Vrasja e shqiptarit, prangosen dy rumunë
Policia italiane zbardh vrasjen e emigrantit shqiptar Ortek Dani. Dy shtetas rumunë janë arrestuar në Spanjë, pasi akuzohen se janë autorë të vrasjes së emigrantit 34-vjeçar, i cili vdiq i goditur me thika në një lokal në qytetin e Padovas, katër muaj më parë. Menjëherë pas vrasjes, dy rumunët ishin larguar për t‘u fshehur në Spanjë. Pas mbledhjes së provave, prokurorët vërtetuan se dy rumunët, Ion Bunica dhe Bogdan Dujan, ishin autorë të vrasjes së shqiptarit. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur katër muaj më parë dhe shkak ishte shoqërimi i Ortek Danit me një vajzë rumune, e cila shfrytëzohej nga dy autorët e vrasjes. Ai kishte kaluar një natë "playboy" së bashku me një vajzë rumune, e cila kishte tutor Bunikën. Rumuni konsiderohej si kapobanda e shfrytëzimit të prostitutave rumune në Itali. Provë për fajësimin e tyre janë, përveç dëshmive të të pranishmëve në vendin e ngjarjes, edhe gjurmët e gjakut, që do të krahasohen me ADN-në e dy të arrestuarve. Bogdan Dujan është ekstraduar në Itali, ndërsa Ion Bunica, i cili është edhe personi që ka qëlluar mbi viktimën, do të ekstradohet brenda disa ditësh.