Gazi u merr jetën 2 punëtorëve të HEC

Tuneli i hidrocentralit të Selishtës, ku ndodhi ngjarja
DIBER/ Shoqërohet pronari: Ishin tri ditë me leje. Vazhdojnë hetimet për ngjarjen e rëndë.
Tragjedia gjatë punës në tunelin e hidrocentralit të Selishtës.
Humbin jetën tragjikisht dy persona mbrëmjen e së hënës në fshatin Selishtë të Dibrës. Megjithëse ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30 të datës 16 prill 2012, vetëm dje paradite lajmi është bërë i ditur nga autoritetet policore dhe drejtuesit e pushtetit lokal në këtë zonë. Viktima të gazrave helmues që çlironte galeria e hidrocentralit janë Nazmi Hida 52 vjeç, banues në fshatin Selishtë, baba i katër fëmijëve dhe Qamil Shehi 49 vjeç, lindur në Selishtë e banues në Laprakë, baba i tre fëmijëve. Burime të sigurta informacioni bëjnë me dije se nga hetimet e deritanishme të Policisë lokale shkak i vdekjes së dy dibranëve, njëri minator dhe tjetri roje objekti, ka qenë çlirimi i gazrave të dëmshëm nga tuneli i hidrocentralit që po ndërtohet në këtë fshat nga biznesmeni Ramazan Biba, pronar i firmës IRZ sh.p.k. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes i thanë grupit hetimor se Hida dhe Shehi kanë hyrë në tunel mëngjesin e ditës së hënë për të vijuar punimet avancuese në tunelin që do të shërbente për kalimin e ujit nga vepra e marrjes deri te diga e hidrocentralit. Ndonëse ngjarja nuk është zbardhur plotësisht, burime pranë organit të akuzës thanë për Panorama se dy punonjësit e firmës kanë nisur punën si çdo ditë tjetër dhe në mbrëmje janë gjetur të asfiksuar, në gjendje të rëndë nga të afërmit e tyre, disa metra në hyrje të galerisë. Dy viktimat janë gjetur disa metra nga hyrja e tunelit, në përpjekje për të dalë nga andej. Janë gjetur në grahmat e fundit dhe shumë shpejt janë përcjellë për në spitalin rajonal të Peshkopisë, por gjatë rrugës ata kanë ndërruar jetë, pasi gjendja e tyre ishte kritike dhe rruga për të vajtur deri në spital ishte e largët, thanë burime të Policisë Dibër. Sipas Policisë, nga hetimet e para të kryera ka rezultuar si ngjarje aksidentale, ndërkohë që Prokuroria e Rrethit Dibër po heton rreth ngjarjes, pasi ende nuk janë të qarta rrethanat e vdekjes së dy punëtorëve. Nuk dihet me saktësi nëse ata janë helmuar nga gazrat gjatë punës apo kanë hyrë në mbrëmje në tunel për të shpëtuar një pompë uji që mund të përmbytej nga ujërat e tunelit. Zyrtarë të organit të akuzës thanë se do ti shkojnë deri në fund ngjarjes, pasi nuk mund të tolerohet humbja e jetëve të njerëzve në miniera e hidrocentrale. Mësohet se dje është marrë në pyetje nga policia pronari i hidrocentralit që po ndërtohet, Ramazan Biba. Ai është justifikuar se prej tri ditësh firma u kishte dhënë leje punëtorëve, ndërkohë që Nazmi Hida dhe Qamil Shehi mund të kenë hyrë me nxitim në galeri për të shpëtuar pompën e ujit apo diçka tjetër. Pas sqarimeve të dhëna në Komisariatin e Policisë Dibër, Biba është lënë i lirë.
Kryekomunari: Hida e Shehi ishin hallexhinj
Kryetari i komunës Selishtë, Xhemal Delishi, pasi shprehu dhimbjen për ngjarjen e ndodhur në komunën ku ai drejton, tha se familja e Nazmi Hidës dhe Qamil Shehit kishin probleme të mëdha ekonomike. Nazmiu, – tha Delishi, – kishte katër fëmijë për të rritur dhe jetonte në kushte varfërie. Ndërkohë Qamili ishte shpërngulur para pak vitesh nga Selishta për në Laprakë, por për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike vinte për të punuar këtu te hidrocentrali. Të dyja familjet kishin halle të shumta, ndaj kryefamiljarët u detyruan të punojnë në punë të vështira për të mbijetuar, theksoi kryekomunari i Selishtës.
Hidrocentrali, firma fitoi më 2007
Ndërtimi i hidrocentralit të Selishtës është fituar nga firma IRZ me pronar Ramazan Bibën. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave 274, vendimi është marrë më datë 04.05.2007, pasi firma fitoi 7 pikë. Hapja e ofertës është bërë me 24.08.2007. Ky është i vetmi hidrocentral në komunën e Selishtës. Nga HEC-i deri në veprën e marrjes distanca është afro 300 metra, ndërkohë që mes tyre, pra HEC-it dhe digave, kërkohet ndërtimi i një tuneli nga do të kalonte uji. Pikërisht në këtë tunel dy ditë më parë humbën jetën dy banorë të zonës.
Protestat në Bulqizë, gjobë sindikalistëve
PESHKOPI – Gjykata e Dibrës dënon krerët sindikalistë të minatorëve të Bulqizës, të akuzuar për zhvillimin e protestave të paligjshme dhe bllokimin e rrugëve nacionale. Sindikalistët Dilaver Përkoxha, Baki Bajraktari, Sali Alliu e Luan Nika janë dënuar me gjobë nga 200 mijë lekë për shkelje të ligjit. Menjëherë pas vendimit ka reaguar Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, e cila e konsideron vendimin si formë presioni ndaj krerëve të kësaj sindikate. Taf Koleci, presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, tha se që dje janë marrë të gjitha masat për ta apeluar vendimin si të pabazuar në ligj e prova e fakte.
DIBER/ HASAN PASHA