E Shtunë, 31 Tetor 2026

BQK: Paratë janë të sigurta

Deklarata e kreut të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj se nuk dihet ku janë investuar paratë e privatizimit, ka nxitur Bankën Qendrore të Kosovës të reagojë.

Në një njoftim të BQK-së thuhet se mjetet investohen sipas Ligjit për BQK-në si dhe Politikës së Investimeve te BQK-se, të aprovuar nga Bordi drejtues i saj.

“Kjo Politike investive bazohet në sigurinë e mjeteve, likuiditetin e tyre dhe normën e kthimit nga investimet dhe si e tillë i mundëson BQK-së të plotësojë me kohë të gjitha kërkesat ligjore të secilit depozitar të saj, përfshirë këtu edhe AKP-në”, thuhet në njoftim.

BQK-ja thotë se vendimet për depozitim ose tërheqje të mjeteve nga BQK-ja varen nga vetë depozituesi, përkatësisht klienti. Ndërkaq, thonë se BQK-ja mban kontakte të rregullta me çdo depozitues të saj, përfshirë edhe AKP-në si dhe ofron raporte të rregullta të gjithë depozitarëve të saj konform kërkesave të tyre dhe politikave te saj operacionale.

“Madje, për Thesarin dhe AKP-në, BQK gjeneron raporte të rregullta dhe të veçanta me qëllim të përmbushjes së kërkesave specifike për informacion mbi lëvizjet dhe gjendjen e llogarive të mbajtura në BQK”.

BQK-ja njofton se shuma e parave të Fondit të AKP-së, dje ka qenë 463 milionë e 624 mijë euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›