Gazsjellësi Trans Adriatik, një investim që po fitohet nga partneriteti i ngushtë i qeverisë “Berisha”
Pas lobingut pranë disa institucioneve financiare si dhe takimeve të kryeministrit Berisha me presidentin e Azerbajxhanit, vendi që ofron sektorin gazmbajtës, projekti prej 1 miliardë dollarësh në zonën shqiptare duket se do të marrë miratimin formal para festave të fundvitit
Projekti fitues i gazsjellësit që do të furnizojë Evropën me gaz nga Azerbajxhani, pritet të shpallet në fund të këtij viti. Drejtori i përgjithshëm i projektit Trans Adriatik, ku bën pjesë edhe Shqipëria, është shprehur tepër optimist për rezultatin që do të shpallë fituesin, duke thënë se “ky projekt mund të quhet edhe si një dhuratë që mund të marrë Shqipëria, për Krishtlindje”. Grupi negociator i këtij projekti u mblodh në Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës, për përcaktimin e një leje kontrate që do të bëjë Shqipëria për kërkesat që duhet të ndiqen gjatë zbatimit të projektit. “Një nga arsyet që ne do të fitojmë këtë projekt është se ne kemi partnerë të rëndësishëm, siç është qeveria shqiptare. Po ashtu kemi mbështetje të plotë edhe nga vende si Norvegjia, Gjermania apo edhe Zvicra, pasi kompanitë që janë pjesë e konsorciumit tonë janë prej këtyre vendeve. Shqipëria do të luajë një rol të rëndësishëm në hapjen e korridorit jugor të gazit, duke siguruar të ardhmen e energjisë së Bashkimit Evropian, si dhe Evropës Juglindore” - u shpreh drejtori i përgjithshëm i projektit Trans Adriatik, Kjetil Tungland. Ministri i Ekonomisë Nasip Naço, citoi përfitimet që ka Shqipëria nga ky projekt. “Realizimi i projektit TAP është i një rëndësie shumë të veçantë, pasi ai jo vetëm që siguron një zhvillim ekonomik, nëpërmjet investimeve që do të kryhen, në krijimin e vendeve të reja të punës që do të hapen, në të ardhurat që do të përfitojnë, por ka edhe një rëndësi strategjike për sigurimin e energjisë për Europën, rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe kryesisht Shqipërinë. Vendi ynë ka treguar performancë të fortë ekonomike dhe është shndërruar në faktor stabiliteti politik dhe ekonomik në rajon”- u shpreh ministri Naço.
Trans Adriatik është projekti i gazsjellësit që do të transportojë gaz nga Kaspiku, përmes Greqisë, Shqipërisë drejt Italisë. Gjatësia e këtij projekti do të jetë 800 km, ku 204 km pritet të kalojnë në territorin shqiptar. Hyrja është parashikuar të jetë në zonën e Mirasit, në Korçë, dhe dalja në afërsi të Fierit. Kostoja totale e projektit është parashikuar në 1 miliardë dollarë.