Strukturat shtetërore angazhim maksimal për emergjencën

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani inspekton komunën Golaj të Hasit, viziton edhe familjen e të ndjerit Isa Qarri
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani gjatë inspektimit që zhvilloi sot në Komunën Golaj të Hasit siguroi mbështetje dhe u bëri thirrje autoriteteve vendore të vijojnë punën jo vetëm për komunikimin e qendrave të komunave me akset rrugore kombëtare, por edhe për hapjen e rrugëve që lidhin qendrat e fshatrave me qendrat e komunave.
E ndërsa Kryetari i Komunës Golaj, Zenel Kastrati raportoi se është dashur të zhbllokohen rrugët disa herë për shkak të reshjeve të vazhdueshme të dëborës, Ministri Nishani kërkoi vazhdimin e punës pa ndërprerje në mënyrë që çdo qendër komune të lidhet me akset nacionale.
“Të vijojë pa ndërprerje puna ashtu siç ka vazhduar gjatë gjithë këtyre ditëve në mënyrë të tillë që gjatë këtyre ditëve çdo qendër komune të jetë e lidhur me akset rurale dhe nacionale. Gjithashtu ne vazhdojmë të mbështesim dhe do të mbështesim kryetarët e komunave, kryepleqtë e fshatrave me fonde për të vijuar hapjen e rrugëve të fshatrave për t’i lidhur me qendrat e komunave”, tha ai.
Ministri Nishani nënvizoi se çelësi i suksesit për përballimin e emergjencës ka qenë solidariteti mes të strukturave shtetërore, qeverisjes vendore dhe komunitetit.
“Solidariteti mes qytetarëve, komunitetit, përfaqësuesve të pushtetit lokal, agjencive të shtetit dhe qeverisë, bëri të mundur që ne të përballim një situatë shumë të vështirë dhe të jemi sot brenda një kohe shumë të shkurtër me mundësi të mëdha lëvizjeje për qytetarët. Pamë sesi është punuar dhe është bërë e mundur që ajo që është kryesorja, lëvizshmëria, kalueshmëria e qytetarëve sot është në parametra normalë”.
Duke u ndalur pikërisht tek solidariteti që duhet të dëshmohen në këtë periudhë emergjence, ministri Nishani apeloi për ndihmën që duhet t’u jepet personave që nuk mund t’i pastrojnë vetë çatitë nga dëbora për shkak të moshës ose arsyeve shëndetësore.
“Mund të kemi njerëz të moshuar të cilët e kanë të pamundur pastrimin e dëborës nga çatitë, kështu që unë do të mbështesja çdo angazhim dhe organizim që bën administrata e komunës, kryepleqësitë e fshatrave me djemtë e rinj të fqinjëve, banorëve të tjerë, për të ndihmuar dhe ato shtëpi ku mund të kemi të moshuar dhe do ta kenë të pamundur ta pastrojnë vetë çatinë nga bora, apo për të hapur rrugën tek hyrja e shtëpisë”, tha më tej Nishani.
Ministri i Brendshëm, Nishani kreu edhe një vizitë ngushëllimi në familjen e Isa Qarrit, në fshatin Qarr të Komunës Golaj, i cili humbi jetën për shkak të të ftohtit me gjithë angazhimin e strukturave shtetërore për të shpëtuar jetën e tij, ashtu si të personit tjetër që u bllokua nga bora së bashku me të. Ministri Nishani i përcolli familjes Qarri edhe ngushëllimet e Kryeministrit Berisha dhe e siguroi për mbështetjen e plotë të qeverisë për t’i ardhur në ndihmë.
Drejtori i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli
Drejtori i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli raportoi dje mbi situatën e shkaktuar nga reshjet e dendura të dëborës në verilindje dhe juglindje të vendit. Ndërprerja e reshjeve ka çuar në rritjen e temperaturave me të paktën 3-4, të cilat kanë bërë të mundur largimin e masiveve të akullit dhe dëborës në zonat më problematike të këtij fillim muaji.
“Në të gjithë vendin nuk ka patur reshje. Temperaturat janë ngritur me 3-4 gradë duke bërë që situata të përmirësohet ndjeshëm. Në të gjithë qarqet ku është shpallur gjendja e emergjencës janë ende 9 komuna të bllokuara”, u shpreh Olli.
Sipas tij, nga qarqet problematike si Kukës, Shkodër, Korçë dhe Dibër, ky i fundit ka vetëm një komunë të bllokuar, komuna Lurë, ku vazhdon puna e strukturave shtetërore në 3 km e fundit, për lidhjen e saj me aksin nacional.
“Në gjithë qarkun Dibër vetëm komuna Lurë është e bllokuar, po punohet për hapjen e saj në dy drejtime me dy traktorë të fuqishëm me zinxhirë, kanë mbetur edhe 3 km e fundit pa hapur. Ndërkohë të gjitha akset nacionale janë të hapura. Të gjitha komunat po marrin masa për çeljen e rrugëve të brendshme komunale drejt fshatrave. Vlen të theksojmë faktin se fondet e akorduara nga Ministria e Brendshme janë tërhequr nga kryetarët e komunave, të cilët po kontraktojnë mjete private për hapjen e rrugëve ndërmjet fshatrave”, tha ai.
Sipas drejtorit të Emergjencave Civile edhe qarku i Shkodrës është i favorizuar nga rritja e temperaturave, pasi moti i kthjellët dhe me diell ka sjellë largimin e dëborës. Aktualisht janë 4 komuna të bllokuara si komuna Shalë, Shosh, Iballë, Fierzë. Ndersa gjendja e akseve rrugore paraqitet e normalizuar, teksa të hapura janë akset Shkodër – Koplik – Han i Hotit; Pukë – Fush Arrëz – Qafë Mali. Qarkullohet lehtësisht dhe pa zinxhirë me dy kalime në aksin Hadroj – Bene si dhe në segmentin Koplik – Bogë. Ndërsa për segmentin Laç – Koman qarkullimi bëhet pjesërisht me zinxhirë, pasi ka prezencë akulli në një segment rrugor prej 2 km. Për segmentin Qaf Qelë – Pukë dhe Dedaj-Razëm, qarkullimi bëhet pa zinxhirë. Edhe për qarkun e Kukësit situata duket në përmirësim e sipër, teksa numri i komunave ende të bllokuara ka zbritur në katër. Vazhdon puna për zhbllokimin e akseve rrugore që lidhin komunat Grykë Çaje, Kalis, Arrën dhe Lekbibaj. Por, qarkullimi i automjeteve është ende problematik në një pjesë të mirë të akseve rrugore si Kukës – Shishtavec (qarkullimi pjesërisht me zinxhirë); Kukës – Bushtricë, deri në kufi me Peshkopinë, qarkullohet më zinxhirë. Krumë – Kam e qarkullueshme me zinxhirë; Kukës – Qaf Shllak, e qarkullueshme me zinxhirë. Krahas akseve rrugore ku ka prezence akulli dhe dëbore, strukturat shtetërore kanë bërë të mundur zhbllokimin tërësor të Rrugës së Kombit, i cili është i kalueshëm pa problem në të katër korsitë.
Ndërkohë, qarku i Korçës thuajse ka kapërcyer emergjencën, teksa janë të kalueshme të gjitha akset rrugore rurale dhe nacionale.
“Nuk ka komuna të bllokuara. Të gjitha rrugët nacionale janë të kalueshme dhe pa probleme. Sot janë bërë zgjerime në segmente të caktuara. Akset rrugore nacionale Korçë-Kapshtice; Korçë-Q/Plloçe; Q/Plloçë-Pogradec dhe Pogradec-Q/Thanë janë të kalueshme normale gjate gjithë kohës. Edhe rrugët Korçë-Ersekë-Leskovik; Korçë-Voskopojë; Zëmblak-Liqenas-Goricë dhe Maliq-Lozhan-Moglicë të kalueshme normale dhe pa zinxhirë. Edhe rruga Korçë-Dardhë e kalueshme, por 3 km me zinxhirë. Të gjitha komunat e Qarkut Korçë qarkullohen normalisht dhe vetëm në disa komuna ka segmente që duhet të përdoren zinxhirë”.
Nga angazhimi i Forcave të Armatosura në terren, kreu i Emergjencave Civile tha se vazhdon transporti i ndihmave, ndërsa ka pasur dhe një rast emergjence shëndetësore në qarkun e Shkodrës.
“Vazhdon transportimi i ndihmave. Një helikopter Tip BO-105 me 200 kg dhe AB 205 me 400 kg me ndihma kanë kryer fluturime për transport ndihmash në Komunën Qelëz (Mille, Qafë Mugull dhe Qyqeshë). Ndërsa angazhimi i Ministrisë së Shëndetësisë vlen të përmendet vetëm një rast në Qarkun Shkodër”, tha Olli.
Duke bërë një bilanc të emergjencave Shëndetësore, Olli tha se janë kryer 84 misione fluturimi si dhe janë transportuar për në spital, rreth 91 pacientë.
“Që nga fillimi i operacionit të emergjencës, helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë kryer gjithsej 84 misione fluturimi, duke transportuar në spitalet e rretheve 91 pacientë, me raste të rënda dhe urgjente, si dhe paketa me medikamente shtesë e personel mjekësor në të gjitha zonat e izoluara nga dëbora”.