E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhja e “Gërdecit”, opozita bojkoton seancën në shenjë proteste

Opozitarët kërkojnë vazhdimin e debatit mbi përgjegjësitë. Maxhoranca vazhdon me rendin e ditës duke miratuar ligjet
Erald Kapri

Deputetët e opozitës në mënyrë unanime kanë bojkotuar ditën e djeshme seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë duke kërkuar vazhdimin e debatit mbi zbardhjen e përgjegjësive mbi ngjarjen e rëndë në fshatin Gërdec. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vazhdoi me rendin e ditës duke e cilësuar debatin mbi tragjedinë në Gërdec si të mbyllur ditën e djeshme, por deputetët e opozitës kërkuan vazhdimin e tij. Sipas tyre, ende ka shumë çështje për të diskutuar në lidhje me tragjedinë e ndodhur dhe se kjo çështje meriton të trajtohet më shumë. Deputetët e opozitës u shprehën se ngjarja e rëndë në Gërdec është më e rëndësishme se projektligjet që priteshin të miratoheshin. Kryetarja Topalli doli në kundërshtim të idesë së deputetëve opozitarë duke u shprehur atyre se ngjarja është e rëndë, por shteti duhet të funksionojë dhe për këtë ligjet duhet të kalojnë.
Bojkoti
Duke parë rezistencën e kryetares Topalli, e cila kërkoi respektimin e vendimit të Konferencës së Kryetarëve, opozita bojkotoi Kuvendin në shenjë proteste. Sipas Braçes, është anomali mbyllja e debatit në kushtet kur tragjedia mbetet e hapur: “Është plotësisht anormale që Parlamenti i Republikës së Shqipërisë të merret me këto çështje, që janë planifikuar sot për rendin e ditës, në kushtet kur tragjedia ende nuk është mbyllur. Kjo është një arsye shumë e madhe, ne nuk mund të shesim sot as INSIG-un, as Korporatën Elektroenergjetike mbi kufoma dhe ky është amoraliteti më i madh që ne të mblidhemi sot në Parlament për të miratuar ligje tregtie për KESH-in dhe për INSIG-un, ndërkohë që atje ende dalin kufoma. Ne nuk mund të vazhdojmë me këtë rend dite. Si mund të vazhdojmë ne me këtë rend dite kur media sot ka hedhur dritë mbi një tregti të tmerrshme armësh, kur kjo tregti armësh ka marrë jetën e atyre njerëzve atje?” - tha Braçe. Nga ana tjetër edhe deputetët e LSI-së deklaruan bojkotin e tyre ndaj seancave të Kuvendit deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes që shkaktoi shumë të vdekur e të plagosur. Që prej fillimit të seancës së sotme parlamentare deputetët opozitarë lëshuan serish akuza ndaj kryeministrit Berisha si përgjegjësi kryesor për tragjedinë, ndërsa kërkuan prej tij të japë dorëheqjen.
Seanca
Këtij qëndrimi të opozitës kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, iu përgjigj ashpër duke u kujtuar atyre detyrën si deputetë. “Në fakt është vendim i Konferencës që e keni marrë ju zotërinj, por ju nuk i qëndroni fjalës suaj dhe kjo nuk është normale. Unë gjykoj se ngjarja që ka ndodhur është shumë e rëndë, por kjo nuk do të thotë që shteti të ndalet dhe të mos funksionojë më asgjë, të mos miratohen ligjet, të mos funksionojnë ministritë. Ju keni qenë vetë ministra dhe kryeministra, dhe e kuptoni se sa e rëndë është kjo që ju sillni sot. Ju doni që Parlamenti të mos funksionojë, por kjo nuk shkon. Parlamenti duhet të jetë më i gjallë dhe më funksionues se kurrë. Ajo çfarë ndodhi na ka bërë të gjithëve të mendojmë shumë se çfarë duhet të ndryshojmë te ligjet? Cilat janë ato ligje që na kanë sjellë këtu? Ku duhet të ndërhyjmë? Çfarë duhet të reformojmë? Ky, dhe jo ikja apo kërkesa për të mos funksionuar asgjë, është seriozitet e marrje e përgjegjësive”, - tha Topalli. Ndërkohë, Kuvendi miratoi ditën e djeshme me shumicë votash disa projektligje të rëndësishme, si dhe projektrezolutën "Për vlerësimin e punës së Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit për vitin 2007". Në vijim të rendit të ditës Kuvendi miratoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 8934, datë 5.9.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar", si dhe projektligjin “Për një ndryshim në Ligjin nr. 9649, datë 27.11.2006 “Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG Sh.a.”. Gjithashtu, në seancën e sotme plenare u miratua edhe projektligji "Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së rishitjes së aksioneve të INSIG Sh.a. ndërmjet Ministrisë së Financave që vepron në emër të shtetit shqiptar, Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim".

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›