Jeremiç: “Serbia nuk do që Kosova të ndahet”
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, deklaroi se në qeverinë e Serbisë nuk ekziston ideja e ndarjes së Kosovës. Ai mohoi se plani gjashtëpikësh i Beogradit është një hap drejt ndarjes. “Po punojmë për krijimin e rrethanave për hapjen e bisedimeve. Për përmbajtjen do të flasim kur të arrihet deri të bisedimet”, - tha Jeremiç për gazetën “Danas”. I pyetur nëse ekziston ideja e ndarjes së Kosovës, ai tha se në kuadër të qeverisë së Serbisë nuk ekziston ky mendim. Jeremiç tha se Beogradi mbështetet në të drejtën ndërkombëtare dhe pret që në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të merret vendimi se autoritetet e Kosovës “këtë të drejtë e kanë shkelur”. Sipas tij, pas këtij vendimi nuk pritet që të vazhdojë procesi i njohjes së Kosovës dhe anëtarësimi i këtij vendi në organizatat ndërkombëtare, ndonëse pranoi se Kosova mund të bëhet anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), sepse shumica e anëtarëve janë shtete që e kanë njohur Kosovën.
Qeveria kosovare, thirrje Serbisë: Mos nxitni dhunën në Veri!
Përveç shtimit të masave të sigurisë në veri të Mitrovicës, qeveria e Kosovës është në bisedime me autoritetet ndërkombëtare nga të cilat ka kërkuar që të shtojnë presionin ndaj Serbisë për të ndalur nxitjen e veprimeve të dhunshme në veri të Kosovës. Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi. “Qeveria është duke marrë tri masa paralelisht. Në radhë të parë me organet e rendit në Kosovë duke rritur shkallën e gatishmërisë së tyre, në koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in. Angazhimi i dytë është që të ketë koordinim dhe kontakt të plotë me qytetarët për t’i stimuluar që të vazhdojnë jetën atje, për të mos pasur panik dhe për të rritur shkallën e besimit në institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë. Angazhimi ynë i tretë janë kontaktet me bashkësinë ndërkombëtare duke kërkuar që të bëhet presion në qeverinë e Beogradit që të mos bëjnë veprime destruktive dhe të dhunshme në territorin e Republikës së Kosovës”, - tha Kuçi.Ai bëri të ditur se qeveria e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro për kompensimin e dëmeve në pronat e shqiptarëve në veri të Mitrovicës, që u dogjën fundjavën e kaluar nga një grup serbësh.
7 Janar 2009