E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazsjellësi Trans Adriatic - brenda tre muajve pritet vendimi për realizimin e projektit 1 miliard dollarësh

07-02-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha njofton vizitën e afërt, me 9-10 shkurt, në Azerbajxhan, vendin që i vë vulën zbatimit të njërit prej 3 projekteve konkurrente deri më tani

Në krye të 3 muajve pritet të merret vendimi për një nga projektet më të mëdha të gazsjellësit, ai Trans-Adriatik me vlerë investimi prej 1 miliardë euro. Një fakt të tillë e konfirmoi dje kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, pas kthimit nga Mynihu, ku mori pjesë në konferencën e 48-të të Sigurisë, ku është diskutuar edhe për energjinë.
Sipas kryeministrit, gazsjellësi Trans Adriatik, që do të kalojë në territorin shqiptar dhe do i sjellë vendit një miliardë euro investime. Duke folur për punimet e konferencës së Sigurisë në Mynih, kreu i qeverisë shqiptare veçoi projektin e korridorit të “rrymës së jugut”, për të cilin tha se ka disa variante, por varianti më fizibël dhe i besueshëm është varianti i gazsjellësit Trans-Adriatik. “Konferenca në Mynih ishte për sigurinë, por pikërisht në kuadrin e sigurisë, dy çështje morën trajtimin më të gjerë, energjia dhe siguria.  Kriza ekonomike dhe siguria ishin edhe dy çështje, të cilat u debatuan nga panelistë të elitës botërore, të kësaj fushe dhe për të cilat sigurisht Shqipëria, ka interesat e veta të mëdha.  Në një seancë të veçantë u diskutua për korridoret  e energjisë dhe dominoi tërësisht mendimi, se korridori i rrymës së jugut është i një rëndësie shumë të madh për furnizimin dhe sigurinë energjetike të Europës, Korridori i quajtur; The Southern Corridor  ‘Korridori i Jugut’, siç dihet ka disa variante, por varianti më fizibël, më i besueshëm, është varianti i gazsjellësit Trans-Adriatik, i cili kalon në territorin e Shqipërisë dhe realizon ndër të tjera, 1 miliard euro investime. Kalimi nëpër territorin e Shqipërisë, i kursen këtij projekti disa miliard euro dhe e bënë këtë projektin më të shkurtër dhe më të shpejtë për tu realizuar. Kjo është një periudhë përcaktuese, sepse gjatë këtyre dy- tre muajve, merret vendimi përfundimtar nga Konsorsiumi i detit Kaspik i përbërë nga një grup kompanish,  ku natyrisht ndër më kryesoret është fjala e kompanisë kombëtare të Azerbajxhanit, vend që ka fushën e Shah Denizit, fushë me sasi kolosale gazi. Ka shumë tregues që duke e krahasuar këtë projekt me të gjitha projektet e tjera nga Nabuco dhe tre - katër projekte të tjera, Trans-Adriatik është më i mundshmi”, u shpreh Berisha.
Kreu i ekzekutivit theksoi se për lobimin e këtij projekti, do zhvillojë në datat 9-10 shkurt një vizitë zyrtare në Azerbajxhan.
“Në Mynih, pata rastin aty të takoj  dhe të bisedoj, përzemërsisht shkurt me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Heydar Oglu Aliev, por nga mesi i kësaj jave unë shkoj në një vizitë zyrtare në këtë vend mik, ku sigurisht këto probleme dhe marrëdhëniet e gjithanshme bilaterale me Azerbajxhanin janë dhe axhendë shumë e rëndësishme e vizitës sime, që do të jetë me datat 9-10 shkurt në Azerbajxhan”, tha kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›