Shqipëria ka një shans ta marrë statusin në pranverën e 2012-s

Eurodeputeti Hannes Svoboda deklaron se integrimi evropian i Shqipërisë kalon përmes bashkëpunimit të ngushtë parlamentar në miratimin e projekt-reformave
“Shqipëria ka një shans të marrë statusin e vendit kandidat, pranverën e vitit të ardhshëm”. Kështu shprehet eurodeputeti Hannes Svoboda, duke e vënë theksin te marrëveshja mes mazhorancës dhe opozitës, dy javë më parë. Svoboda thekson se ka pasur kontakte konstante me komisionerin për Zgjerim, Stefan Fyle, i cili ka garantuar mbështetjen për udhën e integrimit europian të Shqipërisë. “Ne jemi në kontakt të përhershëm me z. Fule dhe ai është shumë i gatshëm për të ndihmuar. Marrëveshja pozitë-opozitë në Shqipëri erdhi pak me vonesë për samitin e 9 dhjetorit, por gjithsesi ndoshta në pranverë të vitit të ardhshëm mund të flitet për statusin e kandidatit, pasi do jetë e rëndësishme për promovimin e reformave europiane në Shqipëri”- u shpreh Svoboda. Zv/presidenti i grupit të Partisë Socialiste në Parlamentin Evropian, Hannes Svoboda, theksoi se marrëveshja e konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës ka sjellë një klimë të re në politikën shqiptare. “Mesazhi duhet të jetë se Shqipëria është në një situatë të re, në një stad të ri. Të dy forcat më të mëdha politike kanë rënë dakord mbi parimet se si të ecin përpara. Nëse ata i zbatojnë marrëveshjet e arritura dhe nëse arrijnë atë që kanë premtuar, mendoj se Shqipërisë duhet ti jepet një shans në pranverë për statusin e kandidatit. Kjo do të forconte vendosmërinë e të dyja palëve për të kryer reformat e duhura”- tha ai. Europarlamentari austriak, Svoboda shprehet gjithashtu se integrimi europian i Shqipërisë kalon përmes bashkëpunimit të ngushtë mes palëve.
“Ne jemi të kënaqur me zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe mesazhi që ne duam t’ju përçojmë forcave politike shqiptare është, se rruga drejt Europës kalon përmes bashkimit të tyre, jo veç e veç, jo kundër njëra tjetrës dhe kjo është në interesin e popullit shqiptar”, deklaroi ai. Bashkimi Evropian s’ka kursyer asnjëherë mesazhin e bashkëpunimit politik mes mazhorancës dhe opozitës, si rruga më e mirë për të afruar vendin me aspiratat e integrimit. Brukseli zyrtar është shprehur në vazhdimësi se bojkotet dhe bllokimi i parlamentit, është një strategji e gabuar e cila veçse zvarrit procesin e integrimit të Shqipërisë, nuk sjell asnjë produkt pozitiv për vendin dhe qytetarët. Edhe qëndrimi i socialistëve evropianë, është konsistent me atë të politikës zyrtare të Bashkimit Evropian, që do të thotë se Partia Socialiste në Shqipëri, ndoqi një praktikë të gabuar prej 2 vitesh, duke i servirur vendit, refuzimin e statusit të vendit kandidat në dy vite radhazi.
Majlinda Bregu: E afërt dita kur Shqipëria do të marrë statusin/Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu deklaroi në raportimin e fundit në komisionin parlamentar të integrimit, se s’do jetë e largët dita kur Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Bregu kërkoi bashkëpunimin e opozitës në kapërcimin e sfidave të integrimit, siç janë reformat dhe funksionimi i parlamentit. Konkretisht, ministrja e Integrimit ftoi opozitën të kontribuojë në konstituimin e grupeve të negociatave. “Do ta konsideronim me vlerë bashkëpunimin tuaj gjatë procesit të rishikimit të Planit Kombëtar të MSA-së, që do të thotë të keni akses online gjatë raportimeve të ministrive dhe së dyti, ju ftojmë të kontribuoni në konstituimin e grupeve të negociatave, pasi mund të them se data e hapjes së negociatave nuk është datë e largët. Ju ftojmë që të jepni kontributin tuaj”- u shpreh ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu. Ajo sqaroi gjithashtu se pavarësisht marrjes apo jo të statusit të vendit kandidat në BE, Shqipëria nuk humbet asnjë fond nga Bashkimi Evropian. “Nga ana financiare, vendi nuk ka humbur asgjë sepse plani financiar është miratuar deri në vitin 2013. Të vetmet vende që do të duhen të hyjnë në këtë plan financiar dhe që kanë ecuri më të shpejtë se Shqipëria për t’u bërë vende anëtare, janë Kroacia dhe Islanda. Kjo do të thotë që me apo pa status të vendit kandidat, nuk kemi humbur asnjë euro”- tha ajo.