E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Haxhinasto vlerëson rolin dhe kontributin e NDI-së në Shqipëri

22-02-2012 / Gazeta 55

Krydiplomati shqiptar takon drejtorin për Europën të Institutit Kombëtar për Demokraci në SHBA, Robert Benjamin

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto vlerësoi rolin dhe kontributin në Shqipëri të Institutit Kombëtar për Demokraci (NDI).
Ministri Haxhinasto takoi dje në takim Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Lindore të NDI-së, Robert Benjamin, si dhe Drejtoren për Shqipërinë Ana Kadovic. Në takim u diskutua për zhvillimet në Shqipëri dhe rajon.
Haxhinasto nënvizoi se kontributi i NDI-së në Shqipëri, ka qenë orientuar ndaj sfidave me të cilat vendi ynë është përballur në periudha të ndryshme. Ky kontribut, tha ai, ka qenë i vlerësuar në drejtim të arritjes së standardeve për procesin zgjedhor por në reforma të tjera institucionale.
Në fjalën e tij, drejtori për Evropën, Robert Benjamin vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria dhe nënvizoi se tashmë angazhimi i NDI-së është përqendruar në tre drejtime: pjesëmarrja në masën 30% të grave në listat e kandidatëve për zgjedhjet e përgjithshme, duke punuar paralelisht në formimin e kapaciteteve të tyre për të përballuar sfidat; procesi zgjedhor me një fokus të veçantë në drejtim të fazës parazgjedhore; dhe së fundi në punën me organizatat partiake rajonale, duke përfshirë organizatat e të rinjve, grave, si dhe organizatat jo-qeveritare. Në vazhdim. Benjamin vlerësoi rolin konstruktiv dhe progresist të Shqipërisë në rajon, duke evidentuar ate si vendin e vetëm në rajon që nuk ka asnjë problem me fqinjët apo vendet e tjera të rajonit.
Në takim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin qëndrim se elektorati shqiptar është më i maturuar dhe tashmë është i gatshëm të bëjë të qartë, se çfarë ai kërkon nga zgjedhjet e ardhshme, gjë që shënon një zhvillim pozitiv në skenën dhe realitetin politik në Shqipëri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›