E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria masa, për të ndihmuar banorët e izoluar nga bora

07-02-2012 / Gazeta 55

Ngricat përkeqësojnë situatën hidrike, Kryeministri garanton furnizimin pa ndërprerje me energji

Kryeministri Berisha u fokusua dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, në situatën e krijuar nga bora dhe ngricat në vend. Ai garantoi qytetarët se qeveria do të marrë të gjitha masat për të ndihmuar banorët e izoluar nga bora të siguruar energjinë elektrike për banorët në çdo rreth të vendit, në një kohë kur është rritur konsumi i saj dhe pakësimi i ujërave në digat e vendit. “Ju bëj thirrje të përqendrohemi në maksimumin tonë si ekzekutues, si legjislativ dhe si të gjitha kapacitetet, në mënyrë që të mund të lehtësojmë dhe ndihmojmë banorët  e zonave të rrethuara nga dëbora qe janë me rrugë të bllokuara. Të bëjmë gjithçka, për tu ofruar në maksimumin e mundshëm ndihmën, emergjencën, për të cilën ata kanë nevojë”, theksoi kryeministri, ndërsa evidentoi se ka pakësim të paprecedentë të ujërave në Kaskadën e Drinit. “Ky është një dimër, që ka rikthyer në memorien e shqiptarëve dimrat e dikurshëm, për sa i përket dëborës dhe nga ana tjetër është shoqëruar me një pakësim të paprecedent të ujërave në kaskadën e Drinit”, tha Berisha.
Kryeministri theksoi se do të mbështesë KESH-in në blerjen e energjisë, pasi të gjitha digat janë në nivelin më të ulët në historinë e vendit. “Është importuar energji sa kurrë ndonjëherë, është bërë gjithçka që energjia të mos mungojë për shkak të furnizimit, dispozimit të saj dhe do të bëhet gjithçka që  të furnizohen me të nga sipërmarrja e shpërndarjes CEZ, në mënyrë që qytetarët shqiptarë dhe veprimtaria tërësore të mos vuajë për mungesë energjie. Çmimet janë shumë të kripura, sepse edhe në Rajon, eksportues  të rëndësishme të energjisë, janë shndërruar prej kohësh në importues të saj. Por vendimi ynë është i prerë dhe përfundimtar. Ne do ta blejmë atë sa kohë që do ta gjejmë, në mënyrë që vendi të mos njohë, të mos vuajë mungesën e saj. Natyrisht në çdo rrethanë, kjo do të përballohet me ndërhyrjen e buxhetit, sepse mundësitë e tjera janë pothuaj ezauruar tërësisht. E vërteta është që pavarësisht nga reshjet e shiut në Tiranë, apo reshjet e mëdha të dëborës në të gjithë zonën veriore apo verilindore të vendit, digat janë në nivelet më të ulëta historike te tyre.  Ju informova për këtë situatë, e cila është jo pak problematike për prodhimin e energjisë, por ne vazhdojmë ti mbetemi principit se çmimi më i lartë i saj, është mungesa e saj. Bazuar në këtë princip, ne do të mbështesim KESH-in, për importimin e sasive të nevojshme, ndonëse konsumi ka arritur vlera të paimagjinueshme,  pak vite më parë, në 27 milion kilovat orë dhe më shumë”, deklaroi kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›