E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazsjellësi Nabucco, gati më 2014

Gazsjellësi “Nabucco”, i cili mbështetet nga Bashkimi Evropian, ka shumë gjasa që të mos jetë gati për t’u përdorur deri në vitin 2018, ka deklaruar komisari Europian për Energjinë, Guenther Oettinger. Por deklarata u përgënjeshtrua nga konsorciumi i kompanive që kanë marrë përsipër ndërtimin.

“Shpresoj që vendimi final të merret brenda këtij viti”, ka thënë Oettinger për mediet gjermane. Por, konsorciumi Nabucco reagoi menjëherë, duke thënë se plani fillestar nuk ka ndryshuar.

“Plani është që gazsjellësi të vihet në punë në vitin 2014,” deklaroi konsorciumi, i cili përbëhet nga gjashtë kompani me pjesë të barabarta aksionesh: “Rew” nga Gjermania, “Botas” e Turqisë, kompania energjetike e Bullgarisë, “Transgaz” e Rumanisë, “Mol” e Hungarisë dhe “OMV” e Austrisë.

“Duhet të jetë një keqkuptim, sepse plani ynë është që më 2018-n ky gazsjellës të arrijë kapacitetin maksimal”, thuhet në reagim.

Gazsjellësi me gjatësi 3300 kilometra do të lidhë vendet e Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme me Evropën përmes Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë.

Ai parashikohet të transportojë 31 miliardë metra kub gaz në vit. Kostoja e përgjithshme parashikohet të arrijë në 7.9 miliardë euro.

Një degë e këtij gazsjellësi mendohet se do të kalojë për në Shqipëri, për të arritur Italinë, ndërsa një ide tjetër është që degazifikatori shqiptar që parashikohet të ndërtohet në Seman, të përdoret për furnizimin e “Nabucco”-s me gaz, që fillimisht do të importohet në formë të lëngët nga Katari.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›