E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapitali social, aset dhe instrument zhvillimi

Në dy dekadat e fundit, roli i kapitalit social në shoqërinë moderne vazhdon të jetë objekt i kërkimeve, debateve dhe diskutimeve teorike. Por pavarësisht prej debateve të natyrshme për një koncept relativisht të ri, kapitali social po operacionalizohet gjithnjë e më shumë si strategji efikase e zhvillimit social. Definicionet dhe këndvështrimet e kapitalit social janë nga më të larmishmet, por, në një kuptim më të përgjithshëm, ai përkufizohet si kapaciteti dhe aftësia e grupeve sociale të diversifikuara për të kooperuar dhe punuar së bashku në zgjidhjen e problemeve dhe prodhimin e të mirave të përbashkëta. Nëse kapitali financiar depozitohet në banka, kapitali social është një "pasuri" që investohet për t‘u shfaqur në marrëdhëniet, ndërveprimin dhe bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të ndryshëm socialë. Eksperienca tregon se shoqëritë/komunitetet me kapital të pasur shoqëror karakterizohen nga kohezioni social,rritja e shpejtë ekonomike, besueshmëria e institucioneve dhe zhvillimi i qëndrueshëm social.

Kapitali social përbën një instrument të rëndësishëm për nxitjen e evolucionit shoqëror, të cilin Durkheim e shihte si një lëvizje nga solidariteti mekanik i shoqërive fisnore, drejt solidaritetit organik karakteristik për shoqëritë industriale. Robert Putnam, studiuesi prestigjioz i konceptit dhe funksioneve praktike të kapitalit social, në punimet e tij serioze ka evidentuar rolin dhe impaktet pozitive të aplikimit të kapitalit social në zhvillimin e shoqërisë.

Në kohën e sotme, konceptimi dhe aplikimi në praktikë i kapitalit social, si aset dhe instrument i zhvillimit komunitar, merr një rëndësi të veçantë nisur nga dy perspektiva: në këndvështrimin e rolit dhe dimensioneve të "wellfare state" në kushtet e ekonomisë së tregut dhe në perspektivën e dinamikave të reja sociale të një shoqërie që gjithnjë e më shumë po modelohet si shoqëri individualiste.

Në kontekstin e reformës për modernizimin e politikave të mirëqenies sociale, "teknologjia" e kapitalit social vjen si një zgjidhje optimale dhe rrugëkalim i natyrshëm nga shteti social drejt shoqërisë sociale. Kjo qasje bëhet akoma më imperative në kushtet kur zgjerimi i nevojave sociale, përmirësimi i cilësisë dhe rritja e aksesit në shërbimet e përkujdesit për njerëzit në nevojë kërkojnë angazhime gjithnjë e më të mëdha financiare, struktura dhe burime të reja për menaxhimin, koordinimin dhe administrimin e sistemit të mbrojtjes sociale.

Makthi veberian mbi rrezikun e "kafazit robërues të burokracisë" mbetet gjithnjë aktual. Edhe shtetet më potenciale të fuqishme dhe sisteme moderne të mbrojtjes sociale do ta kishin të pamundur të përballonin fluksin në rritje të nevojave sociale, pa rolin mbështetës të rrjeteve informale të sigurisë sociale. Familjet, fqinjët, farefisi dhe lidhjet ndërpersonale funksionojnë si "network" i solidaritetit dhe ndihmës së ndërsjellët materiale e morale për kapërcimin e vështirësive, krizave e fatkeqësive të ndryshme.

Por këto burime marrin vlerë të shumëfishuar dhe kthehen në instrumente të zhvillimit social komunitar, kur strukturohen dhe funksionojnë si elemente të kapitalit social. Janë pikërisht këto lidhje ndërpersonale, bashkëveprimi dhe kooperimi horizontal ndërmjet individëve, grupeve, shoqatave dhe organizatave që japin "karburantin" e nevojshëm për funksionimin e fabrikës sociale.

Nevoja për aplikimin e strategjive të zhvillimit mbi bazën e funksionimit të kapitalit social merr theks të veçantë në kontekstin e dinamikave të reja të zhvillimit social, kur kahja e individualizmit po forcohet gjithnjë e më shumë si mentalitet, stil dhe mënyrë jetese, duke sjellë si pasojë izolimin social dhe mbylljen e individit brenda guaskës së interesave të ngushta personale apo grupore. Moderniteti, si proces zhvillimi dhe urbanizimi, çan përpara duke rrafshuar lidhjet dhe vlerat e shoqërisë së mbyllur tradicionale.

Lëvizja demografike dhe diversifikimi i interesave, ndryshimi statusit social dhe material, ka bërë që fqinjët e dikurshëm të jenë më të ftohtë, banorët e komuniteteve urbane të jenë më të largët dhe anonimë. Mobiliteti social, teknologjia e informacionit, interneti, celulari etj., kanë reduktuar kontaktet direkte ndërmjet të njohurve dhe miqve. Mobilizimi i burimeve të komunitetit dhe përfshirja e sa më shumë aktorëve potencialë në rrjetet e bashkëpunimit dhe kooperimit të ndërsjellët bëhet akoma më imediate në kushtet e decentralizimit, kur pushteti vendor ende nuk zotëron burimet, kapacitetet dhe fondet e nevojshme për mbulimin e të gjithë spektrit të nevojave të zhvillimit komunitar. Është pikërisht kapitali social që lehtëson ndërveprimin reciprok ndërmjet strukturave të shtetit, biznesit dhe "sektorit të tretë", duke siguruar burime ekonomiko-financiare, mjete, oportunitete dhe pjesëmarrje të të gjithë aktorëve.

Nxitja e aksionit kolektiv dhe pjesëmarrja e qytetarëve në jetën e komunitetit nëpërmjet procesit "bottom up" kushtëzohet nga shkalla e besimit ndaj subjekteve bashkëpunuese, nga ndarja e vlerave dhe normave të përbashkëta, nga dendësia e lidhjeve dhe sasia e rrjeteve sociale formale dhe informale. Besimi dhe reciprociteti në literaturën sociologjike vlerësohen si "burimet morale" të nxitjes së vullnetarizmit dhe solidaritetit social ndërmjet individëve, grupeve sociale dhe rrjeteve informale që veprojnë në brendësi të komunitetit.

Studimet e pakta në këtë fushë ende të palëvruar të shkencave sociale dëshmojnë se Shqipëria radhitet në vendet me një "fond" dhe kulturë të varfër të kapitalit social. Por nuk duhet të jemi pesimistë! Kapitali social nuk është një strukturë statike dhe e ngurosur. Ai ndryshon në varësi të kontekstit social, ekonomik, kulturor dhe dinamikave të reja të zhvillimit të shoqërisë. Studimet dhe kërkimet tregojnë se kapitali social edhe atje ku mungon ose është i varfër mund të nxitet, të ripërtërihet dhe zhvillohet.

Praktikat e mira të evidentuara nga Banka Botërore në vendet në zhvillim provojnë se në komunitetet me burime, kapacitete dhe asete të kufizuara, kapitali social mund të zhvillohet përmes strategjive të partneritetit dhe krijimit të sinergjive ndërmjet institucioneve lokale, organizatave me bazë komunitare, shoqatave vullnetare dhe rrjeteve informale të shtrira në strukturën sociale të një komuniteti.

Në këtë proces, shteti me politikat e tij ndikon në shumë drejtime, por ai nuk mund të ndërhyjë në të gjitha sferat e jetës ku ngjizet kapitali social. Kjo për faktin se, në mjaft aspekte, kapitali social është mbiprodukt i zhvillimit historiko-shoqëror, lidhet me traditën, kulturën, rolin e fesë dhe faktorë të tjerë socialë. Aplikimi i strategjive të zhvillimit të bazuara në burimet e kapitalit social hap një perspektivë të re për kalimin nga shteti social tradicional, drejt një sistemi miks të "wellfare comunity", bazuar në aktivizimin e parimeve të kooperimit, reciprocitetit dhe solidaritetit social.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›