Reformat e Shqipërisë, jehonë në Jeruzalemin e besimeve të mëdha

Kryeministri Berisha informon në mbledhjen e Këshillit të Ministrave lidhur me vizitën e zhvilluar në Izrael
Shoqata e miqësisë Shqipëri - Izrael i jep Kryeministrit Berisha titullin “anëtar nderi”. Vitin tjetër pritet që vendi hebre të hapë ambasadën e vet në Tiranë, e cila do të koordinojë fluksin e investimeve izraelite në hapësirat shqiptare
Në mbledhjen e djeshme në Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha bëri një ekspoze të detajuar, të vizitës së tij zyrtare në Izrael, me ftesë të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu. Kryeministri shprehu mirënjohjen dhe falenderimet për personalitetet më të larta izraelite, për mikpritjen që ata i rezervuan delegacionit shqiptar dhe angazhimin e dëshmuar për të thelluar dhe konsoliduar bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve. “Kryeministri Netanjahu më garantoi mua se qeveria e tij dhe ai personalisht do të inkurajojë, do të mbështesë një bashkëpunim të gjithanshëm midis Shqipërisë dhe Izraelit në fushën ekonomike, turizmit, bujqësisë, teknologjisë së lartë, infrastrukturës, energjisë, ujërave, pra nxitjes dhe inkurajimit të investitorëve izraelitë për të investuar në Shqipëri, duke i ofruar atyre të gjitha mekanizmat e mundshme mbështetëse të shtetit të Izraelit”- u shpreh Berisha. Ai tha se kompanitë izraelite janë të interesuara për të investuar në fushën e energjisë së rinovueshme, diellore, gjeotermike apo dhe eolike. Madje, interes të madh ka edhe për koncesionet për HEC-et. “Mendoj se ekziston një kuadër ligjor shumë i mirë i marrëdhënieve mes dy vendeve, i cili duhet të plotësohet me shpejtësi në të gjitha mangësitë e tij. Një interes i veçantë u dëshmua për bashkëpunimin në fushën e energjisë. Kompanitë izraelitë janë ndër më të mirat, më të mëdhatë, në energjinë e rinovueshme, gjeotermike, diellore, eolike, por ato janë kompani me fuqi të madhe ndërtuese dhe shumë të interesuara për të marrë pjesë në koncesionet për HEC, në Shqipëri”- theksoi kryeministri. Një tjetër fushë me po aq interes, është edhe ajo e turizmit, nisur nga potencialet e çmuara turistike që ofron Shqipëria, por s’mbetet pas as bujqësia. “Një interesim të veçantë paraqet bashkëpunimi në fushën e turizmit, bashkëpunimi në sektorin e menaxhimit të ujërave. Izraeli është vendi që mund të ketë praktikën më të avancuar në botë për trajtimin e ujërave në tërësi, në ekonomizimin e tyre, në shfrytëzimin re tyre. Ne ramë dakord të bashkëpunojmë ngushtë në fushën e arsimit, në botën akademike midis universiteteve tona dhe universiteteve të Izraelit. Mendoj se Shqipëria ka përfituar dhe do të vazhdojë të përfitojë shumë më tepër në fushën e bujqësisë. Izraeli ka tokën bujqësore ndër më prodhueset në botë dhe e ka arritur këtë në sajë të teknologjisë së lartë. Ky vullnet i kryeministrit Netanjahu dhe qeverisë së tij, Zëvendëskryeministrave Lieberman dhe Meridor, ministrave të qeveris, përbën një premisë shumë të madhe për konkretizimin, zhvillimin e mëtejshëm dhe konsolidimin e marrëdhënieve të gjithanshme me këtë vend”- deklaroi kryeministri. Berisha veçoi se marrëdhëniet e dy kombeve nuk kanë qene intensive në të kaluarën, por kanë qenë gjatë të gjitha kohërave, marrëdhënie pozitive. Këtu, kryeministri kujtoi mbështetjen e dhënë nga shqiptarët për komunitetin hebre, gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe theksoi se shqiptarët dhe izraelitët janë ndër më të vjetrit e këtij planeti. “Ndikojnë këtu edhe ngjashmëritë. Unë theksova në fjalën time në Këshillin për Çështjet e Jashtme, ku pata një audiencë të shkëlqyer, se të dy kombet janë ndër më të vjetërit e këtij planeti, kanë historinë e tyre të dhimbjeve dhe vuajtjeve shumë të mëdha. Nuk them se janë kombe të zgjedhura nga Zoti, por të bekuara prej Tij sepse kanë mbijetuar. Shqiptarët nuk kanë përjetuar Holokaust, por ka patur programe shfarosje ndaj tyre. Holokausti përbën dramën më të madhe, përbën faqen më tragjike të historisë së qytetërimit modern. Në këtë moment theksova se kur në kryeqytetet e botës bëhej gjahu etnik ndaj çifutëve, në fshatrat dhe në qytetet e Shqipërisë, ata mbroheshin dhe me jetën e mikpritësve dhe ky është një moment i ngulitur thellë në mirënjohjen e kombit izraelit, por gjithashtu dhe një trashëgimi shumë e rëndësishme në marrëdhëniet tona të ardhshme, në marrëdhëniet e shkëlqyera të kombeve dhe vendeve tona”- tha ai. Duke vlerësuar hapat pozitivë të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Izraelit, Berisha tha se vitin e ardhshëm qeveria izraelite në bashkëpunim me atë shqiptare, do çelin ambasadën e Izraelit në Tiranë. Sipas Berishës, homologu i tij Netanjahu ka premtuar se Shqipëria do jetë vendi me të cilin Izraeli do lidhë marrëdhëniet diplomatike, edhe pse nuk mungojnë kërkesat e vendeve fqinje. “Kam shumë kënaqësi ti informoj shqiptarët se qeveria e Izraelit ka vendosur të hapë vitin e ardhshëm ambasadën e Izraelit në Shqipëri. Nga dhjetëra e dhjetëra kërkesa që ka patur, kanë përzgjedhur Shqipërinë”- tha Berisha. Kreu i qeverisë vlerësoi se një takim shumë të rëndësishëm në Izrael, ka patur me komunitetin e biznesit, gjatë Forumit Ekonomik Shqipëri – Izrael. Kryeministri bëri një ekspoze të potencialeve ekonomike të Shqipërisë, duke ftuar investitorët vendas, të investojnë në Shqipëri. Berisha përcaktoi fushat e investimeve për biznesin izraelit, si atë të energjisë së rinovueshme, në kuadër të projektit madhor të qeverisë, “Shqipëria superfuqi energjetike”, por pa lënë pas edhe turizmin e pasuritë minerare të nëntokës shqiptare. “Në një forum me biznesin të organizuar në Tel Aviv direkt nga Presidenti i Dhomave të Tregtisë së Izraelit, pata rastin të bëj një ekspoze të të gjitha potencialeve të Shqipërisë, të vizionit të zhvillimit të këtij vendi, ti njoh miqtë dhe të ftuarit me vendosmërinë e kësaj qeverie për zhvillim jeshil të qëndrueshëm, për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon, për potencialet e saj të jashtëzakonshme, ti njoh me vendosmërinë e kësaj qeverie për të sjelle Shqipërinë në moshën dixhitale, ti njoh ata me projektet e mëdha kombëtare të pyllëzimit me dru frutorë, ti njoh me pasuritë e mëdha të përmasave botërore minerare, të nëntokës shqiptare dhe mbi të gjitha me bukuritë mahnitëse turistike, potencialet e pakrahasueshme turistike që ka Shqipëria në krahasim me ndonjë vend tjetër. Mund tu them se kompanitë izraelite që punojnë në Shqipëri dhe që kanë fituar koncesione shumë të rëndësishme në fushën e HEC-ve ishin dhe avokatët më të mirë të potencialeve të Shqipërisë në Izrael”- vuri në dukje kryeministri Berisha.
Ai tha gjithashtu se gjeti mirëkuptimin e kryetarit të bashkisë së Tel Aviv-it, për nisjen e një bashkëpunimi konkret dhe reciprok me bashkinë e Tiranës. “Në Tel Aviv unë u prita nga Kryetari i Bashkisë së Tel Aviv-it, të cilit unë dua ti shpreh falenderimet më të përzemërta për pritjen e ngrohë që më rezervoi. Tel Avivi është shndërruar tani në një prej qyteteve më të zhvilluara dhe ku jetohet më mirë në botë. Gjeta një gatishmëri të plotë tek Kryetari i Bashkisë për të bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranë dhe unë mendoj se Bashkia e Tiranës mund të mësojë shumë gjëra. Unë gjeta aty, një nga qytetet më të gjelbëruara që kam parë deri më sot, me gjelbërimin më intensiv, me një urbanistikë të shkëlqyer, me një plazh shumë të bukur”. Kryeministri informoi më tej se gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Jeruzalemit, ndër qytetet më të lashta në botë dhe vendin ku kanë lindur besimet më të mëdha të njerëzimit, vizitoi vendet e shenjta të tij. “Natyrisht po shkove në Jeruzalem nuk mundesh kurrë të mos gjesh, të mos ndash një kohë për të vizituar apo për të bërë siç mund ta quajmë ndryshe një vizitë shpirtërore. Është djepi ku kanë lindur besimet më të mëdha të njerëzimit. Pata një orë kohë, por ndër më intensive të jetës sime, një inkursion në besimet e mëdha që nga themelet e tyre. U jam shumë mirënjohës mikpritësve pasi u hapën të gjitha vendet e mistereve dhe sekreteve te shenjta. Pata rastin të prek edhe Gurin më të shenjtë apo gjënë më të shenjtë të botës së krishterë, Gurin ku është shtrirë trupi i Jezusit pas Kryqëzimit. Natyrisht ai ishte i mbuluar nga dy pllaka mermeri, por është vendi më i shenjtë i botës së Krishterë. Pashë një thesar të veçantë, Kryqin që besohej shumë se është pjesë e Kryqit të Kryqëzimit të Jezusit, por edhe krahun e balsamosur e Shën Madalenës, si dhe shumë relike të tjera. Sikundër, u ngjita dhe në kodrën e Zionit, aty ku është Kryqëzuar Krishti vetë. Vizitova Xhaminë e Omerit, i cili nuk u fut në Kishën e Varrimit të Shenjtë për të mos bërë që ajo të shndërrohej në Xhami, por u ndal dhe u lut aty. Ishte një portë madhështore. Këto janë jashtë qytetit. Brenda në qytet ishte Muri i Lotëve dhe unë sipas traditës së vizitorëve, vendosa një letër me tre urime, krejtësisht të brendshme private. Formulova tre kërkesa, jo një. Jam gjetur njëherë në një vend të shenjtë në vitin ’92, ku më pyeti Udhëheqësi shpirtëror i atij vendi se çfarë do i kërkoja Zotit. Unë, atëherë i bëra kërkesat e mija dhe deri tani vetëm mirënjohje kam. Në qytet vizitova dhe Gurin më themelor të Judaizmit, 5 mijë vjeçar. Ai quhet Guri themeltar. Karshi ishte Xhamia ku Pejgameri, Profeti erdhi një nate, u hapën 7 qiejt dhe u ngjit në qiell me lutjen e Zotit. Ky ishte Jeruzalemi shpirtëror dhe unë nuk mund ta lija pa ju shprehur mirënjohjen atyre që më bënë të mundur ta vizitoj për të tretën herë, djepin e besimeve të mëdha të njeriut dhe njerëzimit”- theksoi Berisha. Vizitën e tij, Kryeministri e mbylli me një takim të përzemërt me komunitetin shqiptaro – hebre, të cilët kreu i qeverisë i vlerësoi për kontributin e veçantë, në promovimin e potencialeve të Shqipërisë. “Vizitën time e mbylla me atë që mund të quhet “më e ëmbla në fund” dhe ata ishin bashkatdhetarët tanë shqiptaro – hebrenj, një komunitet i shkëlqyer, ambasadorë të vërtetë të Shqipërisë dhe jo vetëm në Izrael, por absolutisht kudo që janë dhe me një dashuri të madhe për vendin bëjnë gjithçka për të promovuar Shqipërinë dhe potencialet e saj”. Në përfundim, Berisha shprehu mirënjohje shumë të thellë për kryeministrin Benjamin Netanyahu për ftesën he për pritjen e përzemërt që i rezervoi në vizitën 3 ditore, Presidentin Shimon Peres dhe Kryetarin e Parlamentit, ministrin Landau, ministrin e Turizmit, si dhe Kryetarin e Këshillit për marrëdhëniet me jashtë, Presidentin e Dhomave të Tregtisë së Izraelit, Kryetarin e Shoqatës së miqësisë Izrael-Shqipëri, Kryetarin e Bashkisë së Izraelit.
Reformat, pasaportë për biznesin ndërkombëtar
Shefi i ekzekutivit Sali Berisha vlerësoi reformat e qeverisë, si çelësin e suksesit të thithjes së investimeve të huaja. Sipas Kryeministrit, falë reformave të ndërmarra me shumë vështirësi që prej 2005-ës, vendi ka “fituar” pasaportën e shkëlqyer të biznesit, që kishte aq shumë nevojë. Nisur nga vizita në Izrael dhe interesi i shprehur nga investitorët vendas, Berisha tha se Shqipëria gëzon stabilitet të theksuar ekonomik, e cila vërehet edhe nga trefishimi i eksporteve dhe investimeve si dhe taksat e ulëta, të cilat kanë pasur një rezonim të suksesshëm në biznesin ndërkombëtar. “Kam kënaqësinë t’i informoj shqiptarët se jehona pozitive e reformave të Shqipërisë ishte shumë e madhe dhe se ishte kjo jehonë, që qëndronte pas këtij interesi të madh të investitorëve izraelitë për të investuar në vendin tonë. Mendoj se reformat i kanë dhënë këtij vendi pasaportën e shkëlqyer të biznesit, për të cilën kishte nevojë jetike siç kanë nevojë qytetarët shqiptarë për pasaportën biometrike. Fakti që Shqipëria trefishon eksportet në harkun kohor 6 vjeçar, fakti që Shqipëria mbi trefishon investimet e huaja në harkun kohor 4 vjeçar, fakti që Shqipëria mbetet ndër vendet e pakta në botë, në të cilin liria ekonomike vitin e kaluar u rrit me 16%, fakti që Shqipëria ruan rritjen ekonomike duke mbajtur sistemin me barrën e taksave më të ulëtën në Evropë dhe ndër më të ulëtat në botë. Të gjitha këto kanë patur një rezonim të fuqishëm në biznesin ndërkombëtar, rezonim që unë pata rastin në një hark kohor të shkurtër nga shtatori, deri tani ta prek, ta ndjej, ta shoh, në Neë York, në metropolin e botës, në Oslo, në Tel Aviv dhe kudo.
Shoqata e miqësisë Shqipëri - Izrael i jep Kryeministrit Berisha titullin “anëtar nderi”
Gjatë qëndrimit në Tel Aviv, kryeministri Berisha pati një takim të ngrohtë e mbresëlënës me anëtarët e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Izrael. Një moment i veçantë i takimit për Kryeministrin Berisha ishte dhënia e titullit anëtar nderi i kësaj Shoqate, me motivacionin “Për kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e miqësisë e bashkëpunimit midis shtetit të Izraelit dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj popullit të Izraelit”. Kryeministri Berisha u shprehu mirënjohjen për përfaqësimin që ata i kanë bërë Shqipërisë në këto 20 vjet, duke u shndërruar në ambasadorët më të mirë të saj në këtë vend. Kryeministri i ftoi të intensifikonin përpjekjet për të orientuar biznesin izraelit të investojë në Shqipëri. Duke i falënderuar përzemërsisht për titullin e akorduar, Kryeministri u uroi 28 nëntorin, ditën e pavarësisë, duke e ftuar Shoqatën e tyre të përfaqësohet në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë, vitin e ardhshëm. “Uroj që 100 vjetorin ta bëjmë me afrim shumë më të madh e bashkëpunim shumë më të ngushtë midis Shqipërisë e Izraelit. Shoqata juaj duhet të përfaqësohet në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ngjarja më e madhe në historinë e kombit shqiptar dhe shqiptarëve, ngjarja që bëri të mundur të gjitha ngjarjet e tjera që sot, ne shqiptarëve na bëjnë të lirë, na bëjnë krenarë. Ndaj edhe një herë urimet më të përzemërta për ditën e flamurit”- tha Berisha.
Vizita e kryeministrit izraelit, Banjamin Netanjahu
“Kryeministri Netanjahu më premtoi se do të vijë në krye të një delegacioni të gjerë në Shqipëri, në kohën më të parë. Po kështu dëshirë për të vizituar Shqipërinë shprehën dhe do të vijnë Presidenti Peres, Kryetari i Parlamentit, ministrat mendoj se vizita ishte një vizitë shumë e frytshme”.
Vitin e ardhshëm, Izraeli do çelë ambasadën në Tiranë
Lajmi më i gëzuar është se vitin e ardhshëm do të ketë një ambasadë të Izraelit në Tiranë dhe ky përbën një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm. Sigurisht, ky është një vendim politik, i cili merret në respekt të plotë të kombit shqiptar, por edhe të potencialeve reale që ofron sot, Shqipëria.