Gazrat ndotës, Danimarka kërkon uljen me 50 %
Qeveria daneze do të kërkojë uljen e emetimeve të gazrave të dëmshëm në atmosferë me 50 %. Nëpërmjet një dokumenti të hartuar nga qeveria e Kopenhagenit, aty ku do të zhvillohet edhe samiti në muajin dhjetor, synohet që një objektiv i tillë të arrihet deri në vitin 2050. Sipas dokumentit në fjalë, niveli i ndotjes deri në këtë vit duhet të jetë i njejtë me atë të vitit 1990. Po kështu parashikohet që për vendet e pasura kjo shifër të arrijë deri në masën 80 %. Ekspertët thonë se viti 2020 do të jetë pika kulmore e ndotjes së planetit, në një kohë që më pas, gjithcka do të vijë duke u reduktuar. Danimarka pritet t’u kërkojë kështu vendeve të pasura të ndërmarrin masa shtrënguese ndaj atyre në zhvillim, pasi këto të fundit e kanë të nevojshme zhvillimin e industrisë. Ndërkaq, në qytetin kinez Nangking është hapur samiti BE-Kinë. Liderët e 27-vendeve anëtare dhe Kina do zhvillojnë konsultime për zvogëlimin e lirimit të gazrave serë. Javën e kaluar Kina për herë të parë paraqitit planet konkrete për mbrojtjen e klimës. Blloku 27-anëtarësh kërkoi që Pekini zyrtar, SHBA-ja, Japonia dhe vendet e tjera të bëjnë përpjekje më të mëdha për uljen e sasisë së lëndëve të dëmshme që lirohen në ajër. Sipas evropianëve, premtimet e deritanishme janë të pamjaftueshme.