Emigranti shqiptar vret studentin italian në bibliotekën e universitetit
TRENTO - Një shqiptar është vënë nën akuzë nga policia italiane si autor i vrasjes së një studenti italian. Media e vendit fqinj bën të ditur se 21-vjeçari shqiptar është arrestuar duke gdhirë dita e djeshme në Trento të Italisë, pasi akuzohet për vrasjen e një studenti.
Sipas të dhënave të policisë, Nebi Smoqi është prangosur nga karabinierët pak orë pas ngjarjes, që kishte ndodhur në një bibliotekë të universitetit në Trento. Dëshmitarët kanë thënë se shqiptari është parë të diskutojë ashpër me viktimën në bibliotekë. E pikërisht në këtë vend është gjetur dhe trupi i 29-vjeçarit të ekzekutuar me disa goditje thike në trup. Media thotë se Smoqi jetonte prej 10 vjetësh me familjen e tij në një fshat të Trentos. Dyshimet e para janë se 21-vjeçari nga Shqipëria ta ketë vrarë studentin italian për motive të dobëta. Por gjithsesi, janë nisur hetimet rreth kësaj çështjeje për të zbardhur ngjarjen e rëndë, ku autor i dyshuar është një i ri shqiptar.
Policia italiane prangos dy shqiptarët, iu gjetën 65 kg marijuanë
ROMË - Trafiku i drogës ka çuar në pranga dy shqiptarë gjatë mbrëmjes së të mërkurës. Kjo gjë është bërë e ditur mëngjesin e djeshëm nga mediat italiane. Sipas tyre, karabinierët e Romës kanë sekuestruar një sasi marijuane gjatë një operacioni. Poseduesit e lëndës narkotike kanë qenë dy shqiptarë, që kanë përfunduar në pranga. Mediat italiane bëjnë të ditur se të arrestuarit janë një 24-vjeçar dhe një 33-vjeçar, të cilëve iu gjetën 65 kilogramë marijuanë. Sasia e drogës ishte fshehur në disa çanta. Gjatë kontrollit të policisë u zbulua marijuana, e cila ishte e paketuar. Policia tha se dy të ndaluarit i ka dërguar në qeli, ndërkohë që po vazhdon hetimet për bashkëpunëtorët e tyre.
9 Janar 2009