Josipovic: Serbia të pranojë humbjen e Kosovës
TIRANE- Presidenti i sapozgjedhur i Kroacisë, Ivo Josipovic ka deklaruar se “rrota e historisë” nuk mund të kthehet mbrapa dhe se Serbia e ka humbur Kosovën shumë përpara pavarësimit formal të saj. Duke komentuar deklaratën e paraardhësit të tij Stipe Mesic, se në rast të referendumit për shkëputjen e Republikës Serbe të Bosnjes, Kroacia do të dërgonte ushtrinë për të ndërhyrë, Josipovic deklaroi se nuk dëshironte të komentojë “deklaratat joformale”, dhe ka theksuar se për të, për zgjidhjen e problemeve nuk ekzistojnë opsione ushtarake por vetëm bisedime, marrëveshje dhe zgjidhje të drejta. Presidenti i ri kroat e ka vlerësuar si “absolutisht pozitive” trajektoren e marrëdhënieve Serbi-Kroaci, duke shtuar se politikanët në dy shtetet duhet të rrezatojnë më shumë mirëbesim dhe optimizëm.(m.a/News24/BalkanWeb)