipëri dhe do t’i sjellë ekonomisë tonë një përfitim prej 80-100 milionë dollarësh në vit
Vizita zyrtare e kryeministrit Sali Berisha në Azerbajxhan (8-10 shkurt), për të lobuar te autoritetet azere, lidhur me marrjen e mbështetjes për ndërtimin e një prej rrjeteve gazsjellëse më të mëdha në Evropë, Trans-Adriatik Pipeline, duke se ka dhënë frytet e para. “Gazi që do të vijë nga Azerbajxhani drejt Europës do të kalojë përmes Shqipërisë”.
Ky është konkluzioni i konsorciumit ndërkombëtar të udhëhequr nga kompania e njohur britanike BP (British Petrolium), e cila ka zgjedhur projektin TAP (Trans Adriatic Pipeline) kundrejt atij italo-grek ITGI, për të tranzituar drejt Europës gazin azer. Konsorciumi që ka në pronësi fushën e gazit në Shah Deniz, tha se për shkak të krizës ekonomike që ka përfshirë Greqinë, projekti që mbështetet nga Athina nuk është më i besueshëm dhe nuk do të merret në konsideratë.
Janë vetë drejtuesit e projektit të TAP, që përmes një deklarate për shtyp informojnë se gazsjellësi Trans-Adriatik, është përzgjedhur si projekti i tubacionit të gazit drejt Italisë.
Sipas tyre, projekti TAP mbetet një konkurrent i fortë për të fituar tenderin e transportit të gazit të Shah Deniz II drejt Evropës.
“Kemi kënaqësinë të konfirmojmë se TAP është përzgjedhur nga Shah Deniz, si rruga e tubacionit të gazit drejt Italisë. Ne do të fillojmë tashmë negociatat Ekskluzive me ta , për të çuar përpara projektin. Ne presim me kënaqësi çuarjen përpara të projektit TAP së bashku me Konsorciumin Shah Deniz dhe Qeveritë Italiane, Shqiptare dhe Greke. Ne besojmë fuqimisht se projekti TAP mbetet një konkurrent i fortë për të fituar tenderin e transportit të gazit të Shah Deniz II drejt Evropës. Ne jemi gjithashtu të bindur se gjurma e tubacionit TAP për në Itali i ofron Konsorciumit Shah Deniz, tregun më tërheqës dhe rrugën e evakuimit më të përparuar”, thuhet në një deklaratë për shtyp, të shpërndarë nga drejtuesit të projektit të TAP.
Ndërkohë, varianti grek ishte rivali kryesor i gazsjellësit Trans-Adriatik, projektit të vetëm që përfshin Shqipërinë në rrjetin ndërkombëtar të gazit. Eliminimi i tij e vendos projektin shqiptar në linjën e parë për të fituar transportin e gazit azerbajxhanas në Europë.
Sinjalet e para për këtë u dhanë që të martën, kur aksionerët e fushës së Shah Denizit thanë për Reuters se nëse do të zgjidhet rruga nga Turqia në Itali, projekti i tyre i preferuar është gazsjellësi që mbështet Tirana. Projekti TAP parashikon kalimin e gazit në një rrugë më të shkurtër nga Azerbajxhani, Turqia, Greqia, Shqipëria dhe më pas në rrugë detare drejt Italisë. Vendimi për zgjedhjen e projektit TAP mes shumë të tjerëve në garë, u favorizua edhe më shumë nga vizita që kryeministri, Sali Berisha bëri në Azerbajxhan disa ditë më parë, ku siç u shpreh kryeministri, gjatë takimeve me personalitetet më të larta të këtij vendi bëri avokatinë më të ndershme të bazuar në argumente dhe fakte të pakundërshtueshme. Gjatë këtyre takimeve u vlerësua se TAP do të ishte projekti më i favorizuar për të fituar garën e gazsjellësve.
Ky projekt është disa miliardë euro më pak i kushtueshëm dhe shumë më realist se projektet e tjera.
Faktori kryesor që i dha mundësinë Shqipërisë për të qenë një nga tranzitet kryesore të gazit nga Azerbajxhani drejt Europës, lidhet me kapacitetet që ka vendi ynë për t’u bërë një epiqendër kryesore e shpërndarjes së tij në rajon. TAP i cili do të kalojë në territorin e Shqipërisë do të ketë një investim prej mbi 1 miliardë dollarë. Partnerët e projektit TAP, që janë kompanitë e njohura Statoil, Sëiss EGL dhe E.ON Ruhrgas, deklaruan se do të vijojnë me bisedimet për nisjen e projektit. TAP synon të nisë nga operimi në vitin 2017 duke transportuar 10 miliardë metër kub të gazit kaspik në një vit, për të arritur më pas deri në 20 miliardë metër kub. Ndërkohë, aksionerët e TAP po shqyrtojnë mundësinë që të lënë disa burime gazi në Shqipëri, në mënyrë që konsumatori shqiptar të kenë mundësi të përdorë gazin azer, për interesat e tij.
Gazsjellësi Trans Adriatik Pipeline
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është tubacioni i vetëm që mund të përmbushë dëshirën e Evropës Juglindore për të marrë gazin e Kaspikut në një mënyrë me kosto efektive dhe teknikisht të besueshme. I fokusuar në rritjen potenciale të kërkesës për gaz në rajon, TAP është parë në këtë mënyrë si një nga rrugët e duhura, prej të cilës do të përfitojë edhe Shqipëria.
Mendohet se, pasi TAP të realizohet, atëherë lidhjet me tregjet e Evropës Juglindore nëpërmjet tubacionit Adriatik-Jon dhe sistemeve të tjera, mund të zbatohen shumë shpejt. Projekti ka për qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit, si dhe diversifikimin e furnizimeve me gaz për tregjet evropiane.
Gjatësia totale e tubacionit është rreth 800 kilometra. Kapaciteti fillestar i tubacionit do të jetë 10 miliard metra kub në vit. Aksionarët TAP janë EGL në Zvicër (42.5%), Statoil i Norvegjisë (42.5%) dhe E.ON e Ruhrgas së Gjermanisë (15%). Ndërsa gazi i prodhuar në kuadër të fazës së dytë të fushës Shah Deniz së Azerbajxhanit është konsideruar të jetë edhe burimi kryesor për projektin e gazit TAP.
Në tetor, TAP së bashku me projektet e tubacioneve të tjera paraqitën një propozim gjithëpërfshirës të transportit të konsorciumit Shah Deniz 2, i cili do të marrë vendimin e saj në rrugën e transportit të preferuar deri në fund të këtij viti.