Presidenti të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper
Ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper deklaron se zgjedhja e presidentit të ardhshëm, parashikohet qartësisht në Kushtetutë.
Sipas saj, e rëndësishme është që Presidenti të ketë miratimin e ligjit themeltar të shtetit, çka nënkupton se në një fazë të caktuar të raundit ai zgjidhet me shumicë të thjeshtë.
“Për ne është e rëndësishme që Presidenti të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë. Dhe Kushtetuta e Shqipërisë tregon qartë preferencën e vet për një kandidat mbipartiak si në personin e Presidentit, ashtu edhe në procedurat e zgjedhjes: Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e popullit, nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik apo veprimtari private. Presidenti propozohet nga të paktën 20 deputetë dhe zgjidhet me një shumicë prej 3/5; vetëm në një fazë të mëvonshme mund të jetë e mjaftueshme shumica e thjeshtë, dhe përpos kësaj, në të rregullohet edhe rasti i mbetjes vakant të postit. Ky kuadër rregullator është pa dyshim i krahasueshëm me atë në Gjermani”, tha Holtkemper.
Ambasadorja gjermane shtoi gjithashtu se presidenti i ardhshëm duhet të nisë punën si Kryetar i KLD për bërjen e reformës në sistemin e drejtësisë. “Prej Presidentit të ardhshëm presim të angazhohet në detyrën e tij si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për reformën e sistemit të drejtësisë me qëllim ndërtimin e shtetit ligjor”.