E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mima: Reformë në uljen e taksave kombëtare

Ka nisur dje Forumi Ekonomik i Vjenës, ku të pranishëm ishin investitorë të mëdhenj nga Austria, por edhe drejtues të kompanive të ndryshme. Gjatë prezantimit të performancës që ofron Shqipëria për investitorët e huaj, zëvendësministri i Financave, Florion Mima, tha dje në forum se, "me mbështetjen direkt të Kryeministrit Sali Berisha po punohet fort për reduktimin e një sërë taksash kombëtare". Zv/ministri i Financave paraqiti për investitorët e pranishëm në këtë forum të gjitha masat e marra nga qeveria për lehtësimin e barrës fiskale për biznesin dhe veçanërisht për nxitjen e biznesit të huaj për të investuar në Shqipëri, në të gjitha fushat ku ata do të dëshironin. Forumin Ekonomik e hapi që në fillim Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili ftoi investitorët austriakë të investojnë në Shqipëri. "Vendi ynë është i vogël, por ofron potenciale të mëdha për investitorët e huaj", tha Kryeministri. Kreu i qeverisë vazhdon t‘i mbetet qëndrimit për ndërtimin e centralit bërthamor në Shqipëri, si e vetmja mundësi për të përfituar energji të pastër elektrike.

Forumi Ekonomik i Vjenës, një aktivitet që organizohet për herë të parë në Tiranë nga Agjencia e Investimeve të Huaja, (Albinvest) ka nisur punimet që dje pasdite, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të kompanive të mëdha të Austrisë, vendeve të rajonit të Detit të Zi, nga Shqipëria etj. Kryeministri, ndër të tjera, u ndal në reformat e qeverisë që drejton, të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm klimën për biznesin, duke vënë në dukje vijën bregdetare të Shqipërisë, ende të pashfrytëzuar, burimet ujore, pasuritë minerale etj. Mbajtja në Tiranë e Forumit Ekonomik të Vjenës, me president ish-koordinatorin e paktit të stabilitetit, Erhard Busek, konsiderohet si një mundësi e mirë për t‘u takuar dhe zgjuar interesin publik e privat për rajonin. Anëtarë të Forumit Ekonomik të Vjenës janë investitorë, të cilët janë të interesuar për kontaktim me vendimmarrësit shqiptarë, me synim realizimin e projekteve në Shqipëri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›