Gazmend Sollaku, drejtori i ri i stadiumit “Qemal Stafa”
TIRANE- Kryetari i Këshillit Mbikqyrës të Stadiumit Qemal Stafa, Indrit Fortuzi ka zyrtarizuar sot në një konferencë për shtyp largimin e Perikli Dhales si drejtorin e stadiumit Qemal Stafa dhe emërimin në vend të tij të ish futbollistit të njohur të Dinamos Gazmend Sollaku. Fortuzi ja ka hedhur tërësisht fajin OSSH-së dhe drejtorisë së stadiumit për atë që ndodhi, ndërsa insistoi se gjithcka mund të ketë qenë një sabotim. “Me urdhër të ministrit, sot është ngritur një grup pune me përfaqësues të Ministrisë sonë dhe Ministrisë së Ekonomisë për të marrë në shqyrtim një reformë të thellë në drejtimin e ambienteve sportive, si stadiumi kombëtar Qemal Stafa dhe pallati i sportit. Shkarkimi i drejtorit aktual bëhet për shkak se ai lejoi fillimin e ndeshjes edhe pse nuk ishin marrë masat e parashikuara në rregulloren, të vendosura nga UEFA dhe FIFA të cilat duhet të siguroheshin nga OSSH-ja dhe që lidhen me furnizimin alternativ me energji elektrike. Pavarësisht se përgjegjësia është e OSSH-së pasi ajo ka bërë një kontratë marrëveshje me firmën Taci Oil që ka marrë në mbikqyrje stadiumin për atë ndeshje, ndërsa drejtori i stadiumit nuk dueht të lejonte fillimin e ndeshjes pa këtë lloj burimi. Sabotimi, për fat të keq është një lloj ndryshimi që mund të krijohet sepse po të shikosh në aparencë duket se ndërpreja e energjisë është bërë vetëm në pjesën e fushës” u shpreh Fortuzi. Fikja e dritave në mesin e ndeshjes Gramozi- Real madrid ndodhi në fillimin e pjesës së dytë si pasojë e djegies së transformatorit , ndërsa në stadium mungonte një gjenerator rezervë. (e.n/News24/BalkanWeb)