E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet Brunis Shaqja, dyshohet për “trafik të narkotikëve”



TIRANË - Një i ri nga Tirana, i dyshuar për “trafik të narkotikëve”, u arrestua në kushtet e flagrancës, në orët e vona të ditës së mërkurë, - bënë të ditur dje për gazetën burimet zyrtare të Policisë së Qarkut Tiranë. Sipas këtyre burimeve, 23-vjeçarit Brunis Shaqja, lindur dhe banues në Tiranë, rreth orës 23:00 të mbrëmjes së të mërkurës, në afërsi të rrugës “4 Dëshmorët” në Tiranë, pas një kontrolli, iu gjend një qese farmaceutike me bimë të dyshuar narkotike të llojit Canabis sativa. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjetën edhe 264 qese farmaceutike me bimë të dyshuar narkotike të llojit Canabis sativa. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme.

Ndalohen 4 shtetas për fyerje dhe dhunë ndaj policëve të Patrullës së Përgjithshme

Tiranë – Katër të rinj janë vënë në pranga nga policia pasi “kanë vënë dorë” mbi punonjësit e Patrullës së Përgjithshme. Burime policore bëjnë me dije se të dyshuar për “fyerje dhe goditje për shkak të detyrës” u arrestuan në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës shtetasit: Bafti Nerguti, 19 vjeç, Agim Muça dhe Afiz Taci, të dy të moshës 20 vjeç, si dhe Arben Velaj, 31 vjeç, të katër të lindur në Kukës dhe banues në Bathore. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme në Bathore të Tiranës, kanë fyer dhe goditur për shkak të detyrës punonjësit e policisë së Patrullës së Përgjithshme.

Ishte larguar prej tri ditësh nga shtëpia, gjendet e vdekur te Bregu i Lumit

Tiranë - Në Paskuqan, pranë Bregut të Lumit, u gjet trupi i pajetë i një gruaje, e identifikuar më pas si Diturie Rica, 57 vjeçe, e larguar prej tri ditësh nga shtëpia. Burime policore thanë se specialistët e Seksionit kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, menjëherë pas marrjes së njoftimit shkuan në vendngjarje. Pas hetimeve u konkludua se viktima është 57-vjeçarja Diturie Rica, lindur në Përmet dhe banuese në Tiranë. Të afërmit e kishin denoncuar largimin prej tri ditësh të 57-vjeçares duke u shprehur madje se ajo vuante prej kohësh nga një sëmundje nervore. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës për hetime të mëtejshme.

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›